“Rregulli i artë” buxhetor

Sep 10, 2011 | 11:38

ADRIAN CIVICI

Problemi i niveleve të larta të borxhit publik dhe deficiteve shqetësuese buxhetore përbëjnë sot “nyjën gordiane” të krizës ekonomiko-financiare globale. Në tentativë për të stopuar thellimin e krizës apo amortizuar efektet shkatërruese të saj, qeveritë e një pjese të madhe të vendeve  të botës, bankat qendrore, institucionet menaxhuese apo rregullatore ndërkombëtare, e gjetën zgjidhjen te përdorimi masiv dhe pothuajse pa limit i financave publike dhe ndërhyrja shtetërore. Çmimi më i lartë që u pagua për frenimin dhe minimizimin e efekteve të krizës ishte pikërisht “shpërthimi i deficiteve buxhetore dhe borxheve publike”, duke e kthyer këtë “problem” në “kutinë e Pandorës” të të gjitha tronditjeve që po kalojnë aktualisht ekonomia dhe financave botërore, SHBA, Europa dhe veçanërisht zona euro, dollari, euroja etj. Vende si Greqia, Irlanda, Spanja, Portugalia, Italia etj., po përballen me kriza të forta apo pikëpyetje të mëdha për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e financave dhe buxheteve të tyre. SHBA janë në syrin e ciklonit përsa i përket borxhit të saj kolosal prej mbi 14 mijë miliardë USD, ose 100% të PBB. Po në këto shifra janë edhe 34 vendet më të zhvilluara të botës, të grupuara nën siglën e OCDE-së. Bankat qendrore më të rëndësishme të botës, si Fed në SHBA, Banka Qendrore Europiane, Banka e Anglisë, Banka e Japonisë etj., për herë të parë në historinë e tyre po ndjehen të ezauruara në politikat monetare klasike të bazuara në “veprimet” me normat bazë të interesit duke u detyruar të bëjnë “politika monetare jokonvencionale” dhe blerë në treg “produkte financiare e monetare të infektuara apo me risk të lartë”.
Duket se përtej pyetjes se “përse u arrit deri këtu?”, qëndron pikëpyetja se “a ka ndonjë metodë apo politikë që në të ardhmen të frenohet përsëritja e këtij fenomeni?”. BE shpresonte shumë te forca e “Kritereve të Maastricht-it” dhe Paktit Europian të Stabilitetit, por faktet treguan se vendet anëtare e shkelën “me vullnet të plotë” ose “në mungesë të zgjidhjeve të tjera politike” atë. Vetëm gjatë 3-4 viteve të fundit, vendet e BE-së e rritën me 20% peshën e shpenzimeve publike në raport me PBB, duke e çuar atë në 50.5%, ndërkohë që Irlanda, e njohur si “kampione e liberalizmit”, e çoi në 67% këtë shifër! Pa pasur instrumente shtrënguese, detyruese apo penalizuese, BE u dorëzua përballë “faktit të kryer” duke nxjerrë si zgjidhje perspektive “krijimin e Europës unike financiare e ekonomike”, eliminimin gradual të shumë kompetencave nacionale në fushën e buxhetit dhe financave publike në emër të centralizimit europian të vendimmarrjes në këtë fushë.
Pikërisht në këtë kohë debatesh e diskutimesh, Spanja, vendi i prekur më rëndë nga kriza mbas Greqisë, sugjeron një propozim dhe shembull mjaft interesant. Në tentativë për një kthim progresiv në një situatë normale të financave të saj publike, apo ekuilibër i qëndrueshëm buxhetor, qeveria spanjolle propozon miratimin nga Parlamenti të një “ligji të veçantë kushtetues” të cilësuar si “rregulli i artë buxhetor”. Mbas më shumë se një muaji diskutimesh e debatesh të shumta, të premten, në datën 2 shtator, Parlamenti spanjoll e miratoi atë me një konsensus pothuajse absolut me 316 vota pro dhe vetëm 5 kundër. Me anën e këtij ligji synohet të “fiksohen disa rregulla që nuk lejojnë çekuilibrin e financave publike dhe synojnë kthimin në normalitet të ekuilibrit buxhetor”. Ky ligj është konceptuar që të jetë pjesë e Kushtetutës spanjolle dhe aplikimi i tij të sigurohet nëpërmjet një “ligji organik” të detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo qeveri. Objektivi i tij final është garantimi i ekuilibrit buxhetor duke përcaktuar disa “tavane apo dysheme” financiare që nuk mund të kalohen. Buxhetet e propozuara nga qeveritë dhe të votuara në Parlament nuk do të varen më ekskluzivisht nga “shumica e votave në Parlament”, por nga respektimi i kërkesave të këtij “rregulli të artë”. Çdo buxhet që miratohet jashtë këtij rregulli sanksionohet me anulim nga Këshilli Kushtetues. Miratimi i këtij ligji mjaft të veçantë u bë falë një konsensusi historik ndërmjet forcave kryesore politike spanjolle, të cilat, në emër të “së ardhmes së Spanjës”, por dhe rolit e vendit të saj në Europë, vendosën ta eliminojnë nga lufta politike buxhetin dhe stabilitetin financiar të vendit duke rënë dakord që në një periudhë afatmesme e afatgjatë, treguesit e financave publike të vendit duhet të jenë sa më të stabilizuar e në ekuilibër të plotë. Forca e votës së tyre për këtë çështje i kaloi ligjit kushtetues. Në vargun e masave “antikrizë” dhe frikës për stabilitetin e euros, eurozonës, rënien në recesion apo rritjen e dobët ekonomike, “rregulli i artë” buxhetor po konsiderohet si një nga formulat më të mira qetësuese e garantuese për të ardhmen, jo vetëm për Spanjën e vendet e tjera të eurozonës, por edhe shumë më gjerë. Më konkretisht, është Italia ajo që njoftoi më 6 shtator se do të adoptonte menjëherë “rregullin e artë” në Kushtetutën e saj për të garantuar ekuilibrin buxhetor dhe siguruar besimin e tregjeve.
Ideja dhe praktikat e mira të “rregullit të artë buxhetor” kanë lindur e janë zhvilluar fillimisht si një “eksperiencë” apo gjetje gjermane. Ky koncept daton në këtë vend që në vitin 1949, por zbatimi i tij shpesh është shmangur për t’u krijuar mundësi qeverive të ndryshme që të tejkalojnë masën e pranuar të borxhit në funksion të koniunkturave ekonomike e financiare të vendit. “Rregulli i artë” është rishikuar përsëri në vitin 2009, duke sanksionuar në Kushtetutën gjermane një rregull që duke filluar nga viti 2016 e limiton apo kufizon deficitin federal deri në masën 0.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që për rajonet ky kufizim hyn në fuqi në vitin 2020. Por, në thelbin e tij, ky rregull gjerman nënkupton kontrollin e rreptë të “deficitit strukturor” dhe jo çdo lëvizje apo situatë koniunkturore afatshkurtër të financave publike, duke u lënë kështu një mundësi manovrimi qeverive në varësi të rrethanave. Por, mbas propozimit spanjoll, reagimi europian ishte pozitiv. Presidenti i BE, Herman Van Rompuy, deklaroi se “futja e rregullit të artë në kushtetutë mund të ndihmojë shumë në reduktimin e deficiteve publike”, por qeveritë dhe parlamentet duhet ta zbatojnë me rigorozitet këtë dispozitë ligjore. Franca dhe Gjermania propozuan, gjithashtu, që “në kushtet e kësaj krize të ashpër financiare, një rregull i tillë antideficit duhet të bëhet pjesë e kushtetutave të 17 vendeve të zonës euro. Megjithatë, thelbi i kësaj çështjeje qëndron te “mundësia për konsensus të gjerë politik” në lidhje me “rregullin e artë” dhe miratimin e këtij ligji të zhveshur nga lufta politike e ditës apo llogaritë populiste të partive politike.
A mund të mendohet dhe në Shqipëri miratimi e zbatimi i një ligji të tillë? A do të kishte vlerë për të na garantuar akoma më shumë në raport me devijimet e mundshme të ekuilibrave të përgjithshëm të financave tona publike? Në shumë nga treguesit makroekonomikë apo ekuilibrat e tyre si “niveli i borxhit publik në raport me PBB”, “deficiti buxhetor” etj., ne nuk jemi në nivele alarmante dhe aq më pak nën presionin e rënies në krizë të financave publike, siç ishte rasti i Spanjës, Portugalisë, Irlandës, Greqisë, Italisë etj. Eksperienca 20-vjeçare e periudhës së tranzicionit ka dëshmuar se me përjashtim të vitit 1997, Shqipëria asnjëherë nuk ka rrezikuar seriozisht në treguesit e stabilitetit makroekonomik të saj. Qoftë si pasojë e programeve të axhustimit strukturor dhe rolit mbikëqyrës e certifikues të FMN-së gjatë gjithë periudhës 1992-2008, qoftë si kujdes i qeverive të ndryshme apo vëmendjes politike e publike ndaj stabilitetit makroekonomik, duket se Shqipëria nuk është ndodhur ndonjëherë në “situata ekstreme” të financave të saj publike.
Megjithatë, devijimet e herëpashershme të shifrave të deficitit buxhetor dhe korrigjimet e shpeshta në mes të vitit si “buxhete të korrigjuara”, arritja e borxhit publik në nivelin 58-60% në raport me PBB, shqetësimet për deficitin e lartë të bilancit të pagesave, disproporcionet për kohën dhe përdorimin në disa raste voluntarist të shpenzimeve publike, shpesh nën ndikimin e kalendarëve elektoralë; apo reagimi dhe debatet e ashpra politike në Parlament sa herë që diskutohet buxheti dhe miratimi i tij etj., të bëjnë të mendosh se miratimi i një “rregulli të artë” edhe në Shqipëri do të ishte mjaft i frytshëm. Duke arritur një konsensus afatgjatë politik mbi “ecurinë dhe qëndrueshmërinë e financave tona publike” dhe duke e konkretizuar këtë me një ligj me natyrë kushtetuese, do të krijohej një atmosferë më e qetë dhe pozitive në zhvillimin ekonomik, do të ulej ndjeshëm tensioni politik kur diskutohet e miratohet buxheti, do të lehtësohej qeverisja duke pasur një “pengesë” ligjore e frenim ndaj devijimeve me natyrë koniunkturore e populisto-elektorale, do të ishte një sinjal shumë pozitiv për investimet e huaja direkte, për uljen e primeve të rrezikut dhe lehtësimin e kostos së borxhit të jashtëm e të brendshëm etj.
Shembulli apo eksperienca pozitive me një lloj minirregulli të artë që Shqipëria zbatoi kur ishte fjala për arritjen e nivelit prej 2% të shpenzimeve për mbrojtjen dhe ushtrinë në mënyrë që të zbatonim një nga kërkesat themelore për t’u anëtarësuar në NATO, tregon se duke ecur në këtë rrugë, rezultatet pozitive janë të padiskutueshme. Megjithatë, pikëpyetja e madhe qëndron te mundësitë për sigurimin i një konsensusi e bashkëpunimi real politik në interes të stabilitetit të financave publike, integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm e afatgjatë. A është klasa politike shqiptare e gatshme për një veprim të tillë? Koha po e kërkon me urgjencë këtë lloj bashkëpunimi, përgjegjësie politike e konsensusi për çështje madhore të kësaj natyre.

© Panorama.al

Te lidhura