Pero Pejiç mbetet pa dyshim një ndër lojtarët më të lakmuar në këtë prag merkatoje. Duket, se jo vetëm Skënderbeu kërkon të ketë shërbimin e sulmuesit shtatlartë për sezonin e ri, pasi janë edhe dy skuadra ukrahinase që janë vënë në gjueti.Burime të sigurta pranë kroatit bëjnë të ditur se Arsenali i Kievit dhe Dnjepropetrovsk, janë vënë në fokusin e shtatlartit të bardhebluve. Pejiç, duke qenë një ndër sulmuesit më të spikatur në Shqipëri, shto këtu edhe 13 golat e shënuar, nuk i kanë shpëtuar menaxherëve të huaj, por edhe atyre vendas. Mirëpo, duket se vetë Pero nuk e ka ndarë mendjen se çdo të bëjë me të ardhmen e tij, ai dëshiron të qëndrojë në Tiranë, në rast se nuk arrihet akordi me skuadrat e huaja. Mirëpo, edhe besnikëria ndaj bardhebluve e ka një kusht, është ana financiare. Në rast se drejtuesit e klubit do të jenë “dorëlëshuar”, që do të thotë do t’i ofrojnë një shifër të majmë për vitin tjetër, ai padyshim që do të qëndrojë. Por, nëse korçarët do të jenë më bujarë në këtë drejtim, atëherë ai nuk do ta mendojë dy herë faktin që të shkojë në Korçë. Vetë lojtari në një deklaratë të dhënë për mediat ka sqaruar diçka për të ardhmen e tij, teksa ka shprehur qartë dëshirën për të luajtur edhe për një sezon me Tiranën, por vetëm më kushtin që të mos ketë ngërç financiar. Ndonëse ka përmendur diçka edhe për Ukrahinën, nuk ka përmendur emra skuadrash, apo detaje, pasi më parë dëshiron të konsultohet me menaxherin e tij. “Nuk mund të mohoj faktin që jam në kontakte me Skënderbeun, pres të bisedoj me trajnerin Duro. Ai më ka thënë që unë jam i vetmi sulmues, që do të donte të kishte në ekip për sezonin e ri, mirëpo akoma nuk kam arritur asnjë akord. I thashë që të më presë pak, sepse jam në pritje të ofertave që më kanë ardhur nga jashtë, pastaj më duhet të bisedoj edhe me drejtuesit e Tiranës, pasi pa folur me presidentin Halili nuk mund të largohem, ndonëse kontrata më përfundon në fund të muajit. Dua të them, se nëse oferta ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut do të jetë e njëjtë nga ana financiare, unë do të zgjedh Tiranën. Bardheblutë kanë ekipin më të mirë në Shqipëri, kanë 24 tituj kampion, ndërsa korçarët vetëm dy. Mirëpo pavarësisht titujve, nëse Skënderbeu më ofron një shifër joshëse, atëherë nuk do ta mendoj dy herë për të shkuar atje. Ndërsa, për sa i përket ofertës në Ukrahinë, nuk mund të them detaje, pasi as vetë nuk jam i qartë. Menaxheri është duke folur në Ukrahinë, për të parë nëse ia vlen apo jo”, – tha kroati në lidhje me ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij.











