“Sulm terrorist” pranë ndërtesave qeveritare në Turqi

Sep 21, 2011 | 11:02
Shpërthimi i djeshëm në Ankara

Një shpërthim nga një bombë në makinë ka tronditur dje rrugët e kryeqytetit turk, Ankarasë, shumë pranë ndërtesës qeveritare. Tre  persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën. Shpërthimi goditi lagjen “Kizilay”, më pak se një kilometër larg zyrës së kryeministrit turk, zyrave qendrore të shefit të përgjithshëm të stafit dhe disa ministrive. Sipas ministrit të Brendshëm të vendit, Naim Sahin, një makinë e parkuar ka shpërthyer, duke nxitur shpërthime të tjera zinxhir në një rrugë të populluar. Makinat që shpërthyen më pas, si shumë makina në Turqi, funksiononin me gaz të lëngshëm. Presidenti turk, Abdullah Gul, i cili ndodhej për vizitë në Gjermani, e dënoi sulmin duke e cilësuar atë terrorist. “Ata që nuk kanë asnjë lloj humanizmi, kanë kryer një sulm terrorist kundër civilëve në Ankara. Ne kemi viktima. Unë u dërgoj familjeve të tyre ngushëllimet e mia dhe me forcë e dënoj këtë terror”, tha Gul. Një re e madhe tymi u ngrit në zemrën e qytetit pas shpërthimit. Sipas “Reuters”, një radhë e tërë me makina të parkuara ishte shkatërruar. Dëmtime kishin pësuar edhe dyqanet afër rrugës, e cila ndodhej jo shumë larg një shkolle fillore. “Rruga Kumrular është shumë e populluar për qarkullimin e njerëzve dhe makinave. Duket se shpërthimi ka pasur si shënjestër njerëzit”, tha Sahin, i cili shtoi se 5 nga 15 të plagosurit janë në gjendje kritike. Separatistët kurdë, militantë të majtë dhe ata islamikë kanë kryer sulme me bombë në kryeqytetin turk në të kaluarën. Kryeministri Rexhep Tayip Erdogan ndodhej në SHBA në kohën e shpërthimit, duke zhvilluar bisedime me Presidentin Barak Obama.

© Panorama.al

Te lidhura