“Tivari” e “21 janari” shtyhen me 6 muaj

Jul 8, 2011 | 11:23

Kuvendi miratoi dje me 73 vota pro kërkesën e maxhorancës për të zgjatur “jetën” e dy komisioneve hetimore.Veprimtaria hetimore e komisionit për ngjarjet e 21 janarit dhe komisionit për Masakrën e Tivarit do të funksionojnë edhe për 6 muaj të tjerë. Ndonëse këto komisione pothuaj nuk funksionojnë dhe anëtarët e tyre duhet të kishin dorëzuar tashmë një raport hetimor me konkluzione, maxhoranca vendosi të shtyjë veprimtarinë e tyre. Në këtë mënyrë, këto komisione kanë afat deri në muajin dhjetor që të paraqesin një raport përfundimtar të punës së tyre. Komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit është cilësuar si “gjyq politik” nga opozita. Gjithsesi, dje deputetët e maxhorancës ishin vetëm 71 gjithsej në sallë, kur realisht nga maxhoranca, krahas kryeministrit Berisha, mungonin edhe deputetët Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi. Butonin për votën pro e shtypën deputetë të tjerë të PD-së.
Anëtarët e komisionit për 21 janarin kanë marrë në pyetje deri tani disa krerë institucionesh, madje siguruan edhe certifikatat e sigurisë për të bërë një seancë dëgjimore edhe me kreun e SHISH-it, Bahri Shaqiri, por që nuk arritën dot. Nga ana tjetër, deputetët kërkuan tabulatet telefonike për krerët e institucionit, por kjo kërkesë u refuzua nga kompanitë celulare. Një alternativë e maxhorancës është edhe tejkalimi i afateve duke mos dorëzuar asnjë raport apo konkluzion, por duket se kjo u rrëzua. Nga ana tjetër, komisioni hetimor për tragjedinë e Tivarit nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje për mbledhje faktesh. Në një vit ekzistencë, ky komision u mblodh vetëm 2 herë gjithsej. U hartua një plan pune për të parë arkivat deri në Serbi, që mund ta implikonin ish-diktatorin Ramiz Alia, por që nuk pati një angazhim konkret në lidhje me këtë hetim.

“21 janari”

Komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit u ngrit në muajin shkurt të këtij vit, pas protestës së dhunshme të opozitës përballë Kryeministrisë. Në këtë protestë humbën jetën 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra punonjës policie dhe të Gardës. Pas një axhende të ngjeshur, deputetët ndalën punën dhe veprimtarinë hetimore.

“Tivari”

Komisioni hetimor për tragjedinë e Tivarit u ngrit në muajin qershor të vitit 2010. U caktua një vit kohë për hetimin e kësaj tragjedie për të cilën maxhoranca akuzon ish-diktatorin Ramiz Alia se ka përgjegjësi direkte për vrasjen e mbi 4 mijë qytetarëve shqiptarë nga Kosova nga forcat serbe. Pavarësisht këtij afati, u kërkua sërish shtyrje.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura