Rajan Gigs e di shumë mirë se çfarë e pret Mançester Junajtidin në takimin ndaj Gallatasarajit. Ai kujton sfidën e luajtur në nëntor të vitit 1993, në fazën e dytë të eliminimit direkt në ndeshjen e kthimit, në transfertë. “Atë moment e kam të ruajtur mirë në kujtesën time, ndërsa gjithmonë do të jetë pjesë e imja. Në atë kohë isha 19 vjeç dhe, kur ne mbërritëm në aeroport, kishte kudo banderola dhe tifozë. Kishte mijëra tifozë që të thërrisnin, – rrëfeu mesfushori veteran uellsian, i cili më pas kujton se gjatë rrugës me autobus tifozët rivalë hidhnin ndaj tyre sende të ndryshme. Ndërsa jashtë hotelit fansat e tyre këndonin dhe na tallnin gjithë natën. Vepronin kështu, pasi donin që ne të mos vinim gjumë në sy. Kishte njerëz që telefononin në dhomat e gjumit”. Për Gigsin, ajo e 19 viteve më parë ka qenë një eksperiencë brilante, të paktën deri në përfundim të ndeshjes, ku Erik Kantona ishte përjashtuar, e më pas ata u eliminuan, duke marrë me vete një reagim të tërbuar të tifozëve. “Kur dolëm nga fusha, ishte kaos. Eriku ishte nxjerrë jashtë tashmë dhe rruga drejt dhomave të zhveshjes ndodhej poshtë fushës. Kudo kishte policë të armatosur. Njerëz që asnjë nuk donte të merrej. Ajo që doja, ishte të shkoja në dhomat e zhveshjes dhe të ndihesha sa më shpejt i sigurt”. Më pas, mesfushori i “djajve” jep mendimin për sfidën e radhës në stadiumin “Old Trafford”. “Ata ishin një ekip i mirë atëherë dhe të tillë janë sërish”. Lojtari 38-vjeçar tani e di shumë mirë se çfarë të bëjë. “Duhet t’i fitojmë ndeshjet në shtëpi. Dhjetë ose më shumë pikë bëjnë ta kalosh grupin”.
Fatih Terim
Gallatasaraji rikthehet të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve pas 6 viteve, teksa kundërshtar të parë ka Mançester Junajtid. Ekipi po kalon një formë shumë të mirë, pasi në 4 ndeshje ka fituar 3 prej tyre. “Ne e kemi të gjithë moralin e duhur për t’u përballur me Mançesterin. Mbështetësit tanë presin nga ne rezultate të mira. Ne duam që të bëjmë një nisje të suksesshme, ndaj kërkojmë një rezultat pozitiv ndaj rivalëve tanë të parë. Duam që të shkojmë më shumë sesa faza e grupeve”, – tha Terim.
© Panorama.alFormacionet e mundshme
Man.Junajtid (4-2-3-1): Lindegard, Rafael, Vidiç, Ferdinand, Batner, Skols, Kerrik, Valencia, Kagaua, Nani, Van Persi. Trajner: A.Ferguson
Gallatasarai (4-3-3): Muslera, Ebue, Kris, Kaja, Balta, Melo, Inan, A.Jilmaz, B.Jilmaz, Elmander, Amrabat. Trajner: F.Terim











