“Plehra”, apo mbetje?! … Antimjedisi

May 5, 2011 | 10:40

ROMEO HANXHARI

Më shtyn shqetësimi qytetar dhe mjedisor të shkruaj për një temë të tillë, në dukje delikate. “Plehrat, plehrat, plehrat…”. Ky është termi që përdorin shpesh ca politikanë, analistë, opinionistë e me radhë nëpër televizione kryesisht, në vend të termit “mbetje urbane”.  Prej këtij termi të gabuar qytetar rrjedh edhe përdorimi i shprehjes së gabuar teknike, si “importi i plehrave nga ky a ai vend…”, një legjendë urbane kjo shumë e modës kohët e fundit. Nga ç’kam vënë ré, ky përdorim i shtrembër i këtij termi ndodh për dy arsye dhe, rrjedhimisht, mund t’i vihen dy emra: ose padije mjedisore (shpesh injorancë), ose dashakeqësi me motive jashtë mjedisore (…shpesh edhe antimjedisore). Ndërsa në rastin ekstrem, keqpërdorimi i këtij termi vetëm e vetëm për të krijuar kapital politik apo për servilizëm politik, është diçka jo e ndershme, jo etike. …Madje, kjo e fundit është një lloj pabesie që i luhet kauzës mjedisore, dhe veçanërisht kauzës së menaxhimit të mbetjeve të ngurta tek ne, e cila edhe kështu është kaq tmerrësisht e vështirë për shkak të një trashëgimie ekstremisht primitive të shoqërisë sonë në këtë drejtim.
… Këtë, pra, pikërisht po tentoj të bëj me këtë shkrim: detyrën time etike si mjedisor. U nxita tash më së fundi nga një “Opinion”, ku dëgjova se si fjalët “plehrat” dhe “importi i plehrave” u përdorën si argument dashakeq dhe pa vend për të denigruar projekte dhe qëndrime të kandidatit Basha për problemin e mbetjeve urbane në Tiranë. Pa lidhje fare me njëra-tjetrën, në çdo rast, këto dy tema. Ndaj m’u duk si rast tipik i sabotimit të edukimit mjedisor të shqiptarëve vetëm për të denigruar politikisht dikë dhe për të bërë tym për të zhvatur ndonjë votë. Më duket tendencë e dëmshme, absolutisht. Në dëm të mjedisit…
Prandaj unë po i bie alarmit me këtë shkrim. Sepse jam i bindur tashmë se, cilido qoftë rasti, pra përdorim për padije apo për keqdashje, më në fund nuk është e pranueshme qytetarisht që kjo kategori VIP-ash të flasë për një çështje mjedisore pa e njohur atë dhe, për më tepër, me një fjalor sa jomjedisor, aq joetik, aq joshkencor, po aq jopolitikisht korrekt. Dhe kjo nuk është thjesht çështje termi apo thjesht çështje elegance artikulimi: ajo është çështje vizioni të punëve të mjedisit dhe çështje pastërtie në trajtimin e një çështjeje ekskluzivisht teknike, siç është ai i mbetjeve urbane, ndarjes së tyre, trajtimit të tyre, përfshirë dhe import-eksportin e lëndëve të para që dalin prej tyre (alumin, letër, plastikë, xham, lëndë organike e çfarëdo fluksi tjetër). Kam mendimin se ata që flasin për “plehra”, në fakt sabotojnë një proces edukimi mjedisor, të cilin duhet, përkundrazi, ta ndihmojnë dhe po ashtu mendoj se ata sakrifikojnë qëllimisht përpjekjet për shkuarjen mbarë të punëve të mjedisit, thjesht për objektiva banale politike.
Unë personalisht e dënoj ashpër këtë tendencë, e cila gjykoj se e çedukon opinionin publik, të cilin duhet, në fakt, që deri në 2014-n ta përgatisim psikologjikisht dhe praktikisht që t’i ndajë mbetjet e ngurta që në shtëpi, pra t’i trajtojë ato me respekt e me kujdes, njësoj siç tani trajton, fjala vjen, shishet bosh të birrës kur i çon te dyqanxhiu për të marrë lekët mbrapsht: pra t’i trajtojë si një mall nga i cili do të nxjerrë të ardhura, personalisht apo si komunitet. Kështu që, në një kohë kur të gjithë këta VIP-a që përmendëm më lart duhet të ishin protagonistë të edukimit të opinionit publik me këtë mënyrë moderne të konsiderimit dhe të trajtimi të mbetjeve, ata në fakt përdorin shprehjen “plehra”, si për t’u dhënë qytetarëve mesazhin se mbetjet urbane në fakt janë vetëm “plehra” që duhen trajtuar siç emri i tyre e meriton. Dhe si e meriton të trajtohen “plehrat” sipas kësaj shprehjeje? Ashtu siç e imponon tradita aq orientale dhe primitive me të cilën i kemi trajtuar mbetjet në shoqërinë tonë: “plehrat” përbuzen, shahen, shtyhen, pështyhen, refuzohen, hidhen te oborri i fqinjit, hidhen në rrugë, hidhen në përrua, hidhen në lumë, hidhen në fushë, u vihet flaka si djallit, janë pjesa me të cilën merren ata “jevgjit”, apo “varfanjakët”, apo “endacakët”. Me pak fjalë, janë “plehra”. Plehrat janë produkt i refuzuar psikologjikisht nga një shoqëri ku shtëpia në derë e brenda është e shenjtë, ndërsa gjithçka jashtë saj është thjesht asgjë. Ato janë pjesë e refuzuar dhe fizikisht në një shoqëri ku edukimi për mbetjet është në nivele të vajtueshme, për fat të keq.
Mesazhi i atyre që flasin për “plehra” e për “import plehrash”, në fakt shkon edhe më tej. Ata, nën zë, japin mesazhin që “të gjithë ata që merren me mbetjet, në fakt merren me plehrat”. Prej kësaj rrjedh edhe se “ata që riciklojnë pjesë të mbetjeve, d.m.th. lëndë të para, si aluminin, letrën, apo plastikën, në fakt merren me plehrat”. Dhe po ashtu rrjedh edhe se “qeveria që aprovoi vendimin për import-eksportin e lëndëve të para me origjinë nga mbetjet, në fakt s’bëri gjë tjetër veçse aprovoi një vendim për import plehrash”. Gjithçka, sipas tyre, është “çështja e plehrave”. Me sa duket, asgjë që këta VIP-a thonë nuk është e rastësishme. Gjithçka shkon në sinkron logjik: “plehra, përpunim plehrash, riciklim plehrash, import plehrash…”.
Po pse është i dëmshëm një keqpërdorim i tillë i termave? Nëse bëhet nga padija, atëherë ata që e përdorin, ofrohen si modele jo të mira për tërë komunitetin e tyre dhe sidomos për brezin e ri. Dhe në këtë, komuniteti i nënshtrohet një tradite që jo vetëm që nuk na nderon, por dhe na pengon vazhdimisht të ndryshojmë për mirë. Nuk po i hyj rastit kur keqpërdorimi bëhet nga keqdashja. Nuk më takon mua. Por nuk mund të mos them se nuk është etike që diçka të cilën ti e di që është e drejtë, ta denigrosh si të dëmshme, si shkelje, apo aq më keq, si “krim mjedisor”. Kaq mund të them…
Meqë jemi në këtë kontekst, e kam thënë edhe më parë në mjediset tona të ambientalistëve dhe mendoj se është koha ta përsëris prapë publikisht që, për mua personalisht, por edhe për të gjithë ambientalistët që e njohin sado modestisht këtë temë, në pikëpamje profesionale, vendimi i qeverisë për të rregulluar import-eksportin e disa lëndëve të para me origjinë nga mbetjet, që doli diku nga tetori, është një vendim krejt normal në drejtim të menaxhimit të mbetjeve urbane. Po ashtu them në përgjegjësinë time qytetare, se krejt normal u është dukur edhe të gjitha shoqatave mjedisore që kanë qenë pjesë e atyre shumë takimeve me qëllim sqarimi, që shoqëria civile i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit në atë periudhë. Nga ato takime mbi dyjavore kemi dalë me bindjen që ai vendim jo vetëm që nuk krijonte vetvetiu probleme, por rregullonte një praktikë jo fort të kontrolluar që aplikohej deri në atë kohë që prej gati dy dekadash. E vetmja pikë ku u ndanë disa nga kolegët tanë ambientalistë ishte koha se kur mund të aplikohej ky vendim, që për një pakicë të vogël prej tyre mund të ishte më vonë se momenti aktual, thjesht duke paragjykuar sistemin tonë të kontrollit. Vetëm kaq dhe asgjë më shumë.
…Për të vazhduar gjykimin për vendimin e qeverisë në tetor, tani jam absolutisht i bindur që ai vendim aq normal teknik, në këndvështrimin politik paskësh qenë një vendim i guximshëm, duke pasur parasysh realitetin e mentalitetit shqiptar. Guximi qëndron në faktin se vendime të tilla të drejta teknikisht, mund edhe të kenë një kosto politike. Kjo për shkak të lehtësisë me të cilën tematika të tilla mund të manipulohen nga ata që duan të krijojnë kapital politik, social, apo mediatik edhe duke shtrembëruar me çdo kusht faktet dhe realitetin. Prandaj këto vendime të guximshme duhen respektuar nga ne mjedisorët dhe duhen edhe ndihmuar thjesht që t’u largohet balta publike që ato nuk e meritojnë, por që aq kollaj mund t’u hidhet në Shqipërinë tonë ku ca njerëz ngrysen piperkë e gdhijnë patëllxhanë, ose në darkë të thonë shëndet e në mëngjes plaç, në Shqipërinë ku një farë politike të thotë “bëj si them unë e mos bëj si bëj unë”, … e më në fund në Shqipërinë ku ca gazeta bëjnë “ligjin” dhe caktojnë “të vërtetën” njëkohësisht.

© Panorama.al

Te lidhura