
Historianët shqiptarë dhe maqedonas janë përballur mbi përmbajtjen e teksteve shkollore në Maqedoni, për sa i përket historisë së popullit shqiptar dhe prejardhjes sonë. Në terma fyes, historianët maqedonas kanë shkruar në tekstin e Historisë së klasës së gjashtë, se shqiptarët nuk e kanë prejardhjen nga Ilirët, ndërsa këta të fundit kanë qenë një popull kusar. Komisioni Nacional për Librat Shkollorë në Shkup e bllokoi nxjerrjen e këtij teksti pas thellimit të debatit mes historianëve. Në kapitullin e Historisë së klasës së gjashtë, që i përket periudhës p.e.s, shkruhet se ilirët ishin popull kusarësh dhe nuk njihen si paraardhës të shqiptarëve. Përcaktimi ka marrë menjëherë reagimin e anëtarëve shqiptarë të Komisionit Nacional, duke bllokuar punimet për hartimin e librit, i cili duhej të ishte gati për këtë vit shkollor. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, INA, anëtarët maqedonas të Komisionit Nacional nuk kanë pranuar që ilirët të njihen si paraardhës të shqiptarëve dhe kanë këmbëngulur për përcaktimin e mëparshëm, si popull kusar. Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Shkup, Pançe Kralev dhe zëvendësministri, Safet Neziri, u bënë pjesë e këtij diskutimi,por ata më shumë përcollën mesazhe për qetësimin e toneve të diskutimit të kësaj çështjeje, duke thënë se do të gjenin një zgjidhje të pranueshme, të bazuar në fakte historike. Zoran Radiç, kryetari i Komisionit Nacional për Librat Shkollor, anëtar i komunitetit serb, njihet si kundërshtar i historisë shqiptare. Anëtarët shqiptarë të KN kanë kërkuar dorëheqjen e tij për shkak të mosnjohjes së fakteve elementare dhe veprimeve tendencioze.











