“Shqipëria”, një utopi e ngritur në art

Nov 21, 2011 | 9:33

Romani i tretë i Ben Blushit, rrugëtimi i guximshëm mes temash të njohura e “të ndaluara”

Përgjithësisht romanet e ndërtuara në mënyrë rrëfimtare, pa dialog të mirëfilltë, ecin ngadalë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një lëndë të ngjeshur filozofike. Megjithatë, përkundër eksperiencës së mëparshme, “Shqipëria” e Ben Blushit ecte shpejt, ndonëse reflektimet e autorit ishin edhe më të thella, edhe më të mprehta. Periudhën e diktaturës nuk e kam jetuar aq gjatë dhe aq rëndë sa shumë të tjerë, por mjaftueshëm për të kuptuar se ç’ishte, mjaftueshëm për të ndier ethet e ndryshimit të sistemeve… Kështu që e kisha boll të qartë se si do të shkonin punët në librin e Blushit. Në këtë drejtim nuk kisha asnjë ngut. “Shqipëria” e Ben Blushit është një utopi e ngjashme me atë që shqiptarët kaluan për 45 vjet. Ani pse Shqipërinë diktatoriale nuk e ndërtoi Lek Dukagjini si në librin e Blushit (nga 100 vajza e djem të vegjël, të cilëve “iu fshi” kujtesa dhe lidhja me familjen), kjo jona nuk ishte një gjë e dalë nga hiçi, apo një pemë e mbjellë në një tokë të vetmuar, thelbi është ai. Një vend ku një njeri përpiqet të zëvendësojë Zotin, ku nuk lejohet prona private, ku gjithçka është e kontrolluar, ku barazia false thellon pabarazinë dhe varfërinë, ku izolimi dhe mungesa e komunikimit nuk i bën dot njerëzit të verbër e të shurdhër, por edhe më të etur për të shkelur kufijtë e rregullat. Një utopi e tillë i ka vitet e numëruara, ashtu siç i ka të numëruara vitet e jetës ai që e ndërton atë. Nuk mund të ketë një vend pa Zot, pa fe, pa pronë, pa para, pa liri… Ndërsa në ferr-parajsën e Blushit njerëzit mezi prisnin të vdiste Lek Dukagjini, në Shqipëri pritej me gëzim çdo luhatje në shëndetin e diktatorit. Ndryshimet e viteve ’90 do të vinin edhe në romanin e Blushit. Gjithashtu do të lindte një PD-Pushtimi i dashurisë, që në të vërtetë s’ishte veçse pjellë e ish-diktatorit.
Ajo që të nxiste edhe më shumë kureshtjen, ishte të mësoje se deri ku do të shkonte imagjinata krijuese e autorit, se deri ku do të arrinte kërkimi i tij metaforik që të na e paraqiste të njohurën si nuk e kishim parë. Për të gjithë ata që diktaturën e kanë me të dëgjuar, “Shqipëria”, ndonëse larg qoftë ta quajmë një libër historik, mund t’ju mësojë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për atë pjesën “më të vuajtur” referencat janë më të qarta, jo vetëm nga emrat. Në historinë e Blushit dhe atë realen, ka një Lek Dukagjini, ka një Mehmet, ka edhe një Enver, por ata nuk përkojnë tërësisht me njëri-tjetrin. Trilli artistik ta ngatërron rrugën. Nga të tria këto figura, duket se personazhi Mehmet është ai që i ngjet më tepër ish-kryeministrit luftarak, i vrazhdë, me tre djem (nuk dimë nëse vuante nga ndonjë sëmundje lëkure) dhe i dënuar për tradhti, për lidhjen me botën jashtë, ashtu si dikur Mehmet Shehu u dënua si poliagjent i amerikanëve. Ndërsa dy figurat e tjera janë si dy degë që dalin nga i njëjti trung. Herë tek njëri e herë tek tjetri ne shohim ish-diktatorin, marrëzinë për ta izoluar Shqipërinë e për ta bërë një “shkëmb graniti buzë Adriatikut”. Madje nuk mungojnë as bunkerët-kurrizbreshka që do shërbenin në rastet e sulmeve imagjinare nga armiqtë e jashtëm. Në rastin e Lek Dukagjinit historik, përkimi me atë fiksional qëndron vetëm te cilësia e ligjshkruesit (hartuesi i kanunit). Përtej guximit për të rindërtuar artistikisht një vend utopik, përtej guximit për të diskutuar mbi punët e Zotit, duke rrezikuar që ta quajnë edhe blasfemues, ajo që të tërheq në librin e Blushit është kërkimi i fjalës, një proces që duket se autorit i vjen natyrshëm. Si të ishte një ornament floreal oriental, çdo figurë gjeneron një figurë, një proces i pandalshëm, që gati-gati të huton. Ky tipar vihet re edhe në veprat paraardhëse të Blushit, çka ai e thellon, e përsos dhe e kthen në një stil që tanimë është i pangatërrueshëm.

Në ndjekje të breshkës
Enveri i thirri dhe u tha:… Ne nuk kemi më nevojë për shtëpi. Tani duhet të mbrohemi, Shqipëria do të mbushet me fortesa nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim. Fortesa do të ketë dhe brenda në qytet, në oborret e shtëpive, në shesh, në shkollë, në mensë dhe kudo ku ka një vend bosh. Fortesat do të jenë lulet tona. Ato do t’i mbjellim njëlloj sikundër mbillen bimët, drithërat, frutat, gruri, misri dhe patatet. Do të fillojmë nga puna që sot. Çdo burrë do të punojë bashkë me ju për të ndërtuar sistemin e mbrojtjes së qytetit. Fortesat duhet të jenë aq të vogla, sa të mos dallohen nga deti dhe nga qielli, dhe aq të mëdha sa të strehojnë disa njerëz brenda. Ato duhet t’i ngjajnë lëvozhgës së breshkës. Do të jenë të rrumbullakëta, të lëmuara dhe të hirta dhe, ngaqë do të jenë shumë të përhapura, do të duken të lëvizshme. Armikut do t’i duket sikur e njëjta breshkë lëviz gjithandej duke vrapuar nëpër ishull. Kush ndjek një tufë me breshka, asnjëherë nuk e dallon dot breshkën që i duhet, atë që fsheh brenda barkut vezët e racës së vet. Kështu do të bëjmë edhe ne. Do të jetojmë në breshka guri duke ngrohur të ardhmen tonë dhe duke rritur fëmijët… Shqipëria do të ketë dy herë më shumë fortesa se shtëpi. Në të ardhmen çdo njeri do të ketë fortesën e vet…
Alma Mile

© Panorama.al

Te lidhura