
Flet ambasadorja e Francës, Christine Moro.
Moro: Shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë për statusin kandidat, në vjeshtën e këtij viti.
Për ambasadoren e Francës në Tiranë, Christine Moro, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës në mesin e vitit 2012 nuk përbën një ngjarje për rekomandime ndërkombëtare. Në një intervistë për gazetën «Panorama», ajo thotë se është një çështje e brendshme e politikës shqiptare emri i kandidatit që do të zëvendësojë Bamir Topin në karrigen më të lartë të shtetit. Diplomatja e lartë franceze flet me tone të përmbajtura për marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament, duke theksuar se Bashkimi Europian pret rezultate konkrete për të vlerësuar në vjeshtën e këtij viti nëse do t’i jepet apo jo Shqipërisë statusi kandidat.
Znj.ambasadore, fillimisht donim të dinim si janë marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë në këtë moment dhe në cilat fusha niveli i këtyre marrëdhënieve mund të ishte me i lartë. A ka një ulje të interesit të Francës për rajonin në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti, për shkak të një roli më të madh që ka marrë vendi juaj në BE për shkak të krizës së borxheve të eurozonës?
Së pari dëshiroj të falënderoj redaksinë e gazetës “Panorama” për interesin që tregon në lidhje me marrëdhëniet franko-shqiptare. Jam shumë e lumtur që kjo intervistë botohet në numrin e parë të këtij viti, sepse kjo gjë më mundëson t’i përcjell Panoramës, si dhe të gjithë lexuesve të saj, urimet e mia më të mira për vitin 2012.
Franca tregon një interesim shumë të madh për Ballkanin. Nga ana kulturore, ky rajon bën pjesë në Europë dhe vendet që e përbëjnë atë aspirojnë të bëhen një ditë anëtare të Bashkimit Europian. Gjatë këtyre njëzet viteve të fundit, Franca ka luajtur një rol shumë aktiv në Ballkan, së bashku me partnerët dhe aleatët e saj të BE-së dhe të NATO-s. Ajo ka qenë e pranishme diplomatikisht, por edhe ushtarakisht, kur kjo gjë ka qenë e nevojshme. Objektivi i ndjekur nga diplomacia franceze është stabiliteti i rajonit, pastaj demokratizimi i tij, si dhe në fund dhënia e ndihmës ndaj vendeve të tij drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Për sa i përket Shqipërisë në veçanti, Franca mbështet përpjekjet e saj për demokratizim dhe modernizim. I gjithë bashkëpunimi dypalësh është orientuar në këtë drejtim. Kryeministri Berisha ka bërë së fundi një vizitë në Francë, ku ka biseduar me Kryeministrin francez, z. François Fillon, si dhe me ministrin e Industrisë dhe Energjetikës, z. Eric Besson. Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto, është takuar me ministrin francez të Çështjeve Europiane, z. Jean Leonetti. Z. Berisha do të shkojë përsëri në Paris në fillim të janarit, ku është ftuar nga autoritetet franceze në një aktivitet të rëndësishëm në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare.
Është e vërtetë se Franca, së bashku me Gjermaninë, është angazhuar për të kapërcyer krizën financiare në eurozonë. Duke vepruar në këtë kuadër, ajo u shërben gjithashtu interesave të vendeve kandidate dhe vendeve potencialisht kandidate: Presidenti i Republikës Franceze ka thënë se kjo krizë ka vënë në provë si euron, ashtu edhe ndërtimin e Europës. Është në interes edhe të vendeve që duan të bëhen anëtare të BE-së dhe që një ditë do të kenë euron si monedhë të tyre, që Europa dhe euroja të dalin nga kriza jo vetëm pa pasoja, por edhe më të fortë.
Si e vlerësoni marrëveshjen e fundit mes maxhorancës dhe opozitës për të nisur reformën zgjedhore dhe për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar në Parlament? A mendoni se ngërçi politik është zgjidhur apo mendoni se hapa te tjerë janë të domosdoshëm në këtë drejtim?
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me disa çështje të rëndësishme, është një sinjal jashtëzakonisht pozitiv dhe unë i konsideroj përparimet e bëra si shumë inkurajuese. Tashmë janë arritur disa rezultate konkrete, siç është emërimi me konsensus i Avokatit të Popullit gjatë seancës së fundit plenare të Parlamentit.
Ajo që Bashkimi Europian pret nga Shqipëria, është që të përparojë për sa i përket një marrëdhënieje akoma më të gjerë bashkëpunimi mes forcave politike në kontekstin e pikësynimit kombëtar, çka kërkon ndryshime të rëndësishme për përgatitjen e vendit për anëtarësimin e ardhshëm.
Në «opinionin» e tij në nëntor 2010, i cili u miratua nga Këshilli i Europës në dhjetor 2010, Komisioni ka përcaktuar dymbëdhjetë «prioritete kyçe», fusha në të cilat Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëdha për t’u afruar me standardet europiane. Në përgjigje të këtyre dymbëdhjetë prioriteteve, Shqipëria ka filluar në pranverën e vitit 2011 të hartojë një plan veprimi. Ky plan është duke u aktualizuar nga Ministria e Integrimit Europian dhe nga Komisioni parlamentar për integrimin europian dhe pastaj duhet të zbatohet.
Pikësynimi kryesor i bashkëpunimit dypalësh franko-shqiptar është mbështetja e Shqipërisë në kuadrin e këtyre dymbëdhjetë prioriteteve kyçe. Mund të përmend në veçanti bashkëpunimin për mirëfunksionimin e Parlamentit, reformën në Drejtësi, modernizimin e administratës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut…
Shqipërisë iu refuzua për dy vjet radhazi statusi kandidat në BE nga Komisioni Europian. Sa shanse ka që në mesin e vitit 2012 Shqipëria të arrijë objektivin e marrjes së statusit të vendit kandidat, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Parlament?
Aderimi në Bashkimin Europian është një proces i gjatë dhe i komplikuar. Kemi të bëjmë me përgatitjet për të hyrë në një familje ku zbatohen disa rregulla të caktuara. Duhet që këto rregulla të pranohen dhe të zbatohen nga vendet kandidate, përndryshe bashkëjetesa nuk do të mund të funksiononte aspak. Nuk duhet që Shqipëria të dekurajohet, sepse është nga ana kulturore pjesë e Europës dhe se synimi i saj për të hyrë në BE është i qartë dhe i pranuar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit.
Pas raportit të Komisionit të 12 tetorit 2011, Shqipëria e ka kuptuar se e ka vetë në dorë avancimin e dosjes së saj dhe ajo ka filluar të punojë në drejtimin e duhur. Duhet që të arrijë rezultate në dymbëdhjetë fushat e «prioriteteve kyçe», duhet që Komisioni dhe shtetet anëtare të mund të konstatojnë vazhdimësinë e përpjekjeve të Shqipërisë. Në parim, Komisioni i shqyrton përparimet e bëra nga kandidatët dhe kandidatët potencialë në vjeshtën e çdo viti. Mbi këtë bazë, ai i propozon Këshillit Europian kalimin ose jo në etapën vijuese.
Në vitin 2012, sipas Kushtetutës shqiptare parashikohet zgjedhja e Presidentit të Republikës, post i cili luan rol kyç për emërimet në Gjyqësor dhe institucionet e pavarura. Kreu i maxhorancës qeverisëse, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk do t’i ofrohet një mandat i dytë Presidentit aktual, z.Topi, por Presidenti i ri do të zgjidhet sipas Kushtetutës, d.m.th me shumicë të thjeshtë dhe emri i ri mund të jetë një nga drejtuesit e PD-së. A do të sugjeroni ju që Parlamenti të zgjedhë një President konsensual dhe a do të jetë ky një kusht për marrjen e statusit kandidat?
Është e pamohueshme se funksionet e Presidentit të Republikës janë të rëndësishme. Por për sa i përket çështjes se cili duhet të jetë kandidat ose cilin person duhet të mbështesin partitë, këto janë çështje që lidhen me politikën e brendshme të Shqipërisë dhe unë nuk kam asnjë mendim për të shprehur në këtë drejtim.
Si e vlerësoni ju ecurinë e reformave të qeverisë në zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian? Cila është sfida më imediate e qeverisë shqiptare në kuadër të axhendës së integrimit?
Dymbëdhjetë prioritetet kyçe nuk janë rekomandime të përgjithshme, por janë rezultat i disa analizave shumë të sakta, si për sa i përket dokumenteve të Komisionit, ashtu edhe gjatë punimeve për shkëmbimin e eksperiencës e për këshillim, të bëra nga vendet anëtare. Në shumë fusha Shqipëria ka miratuar ligjet e nevojshme ose planet sektoriale të veprimit, por problemi qëndron tek moszbatimi i mjaftueshëm i tyre. Natyrisht që zbatimi i dymbëdhjetë prioriteteve kyçe është para së gjithash përgjegjësi e qeverisë, por ky zbatim ka të bëjë edhe me Parlamentin. Ai nuk ka të bëjë vetëm me një parti, por me të gjitha partitë politike dhe me të gjithë qytetarët.
Fatmirësisht puna që pritej të bëhej, ka filluar më 15 nëntor. Nuk ka më kohë për të humbur, sepse siç e përmenda edhe më lart, priten rezultate konkrete, rezultate që duhet të shkojnë në një drejtim të caktuar: t’i tregohet Komisionit dhe vendeve anëtare se Shqipëria është e vendosur të ndërmarrë shpejt ndryshimet e nevojshme dhe se nuk do të ketë as ndalesa, as pushim dhe as kthim prapa.
ROBERT RAKIPLLARI
© Panorama.al











