“Stresi”, pse u hoq urdhër arresti ndaj këngëtarit

Sep 6, 2011 | 11:28
Arkimed Lushaj (Stresi), duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda

Gjykata e Lartë zbardh vendimin që i riktheu lirinë Arkimed Lushës, reperit të njohur me emrin “Stresi”.Lusha kishte gati dy muaj me statusin “në kërkim”, për shkak të hetimeve në lidhje me dyshimet e një “gjobëvënieje” ndaj regjisorit Leondard Bombaj, por në 13 korrik, Gjykata e Lartë shfuqizoi urdhër-arrestin ndaj tij. Bëhet fjalë për verdiktin e Kolegjit Penal të kryesuar nga gjyqtari Gani Dizdari, që prishi vendimin e 26 majit 2011 të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Apeli caktoi “arrest me burg” ndaj “Stresit” dhe, në bazë të këtij vendimi, policisë u përcoll një urdhër-arresti për “Stresin”. Sipas gjykimit të Gjykatës së Lartë, vendimi i Apelit për Krime të Rënda, që ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për personin nën hetim, Arkimed Lushaj, është rrjedhojë e shkeljeve të rënda procedurale. Në arsyetimin e vendimi thuhet se Arkimed Lushës i janë mohuar të drejtat, kur ai nuk është vënë në dijeni për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të caktuar fillimisht ndaj tij nga Shkalla e Parë për Krimet e Rënda. Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli i Krimeve të Rënda duhet të vendoste mospranimin e ankimit të prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë, që kishte caktuar “detyrim për paraqitje” ndaj Stresit. Gazeta ka siguruar vendimin e plotë të Kolegjit Penal, ku paraqiten arsyet e rrëzimit të Apelit të Krimeve të Rënda. Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Lartë, i dyshuari Lusha është përfaqësuar nga mbrojtësja e tij, avokatja Jalldyz Kastrati.
ARSYETIMI
Mosvënia në dijeni e të dyshuarit Arkimed Lusha me vendimin e masës së sigurisë ndaj tij, është vlerësuar nga Gjykata e Lartë si shkelje, që çon në pavlefshmëri vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda. “Rezulton nga aktet e gjykimit që personi nën hetim, Arkimed Lushaj, nuk ka qenë në dijeni jo vetëm të vendimit të ankimuar, që caktonte masën e sigurimit ndaj tij, por edhe të apelimit të prokurorit, ndaj këtij vendimi. Kjo rrethanë ka cenuar procesin ligjor të marrjes së masës së sigurisë, deri në pavlefshmëri të gjykimit në Apel. Gjykata e Apelit, në rrethanat e çështjes, duhej të vendoste mospranimin e ankimit të prokurorit, sepse, në kuptimin procedural, ky ankim nuk i është njoftuar të pandehurit”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Lartë. Me tej, në vendim arsyetohej se “Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda është rrjedhojë jo vetëm e mospërmbushjes së detyrimeve, që burojnë nga ligji procedural, por edhe i parimeve të materializuara në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe asaj të të Drejtave të Njeriut”. Kolegji Penal vërente në arsyetim, edhe mosargumentimin e Apelit për faktin se nuk kanë njoftuar të dyshuarin Lusha për masën e sigurisë ndaj tij. “Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nuk ka argumentuar asnjëherë në lidhje me mosrespektimin e kërkesave procedurale se përse vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, për caktimin e masës së sigurimit, nuk i është komunikuar personit nën hetim”, thuhej në vendim.
HISTORIA
Emri i Arkimed Lushës u shënua në regjistrat e Prokurorisë për Krimet e Rënda në 16 mars 2011, si i dyshuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Leonard Bombaj. Ajo që kishte ndodhur më parë ishte një histori e komplikuar, që niste me dy kallëzime të ndërsjella. Regjisori Bombaj kishte kallëzuar për “kanosje” babain e një prej ish-nxënëseve të tij, të një qendre artistike, që e drejtonte vetë. Kallëzimi i dytë ishte nga e mitura, e përjashtuar nga qendra prej Bombajt, e cila pretendonte se ishte dhunuar seksualisht prej tij. Sipas hetimeve, Lushaj, mik i vajzës së mitur, përfshihet në “histori” prej disa takimeve që kishte pasur me Bombajn. Ky i fundit, ka pretenduar në Prokurori se ishte shantazhuar dhe kërcënuar nga Lusha dhe disa persona të tjerë.

ARRESTIMI I GABUAR

Një javë më parë, Policia e Pogradecit e ndaloi Arkimed Lushën në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ku këngëtari po kalonte, pasi do të jepte koncert në vendin fqinj. Policia tha se këngëtari figuronte person në kërkim, ndërkohë që urdhri i Gjykatës së Lartë ende nuk ishte hedhur në sistemin TIMS.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura