
Janë që të tre në mbyllje të karrierës së tyre me ekipin përfaqësues, ndaj duan medoemos të lënë shenjën e tyre me kuqezinjtë.Dhe, më mirë sesa ndaj Francës nuk do të kishte, ndaj kapiteni Altin Lala, fantazisti Ervin Skela dhe sulmuesi Erjon Bogdani premtojnë se, ndaj “gjelave” të Loran Blank, do zhvillojnë një tjetër ndeshje për kopertinë, sikundër ajo e 26 marsit të këtij viti ndaj Bjellorusisë. Këtë gjë “senatorët kuqezinj” e kanë deklaruar gjatë një takimi me fëmijë të grupmoshave të ndryshme, gjatë një vizite që bënë në një nga kopshtet e kryeqytetit, të ndërtuar së fundmi me kontributin e golashënuesit më të mirë në historinë e Kombëtares shqiptare, Alban Bushit. Lojtarët e Kombëtares janë pritur me brohoritje për fitore nga fëmijët e këtij kopshti, ku natyrisht nuk kanë munguar edhe pyetje nga më të ndryshmet, kryesisht për ndeshjen me Francën.
Lala – Kapiteni kuqezi ka theksuar rëndësinë e këtij takimi jo vetëm për të, por më së shumti për publikun shqiptar, i cili kërkon sot më shumë se kurrë një ndeshje të denjë ndaj një kundërshtari me shumë histori në futbollin botëror (Kampion i Botës, Kampion i Europës). “Le të urojmë që skuadra jonë të mund të zhvillojë një lojë cilësore e me kualitet, ku të kënaq publikun, pikë së pari. Mendoj se tifozët e Kombëtares shqiptare e meritojnë një ndeshje model dhe, për sa më takon, them se ekipi është në top-formë dhe cilido që do të zbresë në fushën e lojës, nuk do të kursehet, por do të japë maksimumin”, ka pohuar Lala. Kapiteni, në të kaptuar të 35 viteve, ka konfirmuar se në fund të këtyre kualifikimeve, pra pas dy muajsh (ndeshja e fundit ndaj Rumanisë), do t’i japë lamtumirën Kombëtares. Ai mbetet momentalisht lojtari me më shumë ndeshje, 75 të tilla, duke lënë pas Klodian Duron me 74 dhe Foto Strakoshën me 73 ndeshje.
Skela – Në një linjë me kapitenin Lala ka qenë edhe Ervin Skela. Fantazisti, i rikthyer në skuadër, edhe pse nuk ka ende një ekip ku do aktivizohet për sezonin në vazhdim, ka pohuar se kuqezinjve u mjafton dëshira e madhe e këtyre fëmijëve për të luajtur të premten një ndeshje për kopertinë ndaj Francës. “Shpresojmë që këtyre fëmijëve, po jo vetëm, edhe gjithë Shqipërisë t’i japim një ndeshje të bukur, natyrisht me një rezultat pozitiv. E dimë mirë që luajmë ndaj një kundërshtari tejet të fortë dhe me histori, por pikërisht kjo gjë duhet të na motivojë edhe më shumë për të zbritur në fushën e lojës jo si inferiorë, por si të barabartë dhe për të kërkuar nga minuta e parë një rezultat pozitiv”, ka pohuar Skela. Edhe vlonjati me gjasa do luajë ndeshjet e tij të fundit me Kombëtaren, kjo pasi, pas këtyre kualifikimeve, zor se ai do të grumbullohet më në skuadër, nisur kjo jo vetëm nga mosha, por edhe nga fakti se nuk ka një ekip ku luan.
Bogdani – Kur iu kërkua që të bënte dy gola ndaj Francës, Bogdani me buzëqeshje ka pohuar: “Do isha i kënaqur që të shënoja edhe një gol, e jo më dy, sikundër doni ju, por e di që nuk do të jetë e lehtë, pasi luajmë përballë një ekipi shumë të fortë. Gjithsesi, shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të bëjmë një figurë sa më të mirë për tifozët tanë. Sigurisht, fitorja do ishte kulmi, por rezultat pozitiv do ishte edhe një barazim”, ka pohuar Bogdani.
Nga mbrojtja në mesfushë, Curri gati të bëj “Lalën”
Debatik Curri pritet të luajë kundër Francës në repartin e mesfushës, ndryshe nga ndeshjet e kaluara, kur është rreshtuar në qendër të mbrojtjes. Në konferencën e djeshme për shtyp, ai u tregua i gatshëm për të luajtur në rolin e kapitenit Altin Lala. “Çështja e pozicionit tim në fushë nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Me Kombëtaren kam bërë të dyja rolet, kështu që nuk më bën përshtypje se ku do të luaj. Nuk është e thënë që u aktivizova si mesfushor në miqësore e fundit dhe detyrimisht trajneri e ka ndarë mendjen. Të them sinqerisht, ende nuk e di se ku do të luaj. Sigurisht, nëse do jem në mesfushë, ndoshta mund të zëvendësoj Lalën. Është përgjegjësi, por kur je në fushë mendon të tjera gjëra. Unë për momentin nuk e mendoj se do të jem i ngarkuar psikologjikisht, pasi zëvendësoj kapitenin. Nuk di çfarë të them, pasi kur nis ndeshja është diçka krejt tjetër. Më duhet të mendoj se si mund të mbuloj kundërshtarin”, është shprehur fillimisht Curri, i ngacmuar edhe nga fakti që do të ulë në stol kapitenin. Më pas, lojtari jep përshtypjen e tij për Francën dhe si mund të ndalet kjo skuadër. “Mendoj se Franca nuk ka ndonjë pikë të dobët, të cilën ne mund ta dallojmë. Nëse ata krijojnë presion që në start, do të tërhiqemi prapa. Në të kundërt, do ta marrim lojën shtruar. Mendoj se diferencën te Franca mund ta bëjë Riberi, Nasri apo edhe Maluda, nga krahu i majtë. Këtyre lojtarëve duhet t’i druhemi më shumë”, ka shtuar kosovari.
Bakaj kërkon Bundesligën: S’më lë Dinamo
Elis Bakajn e josh aktivizimi në Bundesligë, por gjithsesi për momentin ai ka pak shanse që të kalojë në kampionatin gjerman. “Sirenat” e ditëve të fundit nga Nurembergu i konfirmoi edhe vetë lojtari gjatë konferencës së djeshme për shtyp. “Jam në dijeni të interesimit të Nurembergut, por tashmë është fundi i merkatos dhe ka pak shanse që të bëhet diçka. Unë kam një kontratë me Dinamon e Bukureshtit dhe është klubi që vendos. Qejfi do ma kishte në Bundesligë, por të shohim”, ka thënë Bakaj. Më pas ai foli për ndeshjen me Francën. “Ne mund t’i ndalim francezët, vetëm nëse luajmë në grup dhe japim më shumë se 100 për qind”, tha ai.
Agolli: Duhet të luajmë si me bjellorusët
Ansi Agolli mendon se Kombëtarja mund të paraqitet ndaj Francës në nivelin e ndeshjes që zhvilloi kundër Bjellorusisë. “Franca ndalet nëse ne luajmë të bashkuar dhe bëjmë ato lojëra që kemi zhvilluar gjithnjë në fushën tonë. Shembulli më i mirë është kundër Bjellorusisë. Edhe tashmë jemi i njëjti grup, nuk ka arsye përse mos ta përsërisim atë takim. Franca ndryshon, pasi është një kundërshtar edhe më i fortë, por mendoj se vetëm nëpërmjet lojës në grup ne mund të bëjmë diçka të mirë. Francezët kanë lojtarë shumë të mirë, të cilët mund të na godasin në çdo moment të lojës. Ne duhet të jemi të përqendruar”, tha dje Agolli.
Alban Bushi
Të premten, në stadiumin “Qemal Stafa”, Alban Bushi do t’i japë lamtumirën Kombëtares shqiptare. Dje, ish-shokët e tij në përfaqësuese i kanë dhuruar Bushit edhe një trofe si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares. Trofeu iu dorëzua nga Klodian Duro, ku natyrisht nuk kishin si të mungonin edhe batutat.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











