Për të gjithë ata është një ëndërr e realizuar tashmë, përderisa do të shkelin në një pasarelë plot drita, por fatin për t’u bërë modelë të vërtetë do ta kenë vetëm pak prej tyre, ndërsa do të përzgjidhen pas një skualifikimi të përjavshëm nga juria. Janë 60 vajza e djem që do të ndajnë emocionet e tyre me publikun, duke filluar nga sot në mbrëmje në ekranin e TV Klan, ku nis transmetimin nata e parë e spektaklit “Supermodel of Albania 2011 – Tirana Fashion Week”, organizuar nga “Joni Peçi Fashion Group”. Në drejtimin e Bledi Strakoshës, me partnere modelen e re 17-vjeçare Jona Spahiaj, nis kështu një maratonë prej tetë javësh spektakël në ekran, ku modelët do të sfilojnë me tendencat e fundit të modës dhe juria do t’i skualifikojë çdo javë deri në natën finale, ku do të zgjidhen “Super modelja” dhe “Super modeli” i vitit. 30 vajzat dhe 30 djemtë që garojnë në këtë mini “reality show”, për të arritur në këtë moment konkurrimi para publikut, kanë kaluar disa muaj prova e trajnime, duke u ndier tashmë të tjetërsuar. Nga djem e vajza të zakonshëm para se të provonin të shkelnin në një pasarelë, ata do të shfaqen në ekran si modelë të vërtetë, duke prezantuar jo vetëm veten, por duke sjellë me imazhet e tyre një tendencë, atë të modelëve të preferuar të këtij viti. Në show-n që zgjat 1 orë, çdo të shtunë në mbrëmje publiku do të ketë mundësi të njihet edhe me sekretet e tyre, duke i shoqëruar me klipe surprizë nga jeta reale, pengesat e që kanë hasur në familje apo shoqëri për t’i hyrë një aventure si kjo apo momente të përgatitjeve nga backstage-et. Do të jetë ky një program televiziv plot ankth, të papritura, të skualifikuar dhe fitues, ndërsa do të jenë të ftuar emrat më të njohur aktualë të fushës së modës, këngëtarë të famshëm shqiptarë dhe të huaj, që do të performojnë në pasarelë. Mes personazheve të njohur të modës, fotografisë dhe showbizz-t, përmendim fotografin e njohur Fadil Berisha, modelen shqiptaro-amerikane Emina Çunmulaj, presidentin e “Miss Univers”, si dhe dy femra shumë interesante që janë stilistja e divave të muzikës botërore, si dhe grimierja që trukon këngëtaret më të famshme në botë, që nga Lady Gaga e Rihana, emrat e të cilave do të bëhen publikë në netët e spektaklit. “Figura të mëdha të botës së modës nga Nju Jorku, Los Anxhelos, Tokio apo Milano etj, do të jenë këtu për të sjellë sharmin dhe energjinë e tyre, si dhe modelin e tyre të suksesit”, tha producenti i spektaklit, Joni Peçi. “Kemi modelë pjesëmarrës të ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe të rinj shqiptarë të ardhur nga shumë vende të botës, që kërkojnë ta bëjnë ëndrrën e tyre realitet. Ky projekt ka nisur në janar, por gjatë kësaj periudhe janë bërë prova, turne në të gjithë Shqipërinë dhe janë realizuar klipe që do të transmetohen gjatë spektaklit. Në fund të kësaj maratone do të zgjidhen dy fitues “Super Modeli” dhe “Super modelja”. Përzgjedhja do të bëhet nga juria e spektaklit, në panelin e së cilës do të jenë kësaj here personazhe të spikatura në fusha të ndryshme, si: aktorë, avokatë, juristë, gazetarë, këngëtarë apo emra të spektaklit. Juria do të përbëhet nga disa anëtarë të përhershëm çdo javë, si dhe nga disa anëtarë të rinj që do t’i bashkohen jurisë në netët e tjera. Sipas producentëve, “spektakli do të sjellë shumë surpriza që do të zbulohen nga dy prezantuesit, Bledi Strakosha dhe Jona Spahija. Spektakli që organizohet me mbështjetjen e televizionit “Klan”, bashkëproducentes Alba Frangaj dhe nën regjinë e Bojken Lakos është parë nga të rinjtë si shans shumë i mirë për të gjithë ata që ëndërrojnë pasarelat dhe kanë ambicie të hyjnë në fushën e modës. Në fund të kësaj maratone do të ndahen tri çmime, për modelin dhe modelen. Dy modelët që do të fitojnë çmimet e dyta përfitojnë nga një bursë shkolle, ndërsa çmimet e para, për modelen dhe modelin më të mirë të vitit, janë parashikuar nga 3 mijë euro dhe udhëtime në pasarelat e Milanos. Ndërkohë që nuk do të jenë vetëm këta fituesit, pasi minimalisht dhjetë modelët më të spikatur të përzgjedhur nga ky spektakël do të aktivizohen në agjencinë e re të modës, që Fadil Berisha dhe Joni Peçi po hapin në Nju Jork. “Jam i sigurt që më të mirët e këtij spektakli do të nisin një jetë të re dhe karrierë të shkëlqyer në Amerikë edhe për faktin se atje ka treg për modelët shqiptarë, pasi imazhet shqiptarë janë shumë të kërkuara si bukuri në Amerikë”, tha Joni.











