“Pakti i Ramës, bazë për dialog”

Sep 29, 2011 | 10:29
Ambasadori Arvizu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tira-në, Aleksandër Arvizu, i bën thirrje maxhorancës të krijojë kushtet për arritjen e konsensusit me opozitën. Në përfundim të një takimi të organizuar nga Këshilli i Europës me të zgjedhurit vendorë pas zgjedhjeve të 8 majit, kreu i Diplomacisë amerikane në Tiranë flet për ngërçin politik në vend. Ai shprehet se opozita ka përgjegjësinë e saj për faktin se deri tani nuk ka pasur dialog, por shton se shumica duhet të krijojë kushtet për të thirrur në debat edhe njerëz të tjerë që nuk janë mbështetës të Partisë Demokratike. “Të gjitha palët janë përgjegjëse. Disa thonë se bojkoti i opozitës e ndaloi progresin. Opinioni im është se një bojkot i gjatë nuk ishte produktiv dhe nuk e ndihmoi axhendën. Por mendoj gjithashtu se maxhoranca duhet të krijojë kushtet për ta ftuar opozitën dhe njerëzit që s’janë mbështetës të PD-së për dialog. Ne flasim për kompromis. Nuk është vetëm faji i opozitës, natyrisht që ka përgjegjësi, por maxhoranca ka më shumë përgjegjësi për të tentuar në krijimin e mundësive të prezantimit. Të gjitha palët janë përgjegjëse. Opinioni im është se një bojkot i gjatë nuk ishte produktiv. Maxhoranca duhet të krijojë kushtet për ta ftuar opozitën dhe njerëzit që s’janë mbështetës të PD-së për dialog”, u shpreh ambasadori amerikan.
Propozimet e PS
Aleksandër Arvizu e cilëson inkurajues hapin e opozitës për të hartuar një paketë me 10 pika, të cilat iu propozuan maxhorancës për zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij, tani janë partitë ato që duhet të ulen dhe të negociojnë. “Mendoj se duhet seriozitet për ecjen përpara në kryerjen e reformave. Unë mendoj se është inkurajues fakti i bërjes publike nga PS-ja i 10 ideve. Nuk është për mua të komentoj në mënyrë specifike, por mendoj se është inkurajuese, pasi janë disa propozime që mund të krijojnë bazat për debat dhe dialog. Tani mbetet për dy partitë të vendosin, por shpresoj se do të shërbejnë si bazë për të biseduar e ecur përpara”, tha ambasadori. Në komunikimin me mediat ai u ndal gjithashtu edhe te njëra nga 10 pikat e paktit, e pranuar parimisht edhe nga Kryeministri Berisha, reforma parlamentare. “Gjithashtu, me rëndësi është Rregullorja e Parlamentit. Siç është shprehur edhe shefi misionit të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, është e rëndësishme për të ecur përpara duke mos humbur kohë, pasi është humbur shumë kohë në dy vitet e fundit. Njëkohësisht, gjërat nuk mund të realizohen nesër apo patjetër javën e ardhshme, pasi gjërat që bëhen pa konsensus do t’i përkeqësojnë gjërat. Megjithatë, duhet të jetë një çështje emergjente, pasi është shpërdoruar shumë kohë”, theksoi më tej ambasadori.
Një ditë më parë ishte Kryeministri Sali Berisha që, përmes një interviste televizive, pranoi vetëm dy nga propozimet e Partisë Socialiste që kanë të bëjnë me reformën elektorale dhe atë të Parlamentit. Sa u përket pikave të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjen e krerëve të institucioneve të pavarura apo edhe letrën dërguar Prokurorisë për hetimin e WikiLeaks-it, kreu i qeverisë nuk i pranoi.
Vizita në Slloveni
Në fund të përgjigjes së pyetjeve të gazetarëve, ambasadori amerikan njoftoi publikun për një vizitë në Slloveni, ku u parapriu të gjitha thashethemeve për një takim të mundshëm me ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili duket se do të jetë edhe ai i pranishëm. “Do të nisem për të qëndruar në Slloveni për 4 ditë, për një konferencë. Dua t’u them të gjithëve se jam duke shkuar në Slloveni jo për takime sekrete me Fatos Nanon, Frank Wisneri-n apo John Withers-in. Është një konferencë rajonale nga ku do të pyes kolegët e mi nga Kroacia dhe Sllovenia, se cilat ishin kushtet në këto vende dhe si u realizua ecja përpara në axhendën e reformave dhe mbase ata kanë për të më pyetur çfarë po i ndalon reformat të ecin përpara në Shqipëri”, tha Arvizu.

Propozimet e Ramës
1. Të votojmë konsensualisht Rregulloren e re të Kuvendit.
2. Brenda muajit dhjetor të miratojmë reformën institucionale të Parlamentit, me asistencën teknike të OSBE-së.
3. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012.
4. Të votojmë konsensualisht kandidatin e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.
5. Të zgjedhim konsensualisht kryetarin e KLSH-së.
6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit.
7. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që në bashkëpunim me një grup ad hoc konstitucionalistësh, për ligjet me 3/5 e votave
8. Të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ndërhyrjet në kushtetutë.
9. T’i kërkojmë prokurores së Përgjithshme zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit dhe kabllogrameve të ambasadës së SHBA-së.
10. Të balancojmë me konsensus Bordin e Televizionit Publik Shqiptar dhe Këshillin Kombëtar të Radiove e Televizioneve.

Berisha në interpelancë me Braçen
Kryeministri Sali Berisha do të thirret sot në interpelancë nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Administrata e Kuvendit ka publikuar dje rendin e ditës, ku në interpelancë do të jetë edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, që është thirrur nga deputetja Mimi Kodheli. “Unë dhe Sali Berisha do të përballemi për: politikat e qeverisë së tij në raport me pasuritë kombëtare, interesin publik dhe interesin privat, pasurimin e një grushti njerëzish të licencuar nga Sali Berisha për të vepruar në këto pasuri dhe varfërimin e çdo shqiptari të ndaluar të përfitojë nga pasuria e vendit të tij”, thuhet në një postim në Facebook të deputetit Braçe.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura