
Tafaj: Kredi studentore për shpenzimet e shkollës së lartë
Në universitetet publike të vendit këtë vit do të nisë të zbatohet skema e re e financimit.
Me gjithë kundërshtimin e drejtuesve të tyre, ministri i Arsimit theksoi dje se nuk do të ketë asnjë ndryshim në draftin që u është dërguar shkollave të larta. “Gjatë vitit 2012 do të përfundojnë përgatitjet për zbatimin e reformës së financimit të arsimit të lartë. Fillimisht kjo reformë do të zbatohet në të gjitha etapat e saj, në universitetet publike. Plani i veprimit të reformës financiare është miratuar. Një grup ndërinstitucional, me përfaqësim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nga Ministria e Financave, nga Konferenca e Rektorëve dhe nga ekspertë, do të koordinojë zbatimin e tij”, tha dje Tafaj, gjatë analizës vjetore për dikasterin e arsimit dhe prezantimit të prioriteteve për këtë vit. Sipas tij, do të ngrihet sistemi i kredisë studentore që do të mundësojë zbatimin e sistemit të ri të financimit në universitetet publike. “Gjithashtu, paralelisht po ndërtohet baza elektronike e të dhënave të arsimit të lartë, që përfshin Regjistrin Kombëtar të Studentëve, ku çdo student i regjistruar që nga viti akademik 2011-2012, në të tri ciklet e studimeve universitare do të ketë numrin e identifikimit”, tha Tafaj. Ai shtoi se është duke u zhvilluar një modul i menaxhimit elektronik financiar, i cili do të lehtësojë dhe do të bëjë më eficiente të gjitha procedurat e administrimit të buxhetit në të gjitha nivelet e sistemit, si dhe shkëmbimin e informacionit mes Ministrisë dhe universiteteve. “Gjatë këtij viti do të miratohet edhe paketa e plotë e akteve ligjore dhe nënligjore që do t’i shërbejë reformës së arsimit të lartë, në mënyrë të veçantë zbatimit të modelit të ri të financimit”, theksoi ministri.
Matura shtetërore dhe kurrikulat
Pas ndryshimeve të bëra tashmë publike, ministri i Arsimit bëri dje me dije edhe një projekt risi për zbatimin e Maturës Shtetërore.” Një projekt tjetër shumë i rëndësishëm i IT-së në arsim do të jetë ai i sistemit të menaxhimit elektronik të Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në universitete. Përmes këtij sistemi do të lehtësohen shumë procedurat e aplikimit të maturantëve për zhvillimin e provimeve të Maturës dhe për regjistrimin në fakultete dhe vazhdimin e arsimit të lartë”, tha Tafaj. Sa i përket arsimit parauniversitar, këtë vit pritet të pësojnë ndryshime edhe kurrikulat. “Është drejt përfundimit hartimi i platformës së reformës së përmbajtjes, pra të kurrikulës së arsimit bazë. Mësuesit dhe pedagogët më të mirë janë angazhuar në grupet e punës për hartimin e planit mësimor dhe të programeve. Kjo platformë do t’i nënshtrohet një diskutimi shumë të gjerë me mësuesit, prindërit, grupet e interesit dhe ekspertët në çdo rreth të vendit”, tha ministri
Braktisja e shkollës
MASH ka parashikuar projekte për uljen e mëtejshme të braktisjes së shkollës. Në këtë kuadër, përparësi do të ketë përkujdesja përmes masave të ndryshme, si tekstet dhe transporti falas. Vitin e shkuar, rreth 91.5% e nxënësve që përfunduan arsimin e detyruar, vijuan arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional. Në zonat urbane, ky tregues është rreth 96%, ndërsa në zonat rurale është ende 81%. U rrit me 12% regjistrimi i nxënësve në arsimin profesional në krahasim me vitin paraardhës.
Investimet
Gjatë vitit 2011 filloi ndërtimi dhe rindërtimi i 131 objekteve arsimore (kopshte, shkolla, shkolla profesionale dhe godina universitare). Dhjetë prej këtyre projekteve u përkasin universiteteve publike. Ato që nuk janë mbyllur, pritet të përfundojnë brenda tavanit buxhetor të këtij viti dhe do të ndërhyhet me rikonstruksion ose ndërtime të reja në shkolla dhe kopshte. Do të fillojë ndërtimi i dy shkollave të reja profesionale. Sipas ministrit Tafaj, universitetet publike kanë mundësi reale të fillojnë investime të reja infrastrukturore.
Provimi i Shtetit
Sot nis Provimi i Shtetit për profesionet e rregulluara. Ministri Tafaj e cilësoi këtë reformë mjaft të rëndësishme në rritjen e cilësisë. Sipas tij, shkollat e larta duhet të rishikojnë me vëmendje ofertën e tyre për shumë programe studimi, në këndvështrimin e përshtatjes së tyre me kërkesat e tregut të punës dhe me standardet e Bashkimit Europian. “Qëllimi parësor i çdo programi të studimit duhet të jetë aftësimi i të rinjve për t’u vetëpunësuar, përmes krijimit të sipërmarrjeve private, ose për t’u punësuar, pas studimeve universitare, në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm të punës”, tha Tafaj.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











