“Vizioni i ri që do të forcojë traditën e Universitetit Luarasi”

Jul 25, 2011 | 10:46

Një nga universitetet private më të vjetër në Shqipëri. Disa breza juristësh që e kanë gjetur veten më së miri në tregun e punës. Sigurisht, në sajë të diplomës që kanë marrë. Universiteti Luarasi, veç traditës së suksesshme, këtë vit akademik sjell një vizion të ri. Detajet i tregon në intervistën e saj për gazetën  administratorja Dajena Kumbaro.

Vetëm pak ditë më parë, Universiteti Luarasi shpërndau diplomat për brezin e 5-të të studentëve, që do të thotë se ky Universitet është ndër më të vjetrit në arsimin privat në Shqipëri. Mund të na thoni sa i rëndësishëm është ky element për përzgjedhjen e një shkolle të larte nga të gjithë ata maturantë që ulen për herë të parë në auditore?
Shpërndarja e diplomave të brezit të pestë në Drejtësi do të thotë edhe 8 vite përvoje e suksesi të Shkollës së Drejtësisë Luarasi, 4 vjet akreditim institucional, 4 vjet njohje nga tregu i punës dhe 4 vjet njohje ndërkombëtarisht të Diplomës nga Universitetet më serioze në botë, si i ai i Gjenevës, Pavias, Grazit, Mainzit, Berlinit, Groningenit, Londrës, Bostonit, Utrechtit , ku studentë nga Luarasi janë pranuar në programe studimi “Master”, pa u kërkuar dhënien e provimeve shtesë. Pa dyshim që jetëgjatësia e një universiteti ngjall besim te çdo student dhe është faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimit se ku dhe si ai/ajo do të bëjë një nga investimet më themelore të jetës profesionale. Universiteti Luarasi ofron një strukturë të qëndrueshme, ku cilësia dhe ruajtja e disa vlerave themelore në një treg me
konkurrencë shumë të madhe, ka qenë tipar karakterizues. Nuk është e rastësishme që Luarasi gëzon një reputacion dhe nivel të lartë besueshmërie.
Si paraqitet raporti mes studentëve të cilët kanë marrë një diplomë në Universitetin Luarasi dhe përshtatja me tregun e punës. E bëj këtë pyetje, pasi sot të sigurosh një diplomë në Shqipëri nuk është fort e vështirë.

Statistikat tona tregojnë se ish-studentët e Luarasit janë punësuar në 75-80 për qind të rasteve që në vitin e parë pas diplomimit, në sektorin publik e privat. Shumë punojnë në studio prestigjioze avokatore, në administratë publike, në studio noterie, kompani tregtare e sektorin bankar etj. Këto fakte flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për shumë komente lidhur me vlerën
e diplomës “Luarasi”. Vlerat tona kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë të forta: cilësi e lartë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në mënyrë që në përfundim të studimeve të gjithë studentët të ndihen të plotësuar personalisht e profesionalisht dhe të ndiejnë se kontribuojnë në shoqëri. Mendoj se me kalimin e kohës, në fakt shumë shpejt, aktorët e tregut të punës do ta bëjnë vetë përzgjedhjen e diplomave me vlerë. Burimet njerëzore
të kualifikuara e cilësore janë pasuria më e çmuar e një vendi dhe motor i zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Drejtësia ka qenë ne gjithë këto vite dega e konsideruar si pika e fortë e Universitetit “Luarasi”, ndërkohë që vitin e ardhshëm akademik pritet që paralel, të sillen risi e ndryshime. Mund të na thoni, cilat do të jene ato? Me çfarë vizioni do të priten studentët e rinj?
Ne do të vijojmë me forcimin e programit të Drejtësisë në të gjitha pjesët e tij përbërëse. Në këtë vit akademik jemi në proces rishikimi e ripërtëritjeje të programeve ekzistuese, në mënyrë që ato të jenë sa më bashkëkohore e interesante për studentët. Kërkimi shkencor do të jetë i orientuar drejt zgjidhjes së problemeve me të cilat ndeshet Shqipëria në fushën ligjore, duke i inkurajuar kështu studentët që në çdo punim që kryejnë, të shtrojnë pyetje e të ngrenë probleme për zgjidhje, të jenë krijues e jo thjesht përshkrues të çështjeve juridike. Një vend thelbësor në kurrikulat tona akademike do ta zënë cështjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Do të ofrojmë edhe kurse kualifikuese, të cilat do të kenë një vlerë të caktuar kreditesh me qëllim që profesionistë të fushave të ndryshme të drejtësisë e administratës publike të përditësojnë njohuritë e tyre dhe, nëse e shohin të arsyeshme, të vijojnë më tej me module a lëndë për të cilat ata janë të interesuar. Që në muajin shtator të këtij viti do të punojmë për përgatitjen e disa programeve të reja “Master” në drejtësi, të cilat konceptohen si specializime në një fushë të së drejtës. E njëjta gjë do të bëhet për hartimin e një programi “Master” në administrim publik. Shumë shpejt do të hidhen rrënjët e një programi në ekonomi: “bankë” si filizi i parë për krijimin e një programi tërësor universitar në Ekonomi. Në 5-vjeçarin e ardhshëm, ne do të kemi të konsoliduara përveç programit të Drejtësisë,
edhe atë të Ekonomisë. Në të vërtetë, problematikat kryesore të ligjit dhe ekonomisë, kompanitë tregtare, shteti dhe tregu, si edhe natyra e ndërveprimit të tyre qëndrojnë në zemër të shumë politikave publike. Kështu, programet tona në Drejtësi, Ekonomi dhe Administrim Publik, do të paraqiten me një lidhje të natyrshme, do të përforcojnë njëra-tjetrën dhe do t’u krijojnë mundësinë studentëve që të zgjedhin module, të cilat përputhen
më mirë me interesat e talentet e secilit.

Si ndikon mjedisi i përgjithshëm në vend në vënien në zbatim të këtij vizioni?
Por ne jemi të ndërgjegjshëm që plani akademik “Luarasi” është produkt jo vetëm i vizionit dhe aspiratave tona, por edhe i ambientit ku veprojmë, ambient i cili përfshin tendencat e gjera ekonomike dhe shoqërore, kufizimet e presionet, mundësitë dhe burimet në dispozicion. Në këto kohë që kalojmë, kur ndryshimet ligjore, ekonomike e sociale në Shqipëri janë të vrullshme,
ndeshemi në shumë raste me një çoroditje sa i takon një ideje konceptuale, ose boshti rreth të cilit të rrotullohen programet e ndryshme universitare. Shumë herë, fokusi vihet të sasia e programeve që ofrohen dhe jo te cilësia e tyre. Ndaj, sfida jonë më e madhe ka qenë qartësimi i qëllimit që duam të
arrijmë dhe përvijimi i rrugës që do të ndiqet për ta arritur këtë qëllim. Proceset e akreditimeve zyrtare janë testime të domosdoshme ku ne matim vetveten, reflektojmë, bëjmë analiza dhe përmirësohemi. Synimi ynë final është krijimi i një shkolle universitare, model i ekselencës akademike në Shqipëri. Eshtë koha që kjo të realizohet. Shqipëria ka burime njerëzore të çmuara në të gjitha fushat e dijes.
Çdo universitet privat apo shtetëror ka politika te veçanta për të tërhequr maturantet e shkëlqyer, a do te ketë të tilla në Universitetin “Luarasi”? Cilat do të jenë?
Patjetër që po. Sfida është si të marrim dhe të mbajmë studentë të mirë e të talentuar. Studentët më të mirë rrisin reputacionin akademik të Universitetit. Këtë vit akademik, ne do të aplikojmë dhënien e bursave të plota të studimit për pesë studentë me mesatare 10 të Maturës Shtetërore dhe gjysmë burse
për 20 studentë me mesatare 9.5 e lart të Maturës Shtetërore. Aplikantët do t’i nënshtrohen një interviste ose shkrimi të një eseje, nëse do të jenë të shumtë në numër. Gradualisht do të aplikojmë një sistem përzgjedhje me kritere më të forta pranimi në vitet e ardhshme. Studentëve dua t’u përçoj mesazhin që diploma “Luarasi” do të merret me djersë. Në këtë pikë nuk ka
asnjë kompromis.

Kasta e pedagogëve ka qenë gjithashtu një nga pikat e forta të procesit te mësimdhënies, thuhet se do ftohen të huaj, a do ketë të rekrutuar të rinj?
Personeli i Universitetit është nga më cilësorët. Emrat e bashkëpunëtorëve
tanë janë ndër më të shquarit, profesor Aleks Luarasi, profesori i mirënjohur i të Drejtës Kushtetuese dhe të Drejtave të Njeriut, ish-gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut, Kristaq Traja, profesoresha e të Drejtës së Detyrimeve, Mariana
Semini, profesor Irakli Kocollori, doktor(e) e së Drejtës Civile dhe Private të krahasuar, Juliana Latifi, profesor Përparim Kabo, avokat Dashamir Kore, profesoresha Arta Mandro, PHD i Universitetit të Utrechtit, Gentian Zyberi e shumë kolegë të tjerë të nderuar. Por cilësia duhet mbajtur e çuar përpara. Këtu qëndron vështirësia më e madhe. Ndaj puna e personelit mësimdhënës e
kërkimor-shkencor do të matet çdo vit në bazë të treguesve specifikë
akademikë, veçanërisht kontributit në kërkim shkencor, që e lidh këtë të fundit me zgjidhjen e problemeve të shoqërisë sonë dhe zbatimit të metodave të reja të mësimdhënies, për të ngacmuar cdo neuron të trurit të studentëve tanë. Kështu, do të mund të nxitet te ta mendimi kritik e krijues. Profesorë të huaj gjithashtu do të ftohen që të japin leksione të veçanta për çështjet më të
reja që janë në zemër të debateve aktuale teorike e praktike. Ne kemi përfshirë dhe jemi në proces përfshirjeje të pedagogëve shqiptarë të talentuar, që kanë kryer doktoraturat në Universitete europiane dhe amerikane. Ata sjellin me vete një frymë të re, si edhe pasionin e dëshirën për të dhënë një kontribut për vendin e tyre.
Një tjetër hallke e rëndësishme e një institucioni të arsimit të lartë është edhe kërkimi shkencor. Gjatë bisedës ju thatë se për vitin e ardhshëm akademik, ai do të jetë prioritet por pa u shkëputur nga realiteti i Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo?
E përmenda edhe më lart. Kërkimi shkencor i lidhur me zgjidhjen e problemeve konkrete të shoqërisë është kusht i domosdoshëm
i ekselencës akademike. Kjo sepse qendrat kërkimore nuk mund të jenë si kulla fildishi. Edhe mësimdhënia zhvillohet e përparon nga ngritja e një kërkimi shkencor cilësor, që parashtron rrugëdalje e zgjidhje për problemet më të mprehta shoqërore. Rreth këtij kërkimi shkencor mund të përfshihen qendra kërkimore me misione e mandate në fushën e ligjit dhe ekonomisë.
Shpesh këto janë qendra multidisiplinare, të cilat ndihmojnë e zhvillojnë fakultetet dhe tërheqin studentë të talentuar.

Ju thatë se do t’i kushtohet vëmendje (internshipeve) ose lidhjes së  studenteve me tregun e punës sa më herët. Si do të realizohet kjo?
Internshipet quhen ndryshe edhe praktika, të cilat zhvillohen në universitete. Çqshtja është si organizohen ato dhe sa përfitojnë studentët prej tyre. Për studentët interesi për internship është i qartë. Ata prekin realitetin me dorë, shohin si funksionojnë gjërat në praktikë, vëzhgojnë se si një pjesë e dijeve që kanë marrë janë anësore dhe një pjesë tjetër thelbësore, pasi tregu i
punës në shumicën e rasteve kërkon specialistë në fusha të caktuara. Për studentët këto praktika apo internshipe, kur bëhen që herët, mund t’i krijojnë një ide shumë të qartë për drejtimin, që do të marrin më vonë. Ndaj, në këtë pikë, ne do të bëjmë një rishikim të programeve, pasi Ligji për Arsimin e Lartë e inkurajon punën e studentëve jashtë auditorit në një masë shumë të
madhe. Rreth gjysma e orëve, që përbëjnë një kredit, zhvillohet jashtë auditorit. Këtu ka shumë vend për krijim dhe zbatim të praktikave të larmishme.Me ofruesit e internshipeve gjithashtu jemi duke punuar, në mënyrë që ata të shohin se studentët mund të kontribuojnë në punën e tyre: studentët sjellin me vete shumë energji pozitive, dëshirë e pasion për të mësuar, zell, papërtueshmëri, dedikim e motivim sipëror. Ata mund të bëjnë punë nga më të rëndomtat, p.sh fotokopje e printime, lidhje dokumentesh e
përgatitje dosjesh, e deri te kërkime ligjore e hartim memosh apo opinione e analiza. Kështu, punëdhënës të ndryshëm nga sektori privat apo publik mund të identifikojnë të rinj me potenciale të mëdha për t’i punësuar nesër. Ne kemi disa marrëveshje me biznesin për internshipet: kështu internshipet do të mund të kryhen në banka, si p.sh Banka Credins, kompani sigurimesh si SICRED, kompani ndërtimi të Grupit FOCUS, kompani mediash si NEWS
24, SCAN TV, Gazeta Panorama dhe Gazeta Shqiptare, institucione shtetërore etj. Ne do të krijojmë edhe studion ligjore “Luarasi” si shërbim avokatie brenda universitetit, ku studentët mund të kryejnë drejtpërdrejt praktikat e punës avokatore.

Pse studentët duhet të zgjedhin Universitetin “Luarasi” për
të studiuar, çfarë garancish jep ky Universitet?
Garancia jonë është cilësia e diplomës, tashmë e certifikuar nga tregu i punës. Po më i rëndësishmi është vizioni dhe qartësia e rrugës sonë për ta realizuar këtë vizion. Në fund të fundit, çdo student “Luarasi”, kur të diplomohet ose edhe më parë, duhet të dijë t’i përgjigjet me siguri pyetjes: “Ku e sheh veten pas 10 vjetësh”? Kjo është një pyetje që e bëjnë të gjithë intervistuesit seriozë gjatë intervistave të punësimit.

Pa diskutim që të drejtosh një universitet privat nuk është e lehtë, aq më shumë që Shqipëria nuk ka tradite shumëvjeçare në këtë fushë, gjithmonë ka vend për permirësim. Cilat janë ato ndërhyrje që do ta çonin edhe më lart cilësinë e diplomave në Universitetin “Luarasi”?
Tradita “Luarasi” është e rëndësishme në arsimin shqiptar. Unë jam një ish-nxënëse e gjimnazit Petro Nini Luarasi, e më pas pedagoge e jashtme në Universitetin e ngritur nga profesor Aleks Luarasi dhe tani administratore këtu. Rrënjët e hedhura nga profesor Luarasi janë të shëndetshme e trungu është i fortë. Për mua, vështirësia qëndron në mbajtjen dhe ngritjen më lart të këtij emri. Për shumë ndërhyrje ju fola më lart, por mendoj se e rëndësishme është që kur ish-studentët “Luarasi” të kthejnë kokën pas,
t’i kujtojnë vitet e fakultetit me mall e vlerësim si një periudhë kohe të çmuar në jetën e tyre, ku aftësitë krijuese ishin maksimale, kur ëndrrat e tyre për plotësim të vetvetes kishin nisur të realizoheshin, ku jeta studentore ishte nga më të bukurat dhe kur të provonin dashurinë për të mësuar gjithë jetën.

© Panorama.al

Te lidhura