
Kreu i Shtetit, Bamir Topi e ka quajtur një lajm të gëzuar dhe triumf për demokracinë lajmin për arrestimin e kriminelit serb të luftës, Ratko Mlladiç.
Presidenti i bëri komentet sot paradite në fjalën e tij në samitin e Varshavës ku marrin pjesë 17-të Presidentët e Shteteve të Evropës Qendrore.
Për Topin, lajmi i arrestimit është “padyshim është një lajm i gëzuar dhe risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon”
“Ky moment duhet shfrytëzuar për të rilançuar edhe njëherë të gjithë atë vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur dialogun politik për t’iu drejtuar vizionit të integrimit me një forcë, e cila duhet të sinkronizohet nga i gjithë lidershipi politik i Ballkanit për të mos humbur kohë me diskutime që i takojnë një të kaluare të egër, kryesisht ajo që lidhet me betejat dhe luftërat ndëretnike në Ballkan, për të gjetur urat e bashkëpunimit dhe besoj që shembuj konkretë, ne sot kemi me shumicë”, – theksoi Presidenti Topi.
Topi tha se nuk ka dyshime se sot Ballkani ka një fizionomi tjetër, sipas tij, sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës.
“Unë dëshiroj të vë në dukje se sot më shumë se kurrë lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike”, – tha ai.
© Panorama.al











