
Artistët e Elbasanit sfidojnë ngjarjen e rëndë që shkaktoi shkrumbimin e teatrit “Skampa”.Premiera e shfaqjes pikërisht me emrin “Sfida”, pritet të vihet në skenën me qiell të hapur në muajin shtator. Ndonëse nuk është caktuar data, po punohet me intensitet për të rindërtuar disa nga pjesët me rëndësi të teatrit të djegur në fillim të gushtit, siç është një pjesë e skenës. Ndërsa publiku do të jetë i detyruar ta ndjekë shfaqjen në këmbë deri në rehabilitimin e plotë të teatrit shekullor të Elbasanit. Me gjithë fatkeqësinë kulturore të ndodhur në Elbasan, artistët nuk janë gjunjëzuar. Me mbylljen e sezonit turistik pritet të hapet ai artistik. Specialistë dhe inxhinierë kanë nisur punimet për rikonstruksionin e teatrit “Skampa”, çka ka bërë që stafi i këtij teatrit të mendojë për të vënë në skenën sureale të këtij teatri premierën artistike të titulluar “Sfidë”, me variete muzikore dhe humori të artistëve elbasanas. “Është titulluar ‘Sfidë’ për vetë faktin se artistët e Elbasanit dinë të sfidojnë fatkeqësinë që u ndodhi pak kohë më parë”, thotë udhëheqësi artistik i premierës, Edmond Rrapi. Sipas tij, fillimi artistik nuk do të pengohet nga mungesa e godinës teatrore dhe se shfaqja nënkupton sfidën që përpiqen t’i bëjnë artistët e këtij institucioni. Madje edhe Mitingu Teatror Ndërkombëtar, që mbahet për çdo vit në muajin tetor, nuk do të pengohet nga mungesa e skenës dhe sallës së shikuesve, por do të organizohet në shesh. Disa prej pjesëve teatrore të zhanrit alternativ do të shfaqen në godinën e teatrit “Skampa”, edhe pse në qiell të hapur dhe pa komoditet për shikuesit. Stafi i teatrit dhe Bashkia, aktualisht ndodhen në fazën e kalimit të emergjencës së dikurshme, atë të djegies së teatrit. Ekipet e teknikëve dhe specialistëve janë duke marrë kampione të suvasë, për të përcaktuar llojin me të cilin do të bëhet rikonstruksioni, në mënyrë që të mos humbasë tingulli akustik. Sakaq, janë siguruar edhe fondet që do të duhen për rikthimin e këtij teatri në gjendjen funksionale si më parë. Një burim fondesh është nga kompania e sigurimit, ndërsa pjesa tjetër do të ofrohet nga Bashkia e Elbasanit, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit. Drejtori i teatrit, Bashkim Paheshti, thotë se do të bëhet gjithçka që shikuesi elbasanas dhe dashamirësit e artit të mos ndiejnë zbrazëtinë artistike në jetën e tyre. Sipas tij, të gjitha shfaqjet e parashikuara për këtë vit do të shfaqen, ashtu si edhe Festivali i Teatrove. Madje, drejtori shprehet se shfaqjet e tipit alternativ mund të zhvillohen edhe në këto ambiente sureale. Teatri “Skampa” u dogj thuajse plotësisht nga një zjarr prej 5 orësh që ra nga një pakujdesi gjatë kryerjes së punimeve mbi tarracën e hotelit ngjitur me godinën.
4 persona
janë në ndjekje penale për djegien e teatrit “Skampa”, dy prej të cilëve punëtorët që po punonin me bombol gazi mbi tarracën e hotelit ngjitur, si dhe pronari me nipin e tij.
Shkrumbimi i teatrit “Skampa”
Godina e teatrit “Skampa” u shkatërrua në fillim të muajit gusht të këtij viti, si pasojë e një zjarri rënë aksidentalisht në godinë. Djegia shkaktoi një dëm prej 1.5 milionë eurosh, sipas kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Flakët pushtuan sallën e teatrit, si edhe tavanin e tij, ndërsa e vetmja gjë që ka shpëtuar nga djegia e teatrit është akustika e tij. Kjo e fundit ka mbetur e njëjtë, ashtu si dikur. Në historinë 60-vjeçare të teatrit “Skampa” numërohen rreth 300 premiera të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nga ky teatër kanë dalë aktorë të shquar të lauruar me tituj të lartë, si “Artist i Popullit”, “Artist i merituar”, “Aleksandër Moisiu” etj. Aktorët e parë profesionistë u morën nga grupet teatrore amatore. Pas shumë pjesëve me një akt, trupa vuri në skemë dramën “Shtatë shaljanët” dhe komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy” të dramaturgut rumun Viktor Eftimiu.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











