
Malaj: Nuk duhet të presim që Berisha të rrëzohet vetë, por ta mundim me alternativë.
“Sot është momenti që publikisht dhe pa hezitim t’ju kërkojmë ndjesë që me ngërçet tona politike po jua bëjmë më të vështirë të tashmen dhe të ardhmen”. Kështu e ka nisur fjalën e tij Arben Malaj në Kongresin e së shtunës të Partisë Socialiste. Deputeti i PS-së ishte i vetmi me një fjalim kritik ndaj lidershipit të kësaj partie, teksa tha se “partitë tona nuk duhet të konsiderohen parti të kryetarëve, por parti të anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Partitë shqiptare nuk duhet të jenë parti të mentaliteteve dhe listave të mbyllura, por parti të mendjeve të hapura dhe përkushtimeve të pakushtëzuara”. Sipas tij, PS-ja nuk duhet të zëvendësojë meritokracinë me klientelizmin dhe përkushtimin me servilizmin.
Sot shqiptarët ndjekin nga afër kongresin tonë, ata janë të interesuar të dëgjojnë alternativën tonë, të gjykojnë vizionin tonë, ndjehen të lodhur, të zhgënjyer dhe nuk mund ta mbajnë më mbi supe peshën e rëndë të kësaj keqqeverisje.
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste.
Faleminderit për inspirimin tuaj, për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj për të punuar së bashku që e ardhmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e çdo shqiptari, të jetë plot shpresë, plot dritë, plot optimizëm, plot dashuri dhe solidaritet njerëzor.
Partia Socialiste ka misionin historik të realizojë sa më parë rotacionin politik, vendi duhet të fitojë kohën e humbur për të bërë reformat e mëdha që të përmirësojnë cilësisht qeverisjen për t’u garantuar shqiptarëve liritë e pakufizuara për një jetë më të mirë. Liria është në themel të çdo arritjeje historike. Garantimi, zgjerimi dhe përmirësimi i lirive tona janë çelësi i suksesit.
Liria e fjalës, liria e votës, liria e pronës, liria nga korrupsioni, nga klientelizmi, nga mediokriteti, liria nga kapja e shtetit, nga kapja e partive politike, janë kolonat kryesore të demokracisë që dëshirojnë e meritojnë të gjithë shqiptarët.
Sot është momenti që publikisht dhe pa hezitim t’ju kërkojmë juve ndjesë që me ngërçet tona politike po ua bëjmë më të vështirë të tashmen dhe të ardhmen.
Është momenti t’ju kërkojmë ndjesë publike që dështuam në mënyrë të përsëritur drejt derës së hapur të BE-së.
Sot shqiptarët rrezikojnë të kenë kosto të rënda të borxheve të rritura, të papunësisë së lartë, të varfërisë në rritje, sepse politika jonë shpesh është politika e grindjeve, politika e zhurmës dhe jo e maturisë, është politika e forcës së kartonëve, dhe jo e argumentit.
Kjo maxhorancë qeverisëse është e babëzitur, korrupsioni dhe kapja e shtetit po vrasin të ardhmen e çdo shqiptari. Borxhi publik ka arritur në nivele kritike, ne duhet të paguajmë 1.3 milionë dollarë çdo ditë vetëm për borxhet, ose 16 lekë për çdo 100 lekë të taksave që ju paguani në buxhet.
Sa më shumë rritet borxhi dhe kostoja e borxhit, aq më pak lekë do të ketë për shkollat, aq më të mjerueshme do të vazhdojnë të jenë kushtet në spitalet tona, aq më pak do të përfitojnë realisht pensionistët, veteranët, të paaftët për punë që meritojnë kujdes shëndetësor dhe solidaritet njerëzor.
Pushtetarët kënaqen nga shiritat e rrugëve dhe nuk trishtohen sadopak nga gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhen shkollat, spitalet apo kujdesi social. Në këtë moment babëzia e ka mundur përfundimisht ndjesinë njerëzore.
Para pak ditësh, në Shijan të Finiqit, një nënë mbi 80 vjeç, prej dëshpërimit i hodhi te këmbët ilaçet që kishte në një qese. Çmimi i ilaçeve ishte rritur disa herë më shumë sesa pensioni i saj. Kjo familje kishte vetëm një burim financiar, pensionin e kësaj nëne, e cila pranonte më mirë të mos blinte ilaçet dhe të duronte dhimbjet e sëmundjeve, sesa të duronte dhimbjet nga varfëria e nipërve dhe fëmijëve të saj. Nuk duhet të vazhdohet më të përfitohet nga durimi dhe toleranca e shqiptarëve.
Tani çdo shqiptar e di se modeli ekonomik i qeverisë “Berisha” është i dështuar, sepse takson shumë konsumin e përditshëm. Çmimet e ushqimeve janë rritur 200-400%.
Taksa e sheshtë është një e tatëpjetë e vështirë për të përballuar jetën e përditshme për të gjithë ata që kanë të ardhura mesatare dhe të ulëta.
Pa një raport më të mirë të shpërndarjes së barrës së taksave, rrezikohemi të kemi më shumë varfëri dhe më pak kohezion social.
Modeli ekonomik i qeverisë “Berisha” është i dështuar sepse deklaron rritje ekonomike pa rritje punësimi. Ky model ekonomik është i dështuar sepse kemi rritje të thellë të pabarazisë. Është i dështuar se mbështetja me politika dhe fonde për arsimin dhe shëndetësinë është në nivele kritike, është i dështuar jo vetëm se nuk po zbut problemet e së sotmes, por po pret edhe shpresat e së ardhmes sonë.
Të dashur delegatë.
Ne duhet të flasim hapur me të gjithë shqiptarët, duke u thënë se fitoret politike nuk janë të lehta, krijimi i qeverive të reformave është bërë i vështirë. Kam bindjen e plotë se PS ka të gjitha avantazhet potenciale për ta rrezuar sa më parë këtë qeveri. Këto avantazhe potenciale janë midis nesh e ato janë: njerëzit e mirarsimuar, njerëzit e përkushtuar, shqiptarët e mirë që e duan vendin e tyre, që përkushtohen për vendin e tyre, që meritojnë të jenë realisht pjesë e vlerave më të mira të Europës së Bashkuar. Këto avantazhe potenciale mund të rriten dhe të kthehen në një sinergji fituese nëse njihen më mirë, nëse vlerësohen më mirë, nëse motivohen më mirë, nëse mbështeten më mirë, duke u bazuar në vlerat më të mira njerëzore, duke u bazuar tek përkushtimi dhe meritokracia e gjithsecilit.
Këto avantazhe potenciale veniten, zvogëlohen, bëhen pasive n.q.s. vendin e meritokracisë e zë klientelizmi, n.q.s. vendin e përkushtimit e zë servilizmi. Organizimi dhe drejtimi i PS ka nevojë për vëmendjen ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të saj, ka nevojë për respekt të përhershëm njerëzor, ka nevojë për inspirim dhe promovim të gjithsecilit sipas meritës, dhe jo sipas preferencave personale.
Partitë tona nuk duhet të konsiderohen parti të kryetareve, por parti të anëtarëve dhe mbështetësve të saj.
Partitë shqiptare nuk duhet të jenë parti të mentaliteteve dhe listave të mbyllura, por parti të mendjeve të hapura dhe përkushtimeve të pakushtëzuara. E kisha shumë të vështirë t’i ktheja përgjigje Saimirit, ish-anëtarit të FRESH-it, studentit të talentuar të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, sot menaxher në Wall Street, i cili në mënyrë të përsëritur më shkruan: “Jemi me qindra të rinj që edhe nga këtu duam të përkushtohemi për vendin tonë, e shohim të ardhmen tonë në vendin tonë. Ne duhet të krijojmë fondin e njerëzve të mençur, fondin e trurit të kombit, siç ishte iniciativa e Presidentit Truman”.
Në e-mail-in i tij të parë me jo pak zhgënjim dhe dhimbje njerëzore me shkruante: “Ne ishim në FRESH, ne u përkushtuam për FRESH-in, ne punuam plot sakrifica për fitoret e PS, por pas 2005-s na larguan nga FRESH-i”. Ky nuk është një rast i sajuar për efekt mediatik. Ne duhet të ndërtojmë modelin e krijimit të karrierës në Partinë Socialiste, nuk duhet të zëvendësojmë meritokracinë me klientelizmin, nuk duhet të zëvendësojmë punën dhe përkushtimin me servilizmin. Mentaliteti i listave të mbyllura dhe i besnikëve të kryetarit është mentaliteti i frikës, dhe jo i optimizmit të fitores. Çdo parti politike duhet të njohë, të respektojë dhe maksimizojë energjitë pozitive dhe përkushtimin e çdo anëtari dhe mbështetësi të saj. Ky duhet të jetë çelësi i fitores sonë. Asnjë nga ne me mandat politik si deputet, si kryetar komune e bashkie, si anëtar asambleje apo kryesie, nuk duhet ta keqpërdorë këtë besim. Asnjë socialist dhe shqiptar i thjeshtë nuk duhet të vuajë sepse disa politikanë, me arrogancën e tyre, me mospërfilljen e tyre, me pushtetin abuziv të krijuar nga mandatet tuaja politike, janë bëre sot pengesa jonë më madhe për vendin.
Miq të dashur, ne jemi në përfaqësim të PS sepse u kemi premtuar socialistëve dhe gjithë shqiptarëve se për ne vendi është gjëja më e shtrenjtë, se ne nuk do të vëmë asnjëherë, asnjë ambicie personale mbi sfidat e çdo shqiptari të thjeshtë, mbi sfidat e vendit tonë. Ne jemi këtu jo sepse duam që domosdoshmërisht individë të caktuar patjetër të bëhen deputetë, ministra, kryetarë partie apo kryeministër, por sepse Partia Socialiste duke u modernizuar duhet të vijë sa më parë në qeverisjen e vendit.
Garancia e fitoreve tona nuk mund të jetë asnjë individ, por një ekip i përkushtuar; nuk mund të jetë një dhunti mbinjerëzore e asnjë individi, por bashkësia e vlerave njerëzore në zemër të forcës sonë politike.
T’i garantojmë shqiptarët se PS do të jetë një forcë politike moderne, një forcë politike institucionale, një forcë politike që me avantazhet e saj ofron një qeverisje më të mirë e më të prekshme nga çdo shqiptar. Ne duhet t’i bindim që tani shqiptarët që për ne socialistët solidariteti social, kohezioni social, kujdesi për shtresat në nevojë do të jenë prioritare në të gjitha politikat tona ekonomike.
Sot ne duhet t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se populizmin e Berishës do ta mundim me vizionin tonë, me qartësinë dhe përkushtimin tonë.
Ne duhet të ushtrojmë përgjegjësitë tona kushtetuese, të marrim pjesë aktivisht në Kuvend, se kemi përgjegjësi përpara gjithë shqiptareve për të krijuar shtetin e institucioneve të forta, e jo shtetin e individëve të fortë.
Qytetarët presin nga ne kontroll të rreptë të qeverise, kontroll të çdo takse dhe çdo shpenzimi në buxhet. Si të jenë partitë politike, ashtu do të jetë qeverisja dhe opozita e vendit. Radikalizimi i tyre prodhon vetëm kriza të rënda politike dhe sociale dhe vonesa të përsëritura në integrimin europian.
Modernizmi i politikës shqiptare, modernizmi i partive politike është rruga më e mirë, më e shpejtë dhe më e qëndrueshme përballa sfidave tona historike. Kjo nuk është sfidë e një individi, por e gjithë shoqërisë. Të rinjtë, intelektualët, opinioni publik, mediat e pavarura, gazetarët e guximshëm, duhet të jenë aleatët më të mirë të kësaj sfide. Ne jemi të bindur se reformat e modernizimit të PS-së do të ndihmojnë mirëqeverisjen e vendit edhe pa ndryshuar Kushtetutën e tij, n.q.s. Berisha do ta bllokojë këtë proces.
Ne duhet ta korrigjojmë sa më parë ndryshimin brenda natës dhe “përmes sms-ve” të Kushtetutës së Republikës që prishi çdo balancë kushtetuese ndërmjet pushteteve, risolli monizmin në formën e republikës kryeministrore dhe instaloi partitokracinë, gjë që u jep pushtet të pakufizuar kryetarëve të partive.
Të dashur delegatë, as Kastrioti, as Harasani, as unë dhe as shumë të tjerë që mendojnë si ne dhe që ende na besojnë nuk na kanë kërkuar dhe as që e kemi menduar të largohemi nga PS. Jemi dhe do të jemi në PS. Modernizimi i saj, jo thjesht solidariteti dhe uniteti formal, është rruga më e mirë për të fituar zgjedhjet dhe për ta qeverisur sa më mirë Shqipërinë.
Ne duhet të fitojmë jo duke pritur që të bjerë vetë Berisha, por sepse ne do të jemi alternativa më e mirë. Partia Socialiste duhet të inspirohet nga Shqipëria dhe shqiptarët duke krijuar një model politiko-ekonomik modern e fitues, që do të lejonte potencialet e vendit e të jepnin frytet deri tani të penguara. Për ta mundur këtë qeveri dhe për të sjellë të majtën në pushtet, na duhet një program ekonomik sa më realist, që ndalon përkeqësimin e jetës se çdo shqiptari, që ul rreziqet e së ardhmes në kohën më të shkurtër të mundshme dhe që i bën reale detyrimet tona për më shumë mundësi për të gjithë, për më shumë punë, për më shumë mirëqenie.
Kjo është rruga e vetme për më pak varfëri dhe për më shumë solidaritet njerëzor. Duhet t’u kthejmë shqiptarëve shpresën duke u kthyer mundësinë për punësim, duke i shpërndarë më mirë përfitimet ekonomike midis grupeve sociale, duke i mbështetur konkretisht grupet e prekura nga kriza. Rritja ekonomike e lartë, e qëndrueshme dhe cilësore, më shumë punë, më shumë të ardhura, më pak borxhe në kurriz të çdo fëmije shqiptar, më pak borxhe në kurriz të çdo studenti, më pak borxhe në kurriz të çdo familjeje shqiptare, më pak borxhe në kurriz të çdo shqiptari – duhet të jetë në themel të reformave dhe strategjive tona ekonomike.
Ne do të ndihmojnë nga afër me politika dhe skema financimi çdo shqiptar që merr risk për të investuar që të përmirësojë jetën e tij, duke zbutur njëkohësisht edhe problemet sociale të papunësisë dhe varfërisë. Ne duhet t’i japim fund sa më parë dhe në rrugë ligjore aktivitetit të sekserëve qeveritarë të licencave mbi pasuritë tona natyrore. Asnjë biznesmen dhe asnjë punonjës i administratës publike nuk duhet të ketë frikë nga ardhja e socialistëve në pushtet, por njëkohësisht asnjë matrapaz, sekser, hajdut me licencë qeveritare nuk duhet të besojë se duke tentuar të korruptojë disa nga socialistët në pushtet do të vazhdojë të mbijetojë si sekser i vjetër me padronë të rinj.
Ky është shqetësimi i socialistëve të thjeshtë, ky është shqetësimi i gjithë shqiptarëve: a do të ketë një fillim të ri, apo do të ketë thjesht një zëvendësim karrigesh? Mesazhi ynë për çdo socialist dhe për çdo të ri është: mësoni sa më shumë, punoni sa më shumë, kontribuoni sa më shumë që të keni një karrierë të merituar, të suksesshme dhe të qëndrueshme.
Opinioni publik do të fillojë të na besojë më shumë kur të bëjmë më mirë detyrën tonë në opozitë, kur PS të funksionojë si parti institucionale, kur gjithë të zgjedhurit të japin llogari përpara atyre që janë betuar t’i përfaqësojnë, kur në fushatë të dalim me program serioz politiko-qeverisës, kur vendin e udhëheqësit “të fortë” ta zërë ekipi që vjen në krye nëpërmjet meritokracisë. Në fund të fundit, asnjë pushtet nuk bie nëse nuk e rrëzojnë. Ne duhet ta rrëzojmë Berishën duke përdorur fuqinë e shpresës mbi frikën, ta rrëzojmë atë me avantazhin e përkushtimit tonë, ta largojmë përfundimisht duke u mbështetur te njerëzit e thjeshtë që janë gjithmonë shumë më shumë se disa individë të fortë për t’u mbajtur pas karrigeve politike.
Avantazhet e së majtës, avantazhin e idealizmit, të përkushtimit njerëzor, të përgjegjshmërisë publike, avantazhin e sakrificës për një të ardhme më të mirë të çdo shqiptari, duhet ta vëmë në themel të suksesit tonë. Unë besoj te solidariteti njerëzor, besoj te dashuria për njerëzit, besoj te njerëzit e vendit tim, te të rinjtë e talentuar, te biznesmenët e suksesshëm, te mbështetja e të moshuarve që punuan aq shumë dhe përfitojnë kaq pak, besoj te idealizmi veteranëve, te ekspertët e mirë dhe njerëzit e ndershëm në administratën publike, te mjekët, mësuesit dhe te fermerët. Ata duhet të jenë pjesa aktive e aleancës sonë për fitoren tonë.
Nëse këto avantazhe nuk do t’i keqpërdorim për ambicie vetëm personale, fitorja e socialistëve do të jetë shumë afër. Kjo është sfida e gjithsecilit prej nesh, të fitojmë sa më parë dhe ta qeverisim këtë vend me sa më shumë përkushtim, me sa më shumë përgjegjshmëri, me sa më shumë dashuri njerëzore.
T’u garantojmë shqiptarëve të sotmen, t’u garantojmë rindërtimin e së ardhmes më të mirë për fëmijët e tyre, për familjet e tyre dhe për vendin tonë të mrekullueshëm.
ARBEN MALAJ
© Panorama.al











