“Ndalim Bosnjën, kualifikohemi”

May 12, 2011 | 9:39

Hamdi Salihi është i sigurt se fitorja me Bjellorusinë do të ndikojë pozitivisht për Kombëtaren shqiptare edhe në sfidat e mbetura për kualifikimet e Europianit të 2012-s.”Që prej fitores ndaj Bjellorusisë, të gjithë në Shqipëri besojnë se ne mund të kualifikohemi nëse luajmë në atë mënyrë”, ka pohuar Hamdi Salihi, në një intervistë dhënë uebsajtit të FIFA-s. “Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme marrja e tri pikëve në atë ndeshje. Pastaj, u ndjeva krenar edhe për veten time, pasi shënova golin e vetëm dhe mjaft të rëndësishëm për skuadrën. Ishte një fitore që na bëri të besojmë edhe për takimet e tjera”, ka vazhduar Salihi. Momentalisht Shqipëria renditet në vendin e tretë, me tetë pikë në pesë ndeshje, duke lënë pas as më shumë e as më pak se Bosnjë-Hercegovinën dhe Rumaninë.
Objektivi – “E dinim se do të ishte një grup mjaft i vështirë. Tri nga katër skuadrat në grupin tonë i nisën ndeshjet kualifikuese si favorite, por pas pesë ndeshjeve gjykoj se vetëm Franca mund të mos e diskutojë kualifikimin për në EURO 2012. Ndaj, nëse do t’ia dalim edhe ne, besoj se të gjithë në Shqipëri do festojmë si të çmenduar”, shpjegon bomberi shkodran. Ndeshja e radhës për skuadrën që drejtohet nga kroati Josip Kuzhe do të jetë ndaj Bosnjës në qershor. “Ndaj Bosnjës do jetë një ndeshje tejet e vështirë. Gjithsesi, fitorja ndaj Bjellorusisë na ka dhënë mjaft shpresa dhe besim, kështu që do të provojmë ta ndalim këtë skuadër, e cila ka në organikën e saj shumë lojtarë me cilësi të larta”, thotë sulmuesi shqiptar.
Bomberi – Më tej, ai ka shpjeguar edhe nofkën që i kanë vënë tifozët kuqezi dhe mediat shqiptare. “Që nga koha kur Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç, mua më krahasonin me Gerd Mylerin, nga ku lindi nofka me të cilën më thërrasin tani: “The Bomber”, shpjegon 27-vjeçari, i cili ka nisur karrierën e tij në moshën 18-vjeçare tek Vllaznia. Pas “shpërthimit” te kjo skuadër, Salihi kaloi në Greqi, por u rikthye sërish në sezonin 2005/06 në Shqipëri te Tirana, ku shënoi 29 gola dhe duke u shpallur golashënuesi më i mirë. Kjo formë e mirë i dha atij mundësinë për të kaluar te SV Ried, në Austri. Bomberi ripagoi besimin e austriakëve, duke shënuar 32 gola nga janari 2007 deri në qershor 2009, kur kaloi te Rapidi i Vjenës. “Kudo që kam luajtur, jam mundur që t’i shërbej skuadrës sime, duke menduar gjithnjë që një sulmues nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse nuk ka nga pas një ekip të mirë”, ka vazhduar Salihi.
Europa – Duke parë tabelat, vërejmë se sulmuesi kuqezi ka shënuar 17 gola në 32 ndeshje, duke pretenduar që me Rapidin të fitojë një vend për në Kupat e Europës. “Skuadra po bën një punë të mirë dhe, natyrisht, unë po luaj rolin tim. Kemi qenë vjet në Ligën e Europës dhe shkuam deri në gjysmëfinale, ndaj do të kërkojmë që minimalisht të kapim sërish këtë objektiv për sezonin tjetër”. Shtatë pikë e ndajnë Rapidin nga Sturm Graz, i cili kryeson Bundesligën austriake dhe ndodhet pesë pikë larg vendit të fundit që të çon në Ligën e Europës. “Ne nuk bëjmë llogaritë e kundërshtarëve, por shikojmë vetëm përpara. Besojmë se do t’ia arrijmë”, ka pohuar Salihi.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura