Ministria e Brendshme konfirmoi dje se shpërblimet financiare të këtij viti, të dhëna deri tani për punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë anuluar dhe nuk do të kthehen në buxhetin e shtetit.Sipas Ministrisë, fondi i shpërblimeve, që kap shifrën 205 milionë lekë, është marrë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe jo nga fondi i veçantë, për këtë arsye këto para nuk do të kthehen në buxhetin e shtetit. Me këtë arsyetim hidhen poshtë pretendimet e ngritura në padinë që Sindikata e Policisë depozitoi në Gjykatë pak ditë më parë, kundër VKM nr.472, datë 2 korrik 2011, “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”. “Shpërblimet financiare të shpërndara gjatë këtij viti për punonjësit e Policisë së Shtetit, janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, konkretisht në shumën 205 milionë lekë. Këto shpërblime nuk janë dhënë nga fondi i veçantë, për rrjedhojë nuk janë objekt i këtij vendimi dhe nuk kthehen në buxhetin e shtetit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Sipas burimeve zyrtare, VKM “cenon” vetëm orët suplementare të prapambetura, që janë të parashikuara në fondin e pagave dhe që kërkohet të kompensohen me ditë pushimi. Por edhe pagesa e orëve suplementare nuk është hedhur poshtë përfundimisht, pasi në vendim thuhet se, në pamundësi të kompensimit me pushim, duhet të vijojë mënyra e kompensimit financiar, edhe pse për pagesën nuk është përcaktuar asnjë afat.
SQARIMI I MINISTRISE
Me anë të një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme sqaron se pretendimet e sindikatës së punonjësve të policisë nuk janë të sakta dhe jashtë kontekstit sindikalist. Objekt i padisë, që Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit depozitoi të premten në Gjykatë kundër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme, ishte anulimi i vendimit që kërkon kthimin e shpërblimeve të dhëna për punonjësit e administratës. Shkak i padisë u bë një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 2 korrik, i cili, sipas Sindikatës, u cenon interesat dhe të drejtat punonjësve të Policisë së Shtetit. Por, në fakt, në sqarimin e djeshëm, Ministria e Brendshme e hedh poshtë pretendimin e sindikatës, duke konfirmuar se shpërblimet nuk do të anulohen. Në VKM kërkohet që të ketë kompensim vetëm për orët suplementare që nuk janë paguar ende deri më sot. “Pagesa e orëve suplementare e kryer për strukturat e Policisë së Shtetit nuk është objekt i kthimit në buxhet sipas VKM nr.472, datë 02.07.2011, sepse përfshihet në fondin e pagave. Në këtë vendim është parashikuar vetëm që orët suplementare të punës, të cilat nuk janë kompensuar me pagë deri më tani, të kompensohen me pushim dhe, në pamundësi të kësaj, të vijojë mënyra e kompensimit financiar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
Sindikata e policisë bëri padi kundër vendimit të Qeverisë
TIRANE – Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për disiplinimin e përdorimit të fondeve buxhetore”, i miratuar më 2 korrik të këtij viti, minimizon shpenzimet e administratës, madje kërkon edhe kthimin e menjëhershëm në buxhetin e shtetit të parave që janë akorduar si shpërblime. Pjesa e VKM që prek edhe Policinë e Shtetit, janë pika “c” dhe “ç” e këtij vendimi. Në pikën “c” thuhet se “Çdo shpërblim i dhënë nga fondi i veçantë gjatë kësaj periudhe për rezultate të mira në punë, me përjashtim të rasteve kur ligji specifik parashikon ndryshe, të kthehet menjëherë në buxhetin e njësisë shpenzuese. Ndërsa në pikën “ç” të VKM thuhet se, “Orët e punës, të kryera mbi kohën normale të punës, për punonjësit e administratës, të konvertohen vetëm në orë/ditë pushimi, ndërsa për punonjësit, që marrin pjesë në shërbime operacionale dhe kur nuk është i mundur konvertimi i tyre, në orë/ditë pushimi, të konvertohen me pagesë, në përputhje me aktet në fuqi”. Por sipas Ministrisë së Brendshme, janë këto dy pika të Vendimit të Këshillit të Ministrave që janë keqinterpretuar nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe që janë përmendur edhe në padi. Në pikën “c” është cilësuar që do të anulohen ato shpërblime, që janë dhënë nga fondi i veçantë, ndërsa, sipas Ministrisë, ndryshimi qëndron në faktin se shpërblimet e këtij viti për punonjësit e policisë janë dhënë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Në pikën “ç” është parashikuar që, në rast se nuk arrihet konvertimi i orëve suplementare me ditë pushimi, atëherë ato do të paguhen.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











