“Rigorozë sipas standardeve amerikane, por jo të shtrenjtë”

Sep 14, 2011 | 11:33
zv/rektori i Universitetit të Nju Jorkut, Dr. Kosta Giakumis

Pas 10 vjetësh përvoje, UNYT-i, universiteti më i vjetër në Shqipëri, gëzon reputacionin e padiskutueshëm të një institucioni serioz e rigoroz, me pedagogë të huaj, por edhe shqiptarë të diplomuar në universitetet perëndimore. Ajo që na befason është se, pavarësisht se funksionon me standarde amerikane, Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë nuk ka tarifat që presupozohen.Diploma Bachelor e UNYT-it kushton 3.300 euro/vit, ndërsa masterat janë pak a shumë në të njëjtin nivel, pra në nivele të barabarta me universitetet e tjera private në Shqipëri, por natyrisht me cilësi superiore.
Dr. Giakumis, ose thjesht Kosta, siç dëgjojmë ta thërrasin studentët dhe kolegët, është zv/rektori i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë. Megjithëse i huaj, ai na shpjegon me një shqipe të përsosur arsyet përse një student duhet të zgjedhë UNYT-in:
Pse një student duhet të zgjedhë UNYT?
Dr. Giakumis: UNYT-i zbaton standardet amerikane të Universitetit të Nju Jorkut. Një student yni i nënshtrohet të njëjtit sistem dhe filozofie studimi, si çdo student amerikan. Në ditët e sotme, konkurrenca në tregun e punës është rritur ndjeshëm dhe natyrisht, me kalimin e viteve do të bëhet edhe më e vështirë për të gjetur një punë të mirë. Prandaj UNYT-i me standardet dhe stafin e tij u paraprin kërkesave të tregut të punës. Këtu nuk bëhen thjesht studime sa për të larë gojën e për të marrë një diplomë, por përgatiten specialistë të aftë dhe konkurrues. Ne kemi stafin e nevojshëm vendës dhe të huaj, lidhjet e nevojshme me universitetet amerikane, por edhe europiane, infrastrukturën e duhur, një nivel të lartë kërkese, por edhe përkushtimin maksimal ndaj studentit. Përparësi e madhe e UNYT-it është fakti se kurset zhvillohen në anglisht, që është edhe një kusht i domosdoshëm profesional në ditët e sotme për ata që duan të bëjnë një karrierë të vërtetë. Në shumicën e rasteve, studentët që regjistrohen kanë nivel shumë të mirë të anglishtes, por kur ky nivel nuk është i mjaftueshëm, shkolla i ndihmon të arrijnë nivelin e duhur gjatë semestrit të parë.
Gjithashtu, të gjitha kurset në UNYT zhvillohen mbi bazën e teksteve amerikane me plotësime nga tekste kryesisht angleze.
Për suksesin profesional në jetë, studentët gëzojnë shërbimet e zyrës së karrierës me panairet e punës dhe aktivitete të tjera që ajo organizon, ndërkaq edhe rrjeti i të diplomuarve bën të vetën për të krijuar lidhje dhe për të dhënë mundësi të reja punësimi. Si rezultat, UNYT-i ka një rekord thuajse të pabesueshëm punësimi (mbi 93% të të diplomuarve janë të punësuar në kompanitë më të mëdha në Shqipëri dhe jashtë saj) dhe shumë prej tyre janë angazhuar me studime pasuniversitare brenda dhe jashtë shtetit. Disa të tjerë punojnë si pedagogë në universitetet shqiptare.
A do të thotë kjo se studentët këtu duhet të lodhen seriozisht?
Dr. Giakoumis: Një student, që punon sistematikisht dhe me përkushtim, i ka të garantuara rezultatet e suksesshme. Natyrisht, neglizhenca dhe indiferenca nuk shpërblehen, por në UNYT studentët janë përgjithësisht punëtorë.
Por në UNYT edhe jeta sociale është shumë e këndshme. Studentët kanë kampionatin vjetor të Rafting-ut me kanoe në lumin Osum, kampionatin e futbollit, organizojnë kampingje me çadra në plazhet e Jugut, paintball etj. Një grup prej tyre organizoi në korrik një udhëtim të mrekullueshëm 1-javor në këmbë në Alpet e Veriut.
Thuhet se UNYT është universiteti më cilësor në Shqipëri, por edhe më i shtrenjti. A është e vërtetë kjo?
Dr. Giakoumis: Po jua lë në dorë juve ta bëni krahasimin. Diploma Bachelor në UNYT kushton 3.300 euro/vit, ndërsa diplomat master janë pak a shumë në të njëjtin nivel. Pra, e kuptoni qartë se nuk është e vërtetë së UNYT-i është më shtrenjtë se të tjerët. Ajo që na dallon nuk janë tarifat, por cilësia dhe rigoroziteti. Një student yni nuk do të harxhojë më tepër para se në një universitet tjetër privat, por do të punojë më shumë dhe natyrisht do të jetë më i përgatitur për tregun e punës, sesa cilido student tjetër në universitetet shqiptare.
Sistemi, struktura dhe përmbajtja e studimeve njëkohësisht përbëjnë avantazhe dalluese. Tek UNYT-i mund të fillosh studime dhe t’i përfundosh në universitete amerikane ose europiane dhe anasjelltas (p.sh. një studente shumë e talentuar filloi studimet te UNYT dhe tani i vazhdon ne MIT, një nga shkollat më të mira në botë), ndërsa ata që i përfundojnë në UNYT, fitojnë një diplomë e cila për shkak të kohëzgjatjes (3-4 vjet) dhe numrit të krediteve të tyre, njihet në Shqipëri si Master Profesional. Besoj fort se, edhe pse UNYT-i është universiteti më i vjetër privat në Shqipëri, sjell në hapësirën universitare shqiptare risi dhe avantazhe të pakrahasueshme.

Flet Dr. Agim Kukeli, dekani i Fakultetit Ekonomik në UNYT:
Kukeli: Testi i një universiteti është punësimi i studentëve të tij

Dr. Agim Kukeli

Dr. Agim Kukeli është dekan i Ekonomikut në UNYT. Sipas tij, cilësia e vërtetë e një universiteti shikohet tek punësimi i studentëve të diplomuar në të. “Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë është ngushtësisht i lidhur me tregun e punës. Kjo pasqyrohet qartë në programet e studimeve që ofrohen, të cilat janë përzgjedhur si më të rëndësishmet për të tashmen dhe të ardhmen e tregut shqiptar dhe atij ndërkombëtar, janë ndërtuar mbi bazën e përvojave më të mira ndërkombëtare dhe një studimi rigoroz të tregut vendës dhe prirjeve ndërkombëtare. Programe të tilla studimi, si: Financa, Shkenca Kompjuterike, Administrim Biznesi, Drejtësi Ndërkombëtare, Jurisprudencë etj. vlerësohen nga sondazhe cilësore ndërkombëtare si më të përshtatshmet për vendet me ekonomi në zhvillim dhe në vendet e zhvilluara. Ekonomia shqiptare në njëzet vitet e fundit ka pësuar transformime rrënjësore dhe është duke u afruar dita-ditës modeleve të ekonomisë sociale të tregut të vendeve me traditë në këtë lloj ekonomie. Programet e studimit janë tërësisht të përshtatura me këtë prirje, tërësisht të përshtatura me tregun vendës dhe atë ndërkombëtar të punës. Studentët tanë punojnë jo vetëm me literaturë dhe profesorë të cilët njohin në detaje ekonominë e tregut, por falë lidhjes që UNYT-i ka me SUNY-n (Universiteti Shtetëror i Nju Jorkut në SHBA: Empire State College) të Amerikës, IUKB-në (Institutin Universitar Kurt Bocsh) të Zvicrës, dhe Universitetin e Greenwhich-it të Britanisë, edhe rastet studimore janë nga eksperienca të ndryshme ndërkombëtare deri tek ato të famshmet dhe më të preferuarat për shkollat ndërkombëtare të ekonomisë; – rastet studimore të Universitetit të Harvardit. Janë pikërisht njohuritë shkencore të përditësuara nga përvoja ndërkombëtare që i bën studentët e Nju Jorkut të jenë më të preferuarit në tregun vendës dhe atë të huaj, e bën UNYT-in që të ketë normën më të lartë të të punësuarve. 93% e të diplomuarve të UNYT-it gjejnë punë menjëherë pas diplomimit, madje edhe gjatë studimeve në kompani, institucione shtetërore, ose biznese serioze e të fuqishme. 7% e tyre vazhdojnë studimet Master në Universitete të dëgjuara ndërkombëtare. Kjo përvojë tashmë dhjetëvjeçare bën që UNYT-i të njihet si universitet realisht i fortë për nga kërkesa e llogarisë, por me një normë të lartë kthimi të investimit që studentët dhe familjet e tyre bëjnë për katër vite studimi: punësim i garantuar.”
Dr. Kukeli komenton edhe renditjen që iu bë kohëve të fundit nga një kompani gjermane, si dhe vendin kryesues që Universiteti i Nju Jorkut zuri në të. “Disa universitete vrapuan të shpallin se janë në krye të listës së renditjes. UNYT-i natyrisht mund të kishte bërë të njëjtën gjë, sepse renditja e tregon realisht diçka të tillë. Por kemi preferuar të shmangim zhurmën e kotë, sepse në fund të fundit çdokush në Shqipëri e di shumë mirë se cili është universiteti më cilësor dhe më rigoroz në vend. Renditja konfirmoi pozicionin tonë, por natyrisht njerëzit e njohin UNYT-in edhe pa renditjen. Mund të themi që orientimi ndërkombëtar, lidhja me tregun e punës, cilësia akademike dhe trajtimi i studentëve janë disa nga pikat më të forta, që na dallojnë dukshëm dhe qartë nga të tjerët. Qarqet akademike nuk kanë shprehur as edhe më të voglën mëdyshje apo surprizë nga vendi që UNYT-i zinte në renditjen e të gjitha kritereve të vlerësuara. Por, më shumë sesa perceptimi i publikut të gjerë universitar, që në mjaft raste i nënshtrohet edhe “xhelozisë” së fqinjit, janë ish-studentët e UNYT-it që me profesionalizmin dhe kontributin që japin në vendet përkatëse të punës, me etikën dhe përkushtimin në punë, të jenë garancia më e mirë për ata dhjetëra të rinj, që janë regjistruar këtë vit për të studiuar në UNYT.”
Në ditët e sotme është bërë e lehtë të marrësh një diplomë. Dr. Kukeli shpjegon se diplomat e lehta janë një mashtrim i përkohshëm. “Mund të punësohesh me një diplomë të marrë pa meritë në një universitet të dobët, por nuk mund ta mbash vendin e punës kundër konkurrentëve dhe as të bësh një karrierë serioze. UNYT-i është vendi i duhur për studentë seriozë dhe ambiciozë. Jo për ata që synojnë të gjejnë ndonjë vend pune me mik në administratë, por për ata që synojnë të studiojnë seriozisht për të bërë një karrierë të suksesshme. Kjo është rruga që zgjedhin më të mirët.”

Te dhena
3.300 euro
është tarifa e diplomës Bachelor dhe Master në UNYT.

4 vjet
është cikli i studimeve.

10 vjet
është përvoja e UNYT-it në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura