“Mund të humbasim edhe BE-në, edhe Kosovën”

Jan 19, 2012 | 12:55
Borisllav Stefanoviç

Ndërsa serbët duket se po bëhen më koshientë për situatën reale në lidhje me Kosovën, kryenegociatori i tyre, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se në përpjekje për të mbajtur Kosovën ose BE-në, Serbia mund t’i humbasë të dyja ato. Një raund i ri bisedimesh mes dy palëve pritet të mbahet brenda këtij muaji, por serbët po luftojnë ende për të pasur avantazhet në krahun e tyre, ndonëse janë ata që nuk respektojnë marrëveshjet dhe janë ata që braktisin tryezat e bisedimeve. Pala serbe duket se po përpiqet të arrijë një pakt për Kosovën, i cili do të shpaloset në takimin e radhës. Për këtë, Stefanoviç ka ftuar lehtësuesin e dialogut, Robert Kuper, në Beograd. Por deklaratat e tij në media kësaj radhe kanë qenë më realiste. “Para nesh janë bisedimet, në të cilat, shpresoj, do të arrihet marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës, por jo në dëm të rezolutës 1244. Po të mos ketë EULEX, ndërmjet serbëve dhe Hashim Thaçit sot nuk do të ishte askush”, tha Stefanoviç, sipas KD. Ai ka vlerësuar se politika “edhe Kosovë, edhe BE” nuk është e thjeshtë, pasi “nëse Serbia zgjedh njërën nga këto të dyja, do të humbasë edhe atë që e ka zgjedhur”. Stefanoviç pohoi se UNMIK, KFOR dhe EULEX kanë lejuar që më shumë se 90 për qind e kompetencave t’i transferohen Kosovës. Madje, “është paralajmëruar edhe formimi i ushtrisë së Kosovës. Këto janë gjëra që po na zhvillohen para syve”, tha ai, duke shpresuar ende që “këto trende të ndalohen me politikë negociuese e jo me politikë frazash dhe me tregimin e gishtit patriotik”. Stefanoviç, duke iu bashkuar zërave të politikanëve të tjerë serbë, e ka cilësuar të panevojshëm referendumin për pavarësi që planifikojnë strukturat paralele në Veri të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura