“Përdhunimi i fëmijës, familja e dinte”

Jul 9, 2011 | 10:14
12-vjecari i perdhunuar

Familja e 12-vjeçarit të abuzuar seksualisht në Devoll të Korçës ka qenë në dijeni kohë më parë për historinë e rëndë që konsumohej në fshatin Bitinckë prej kohësh, në dëm të fëmijës në moshë të mitur.Kështu shkruhet në një reagim të Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, që ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në fshatin Bitinckë të Devollit. GSHDNJ thekson se pas ngjarjes mori kontakt me autoritetet që po hetojnë ngjarjen dhe konstatoi se viktimë e përdhunimit prej dy djemve është bërë bashkëfshatari i tyre i mitur. “Ai është përdhunuar për të disatën herë nga shtetasit R. M., 16 vjeç dhe E. Bufi, 19 vjeç. Dy autorët kanë kryer marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të miturin, duke e lënë atë në gjendje të rëndë për të disatën herë brenda një periudhe të shkurtër kohe”, thuhet në deklaratën e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Sipas informacioneve të marra nga ky organizëm, pas disa orësh ka qenë vetë i mituri që ka treguar në shtëpi se çfarë i kishte ngjarë, madje duke identifikuar dy autorët. I mituri mësohet se ka treguar emrat e personave dhe veprimet e turpshme që ata kishin kryer ndaj tij. “Familjarët e 12-vjeçarit, megjithëse kishin pasur dijeni edhe më parë për këtë situatë, vetëm së fundi i janë drejtuar policisë për të bërë denoncimin ndaj dy autorëve të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë”, thuhet në deklaratën e GSHDNJ. Ky organizëm shpjegon se nga ana tjetër, i mituri i dhunuar vazhdon të jetë në gjendje të rëndë psikologjike dhe shëndetësore. Sipas deklaratës, dy autorët e ngjarjes së rëndë janë arrestuar nga ana e Policisë së qarkut Korçë dhe ndaj tyre ka filluar procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga K. Penal i RSH dhe konkretisht, Seksioni i Krimeve Seksuale, neni 100, paragrafi i dytë “Marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur”. GSHDNJ, pasi ka verifikuar hollësisht këtë ngjarje dhe pasi ka komunikuar edhe me autoritetet përkatëse që hetojnë krimin, u kërkon këtyre të fundit që të marrin masat për të përshpejtuar të gjitha procedurat hetimore me qëllim vënien përpara bankës së akuzës të autorëve të këtij krimi monstruoz dhe rreptësisht të dënueshëm. “Duke pasur parasysh të gjitha elementet e kësaj vepre penale si në aspektin e anës objektive, por edhe në kuadrin subjektiv, GSHDNJ konstaton se ndaj autorëve të këtij krimi duhet të aplikohen sanksionet më të ashpra që lejon ligji, në mënyrë që ky rast të shërbejë si shembull i forcës së shtetit ndaj akteve që dëshmojnë mungesën e frikës nga shteti”. Në deklaratë kërkohet që autoritetet shqiptare të marrin masa për të ndihmuar në rehabilitimin e të miturit, i cili u bë pre e këtij akti shumë të rëndë me pasoja fizike dhe psikologjike për këtë të fundit. GSHDNJ thekson se autoritetet e drejtësisë duhet të bëjnë maksimumin që ngjarje të tilla të ngjashme të mos përsëriten më.

Ekspertiza

Ekspertiza mjekësore ka vërtetuar se me të miturin janë kryer marrëdhënie homoseksuale më shumë se një herë. Pikërisht mbi bazën e kësaj ekspertize është bërë edhe arrestimi i dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, që ranë në pranga mbrëmjen e së martës, kur Policia e Korçës njoftoi se kishte kryer arrestimin e dy të rinjve, të cilët ishin shtetasit: E. B., 19 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll, dhe R. Mullai, 16 vjeç, banues në të njëjtin fshat. Prangosja e tyre u bë pas një denoncimi të bërë nga 40-vjeçarja me inicialet A. P., nga Bitincka e Devollit, nëna e 12-vjeçarit.

Korçë, Gjykata: Burg përdhunuesit të 12-vjeçarit

KORÇE – Adoleshenti i dyshuar për abuzimin seksual me të miturin 12-vjeçar nuk pranon akuzën e ngritur ndaj tij. Gjykata e Korçës vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg për 16-vjeçarin R. Mullai, i cili akuzohet për përdhunimin e të miturit me inicialet XH. P., nga fshati Bitinckë i rrethit të Devollit. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, pas kërkesës së prokurorit së çështjes. Ai argumentoi se autori dhe i dëmtuari i ngjarjes janë të mitur. Burime brenda sallës gjyqësore bënë të ditur se 16-vjeçari nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, madje nuk ka preferuar t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me njohjen apo raportin që ka pasur me 12-vjeçarin. “Nuk e kam bërë unë një gjë të tillë. Nuk jam unë autori”, mësohet të ketë thënë i akuzuari dje në sallën e gjyqit. Gjykata vendosi ta lërë atë në burg deri në përfundim të hetimeve

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura