Për hir të dëshirave që kanë, të gjithë presin të shkëputet një yll fatsjellës nga qielli, romantikë apo aventurierë qofshin. Ndaj Noizy, i cili e ka provuar të jetë në rolin e djalit që ndien, por edhe atë që luan me ndjenjat e vajzave, i ka dedikuar vetes dhe fansave që besojnë tek fati dhe dashuria, këngën me titull “Shooting star”. Reperi tregon për garën te “Kënga Magjike”, dhe si e sheh veten mes miqve e armiqve në muzikë.
Konkurron te “Kënga Magjike” me këngën “Shooting star”. Do ta cilësoje një këngë për dashurinë apo për aventurën?
Kënga “Shooting star” prek të dyja, edhe aventurën, edhe dashurinë e vërtetë. Kush është në një lidhje dashurie dhe ndihet mirë me partnerin apo partneren, e gjen veten në këtë këngë. Ka plot fjalë dhe vargje që u dedikohen të dashuruarve, por ka gjithashtu vargje dhe shumë fjalë në të cilat gjejnë veten çiftet që janë të lidhur thjesht për aventurë, ose si “special friends”.
Në vargjet e këngës thuhet që “kam 100 ëndrra, a m’i plotëson…?”. Cilat janë ëndrrat që do doje të t’i plotësonte një femër?
Varet, janë shumë. Sidomos ajo që më sjell fat, sa herë që e shoh…
Po ti çfarë ëndrrash i ke plotësuar një femre dhe cilat janë disa ëndrra që mund t’ua bësh realitet femrave me të cilat krijon lidhje?
Nëse ndonjë femër, ish-ja ime, ose dikush me të cilën mund të jem aktualisht, më sheh si yllin e saj me fat, atëherë edhe unë pa dashje ndoshta do i kisha plotësuar shumë ëndrra ose dëshira.
Ndërkohë që në vargjet e këngës flitet për inate e xhelozi… Mendon se ke shumë xhelozë dhe inatçinj që të rrethojnë në këto momente në karrierën muzikore dhe jetën tënde?
Po të mos kisha inatçinj në muzikë, do ndihesha tepër i mërzitur. Do hyja në paranoja, duke menduar që s’jam duke qëlluar në shenjë me muzikën time ashtu si duhet.
Po në jetën personale ke më shumë miq apo armiq? Gjatë eksperiencës jetësore, a ke mësuar se si t’i zbutësh armiqtë e tu?
Kam shumë më shumë miq sesa armiq. S’ia lejoj vetes të urrehem nga turma pozitive, sepse s’jam njeri për t’u urryer edhe nuk bëj gjëra që të urrehem, përkundrazi mundohem në çdo sekondë të ditës të sjell më të mirën, për të mirën e shumë të rinjve që më shohin si idhullin e tyre. Dua të mbetem një shembull i pazëvendësueshëm, i papërsëritshëm, i paimagjinueshëm, dhe jo lehtë i arritshëm.
Në këngët e tua, herë shfaqesh djali i egër, herë djali i butë dhe shumë i dhënë pas dashurisë. Je kështu i dyzuar edhe në realitet?
Janë periudhat e jetës që më bëjnë të shkruaj në ato lloj mënyrash, dhe prandaj jam herë kështu e herë ashtu. Dhe në jetë patjetër nuk kam shumë ndryshim, pothuajse çfarë them në këngët e mia, e përjetoj çdo ditë.
I ke dëgjuar këngët e tjera hip-hop që konkurrojnë në “Kënga Magjike”; Cili këngëtar të duket konkurrenti më i fortë?
Jo, nuk kam dëgjuar asnjë këngë hip-hop, pasi ajo nuk është puna ime. Punën time sapo e përfundova, që ishte konkurrimi në “Kënga Magjike”. Kënga është e bukur dhe vlerësimin e pres nga publiku, gjithashtu edhe në finale nga kolegët e mi, gjithmonë nëse arrij deri në finale.
Ke hyrë për çmim këtë herë, apo për ty nuk ka rëndësi çmimi në një festival?
Kam hyrë në “Kënga magjike”, sepse më pëlqen tepër spektakli, është tepër argëtues. Gjithashtu kam dhe privilegj, të marr pjesë në një festival, ku kanë kënduar pothuajse këngëtarët më të mirë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
U fol shumë për bashkëpunime me disa këngëtare femra, me cilën do të të shohim në duet?
Me Eni Koçin është e sigurt që do të kemi një bashkëpunim, një këngë e re që titullohet “Je gjithçka”.











