
SHKODER – Edhe dje në sallën e gjyqit, 24-vjeçari Eder Haxhia nuk ka pranuar ta ketë vrarë bashkëshorten 18-vjeçare. Ai është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Krimi ndodhi të enjten e shkuar në dhomën e konviktit të Shkollës së mesme Industriale në Shkodër, kur Alberta Haxhia u qëllua me një plumb të vetëm në zemër. “Është e vërtetë që arma ishte imja, por nuk ndodhesha në banesë. Kur kam shkuar, gjeta të plagosur nusen. E dërgova në spital, por më thanë që kishte vdekur”, u shpreh Haxhia, duke mohuar autorësinë e krimit. Pyetjes në ishte penduar për ngjarjen, ai është shprehur se nuk ka pse, pasi nuk është ai autor i krimit. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ta lënë në burg pa afat, ndërsa do të vazhdojnë hetimet nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje. r.d











