“Nano për president”: Kryetarët, lojë për pushtet

Jun 3, 2012 | 17:21
Fatos Nano

TIRANË- Lëvizja pro Nanos duke akuzuar kreun e PS-per per loje plot marifete thekson se Edi Rama do të marrë konkurimin e Fatos Nanos për President dhe nëse kjo serish pengohet, do te pasohet me konkurim mes kryetarësh partish për zgjedhjet e 2013.

Me kete deklarate ka dale levizja “Nano për president”, vetëm pak orë para takimit të lajmëruar Berisha-Nano dhe nje dite para raundit te dyte te votimit per presidentin e ri te vendit.

“Por Edi Rama nuk rreshti se bëri lojëra e marifete pushteti duke ushqyer krizën, shantazhin, ndaj palëve të tjera politike e duke shpërfillur dhe anashkaluar Fatos Nanon. Ngurrimi i paarsyetur politikisht, demokratikisht dhe moralisht i Edi Ramës për të mbështetur Fatos Nanon, ra në nivele të tilla mospërputhjeje me respektin dhe vleresimin e merituar te sensibiliteteve njerezore e politike, a thua se ky njeri, Fatos Nano,nuk ka qene kurre Kryetar i PS dhe Kryeminister i vendit disa herë”- thuhet ne letren e levizjes.

Ajo ka akuzuar krerët e dy partive të mëdha, e në mënyrë të vecantë Edi Ramën  për lojë për pushtet, që nxit krizën në vend.

 

Deklarata:

Fatos Nano ka kurajon, ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë qytetare e politike që të shpallë, zhvillojë një ambicje politike dhe një proces për të patur mundësinë që të kandidojë për të shërbyer si President duke u vetëofruar në dispozicion të klasës politike dhe publikut shqiptar.

Paradakosalisht, politika e krizës dhe konfliktualitetit që mbizotëron e mban Shqipërinë në statusin kur Kryetarët nuk duan të zgjedhin Presidentin, sepse duan të bëjnë pazare e merren vesh sipas traditës joperëndimore, për rregulla loje prej nga ku të fitojnë mandate deputetësh e zgjidhin punët e pushtetit.

Loja për pushtet dhe mbivlerë të interesave të ngushta politike apo vetjake e Kryetarëve të Partive është bërë një nxitëse dhe ushqyese e krizave si edhe pengesë për zhvillimin e shëndetshëm dhe marrjen e Statusit Kandidat për në BE të Shqipërisë. Loja për pushtet e Kryetarëve, mbizotërohet nga mekanizmat dhe mendësitë meskine prej nga ku ata synojnë të rrëzojnë njëri tjetrin. Ata luajnë e luftojnë veç për pushtet e motivohen nga dëshira dhe ambicja që ose njëri të mbetet Kryeministër, ose të bëhet tjetri, i cili drejton deri sot Opozitën. Loja e Kryetarëve, por sidomos loja e Kryetarit të PS-së Edi Rama, si edhe ata, që kanë rënë në kurthin apo janë pjesë e kurthit të kësaj loje qëllimligë, taboret e analistëve dhe opinondeformuesve apo opinionkeqdrejtuesve kanë nxitur një zhurmë të paarsyetuar që të krijon idenë se të gjitha fajet i paska kandidati që vetëofrohet Fatos Nano. Ndoshta kanë të drejtë deri në një farë pike, sepse me shumë gjasa është Fatos Nano, ai që po u prish punë kryetarëve, që të bëjnë pazare e të merren vesh për lojra e marifete pushteti.

Fatos Nano u vetëofrua dhe priti me qetësi olimpike që Kryetari i PS Edi Rama të kthjellohet e fillojë të mendojë për vendin më shumë sesa për lojërat e marifetet e pushtetit.

Por Edi Rama nuk rreshti së bëri lojëra e marifete pushteti duke ushqyer krizën, shantazhin, ndaj palëve të tjera politike e duke shpërfillur dhe anashkaluar Fatos Nanon. Ngurrimi i paarsyetuar politikisht, demokratikisht dhe moralisht i Edi Ramës për të mbështetur Fatos Nanon, ra në nivele të tilla mospërputhjeje me respektin dhe vlerësimin e merituar të sensibiliteteve njerëzore e politike, a thua se ky njeri, Fatos Nano, nuk ka qenë kurrë Kryetar i PS-së dhe Kryeministër i vendit disa herë. Fatos Nano në asnjë rast, në asnjë deklaratë, në asnjë akt nuk ka kërcënuar.

Fatos Nano me takimet, deklaratat dhe aktivitetin e tij të ditëve të fundit, ka shpallur vendosmërinë e tij për të mbrojtur dinjitetin e tij, por edhe të atyre që duan që në Shqipëri të ketë konkurencë të lirë e të ndershme, pjesëmarrje të publikut, transparencë dhe transformim europianizues.

E megjithatë lëvizja e Nanos nuk është as kërcënim e as shantazh, por ftesë për reflektim e kthjellim për Edi Ramën, ose ftesë për konkurim me dinjitet.

Fatos Nano është i gatshëm të konkurojë për të qenë president konsensual, sikurse është i gatshëm të konkurojë në një garë të lirë dhe të ndershme në Kuvend ku votat e deputeteve nuk do të zgjedhin një President me urdhëra kryetarësh, por një president të vullnetit të lirë dhe dinjitetit të deputetëve.

Njekohesisht, Fatos Nano është i gatshëm dhe i vendosur që nëse do të pengohet arbitrarisht dhe pashpjegueshmërisht në mundësitë e tij për të garuar për President, atëherë do t’i vetëofrohet publikut dhe qytetareve shqiptarë për të konkuruar me të gjithë kryetarët e derisotëm për zgjedhjet e vitit 2013 bazuar në një alternativë të qartë vlerash, dalëzotësie, paqebërjeje, jokrize, properëndimore, proeuropiane, prointegrim, konstruktive, bashkërenduese, bashkëpunuese, komunikative, mirëbesuese, gjithpërfshirëse, përbashkuese dhe prozhvillimit të shëndetshëm. Konkurenca e lirë dhe e ndershme, pjesëmarrja e publikut dhe transparenca janë në themelin dhe shpirtin e qëllimeve dhe vizionit politik të Fatos Nanos.

© Panorama.al

Te lidhura