“Sekretet” në varësi të Berishës

Jan 5, 2012 | 12:18

Kryeministri Berisha

INSTAT e Prokurimi Publik do varen nga kreu i qeverisë.

Kryeministri Sali Berisha merr në varësi të tij INSTAT-in, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Komisionin e Prokurimit Publik. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e para për vitin 2012, janë miratuar tri vendime, ku DSKI-ja dhe Komisioni i Prokurimit Publik ndryshojnë varësinë nga Këshilli i Ministrave në atë të Kryeministrit, ndërsa INSTAT nuk e kishte të përcaktuar më parë në ligjin e tij se nga kush varej. Konkretisht, në ligjin “Për informacionin e klasifikuar ‘sekret shtetëror’”, është ndryshuar paragrafi i parë i nenit 25, në të cilin më parë thuhej se: “Për të organizuar, drejtuar e kontrolluar masat për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar krijohet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) pranë Këshillit të Ministrave”. Pas ndryshimeve të miratuara dje, ky institucion ka kaluar “si institucion në varësi të Kryeministrit”. Një tjetër vendim i miratuar ishte ai për Institutin e Statistikave (INSTAT). Në nenin 9 të ligjit të vitit 2004 “Për statistikat zyrtare” përcaktohet se INSTAT është person juridik publik. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave thuhet: “Në fund të pikës 1 të nenit 9, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, ‘Për statistikat zyrtare’, pas fjalëve ‘… person juridik publik …’ shtohen ‘…, në varësi të Kryeministrit’”. Ky vendim i qeverisë pritet të nxisë reagimin e opozitës, e cila disa herë radhazi ka kritikuar shifrat e publikuara nga INSTAT për rritjen ekonomike në vend. Sipas opozitës, ky institucion është vënë tërësisht në varësi të qeverisë dhe shifrat e nxjerra prej saj janë të manipuluara. Vendimi i tretë i këtij lloji i Këshillit të Ministrave ka të bëjë me Komisionin e Prokurimit Publik. Në nenin 19/1 të ligjit 2006 “Për prokurimin publik” thuhet se “Komisioni i Prokurimit Publik është person juridik publik në varësi të Këshillit të Ministrave, që financohet nga buxheti i shtetit”. Pas ndryshimit të këtij neni, ky komision do të jetë në varësi të Kryeministrit.

DISK
Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) emërohet nga Kryeministri. DISK mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, si dhe të anës teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre. Gjithashtu DISK i propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e informacionit të klasifikuar.

Flet ish-kreu i shërbimit sekret
Klosi: Vendimi, për të shmangur diskutimet në qeveri

Fatos Klosi

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, shprehet se vendimi djeshëm i qeverisë për ta kaluar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) nga varësia e Këshillit të Ministrave në varësinë e Kryeministrit është bërë vetëm për të shmangur diskutimet në qeveri. I kontaktuar nga gazeta “Panorama” për të komentuar aktin e miratuar dje në qeveri, ai u shpreh se vendimi, gjithsesi, nuk parashikon ndonjë ndryshim të madh. “Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në këtë rast. Normalisht, vartësia më e mirë do të ishte nga Kryeministri sepse ai merret me gjërat konkrete. Këshilli i Ministrave në përgjithësi nxjerr vendime, kurse aty problemet janë konkrete. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. Kot nuk është bërë, kjo është e vërtetë”, u shpreh ish-kreu i SHISH-it. Sipas tij, “në rastin konkret, në Këshillin e Ministrave kurrkush nuk guxon të thotë ndonjë fjalë kundër. Ai e ka marrë më direkt, që gjërat të mos bëhen me debat në Këshillin e Ministrave, por t’i analizojë vetë dhe t’i vendosë vetë. Më shumë për të mos qenë i detyruar të japë shpjegime në Këshillin e Ministrave pse e bëri këtë apo pse e bëri atë. Nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe në këtë rast, thjesht lehtëson punën e tij”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura