“Luarasi sjell risitë për kastën e juristëve të rinj”

Sep 12, 2011 | 11:46
Rektori i Universitetit Luarasi, Kristaq Traja

Vetë emri i tij, për të gjithë ata që e njohin, jep garanci për profesionalizëm.Nuk preferon të flasë shumë për veten dhe hyn direkt në temë, siç i ka hije një juristi fisnik. Tashmë në pozicionin e rektorit të Universitetit Luarasi (i pari universitet privat i profilit juridik në Shqipëri), Kristaq Traja, sjell një vizion të ri për dhjetëra studentë, që aspirojnë të bërhen juristë. Një disiplinë e re, që i ka munguar për disa dekada vendit tonë, do t’u ofrohet të gjithë atyre që do të ulen në auditorët e Universitetit Luarasi. Bëhet fjalë për lëndën “Teoria e së drejtës”, e cila është baza e ngrehinës juridike. Por, për fat të keq, që prej viteve ’80 Shqipëria nuk ka pasur tekste për t’u ofruar studentëve themelet e së drejtës. Për rrjedhojë, sot mbajnë diplomën e juristit qindra persona, por vetëm pak prej tyre e meritojnë këtë titull. Rektori i Universitetit Luarasi, i pari gjyqtar shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për 10 vjet, shpjegon risinë që do të vijë për herë të parë në Shqipëri. Në intervistën e tij për gazetën, Traja vë theksin se vendit nuk i duhen thjesht shkrues dhe lexues ligjesh, por juristë të aftë për t’u bërë kritikë të tyre. Vetëm duke marrë dijet e nevojshme mbi të drejtën dhe duke e dalluar atë nga ligji, mund të arrihet kjo. Me këtë filozofi Universiteti Luarasi do të presë këtë vit studentët e tij.
Zoti Traja, jeni për herë të parë në pozicionin e kreut të një Universiteti, cili është vizioni dhe risitë që do të përcillen tek studentët e rinj të Universitetit Luarasi nisur nga ky vit?
Do ta nisim nga baza. Në Shqipëri mungon fjalori i së drejtës. Teoria e së drejtës është bibla e profesionit të juristit. Lëndët e tjera janë zbërthime të saj. Ne për herë të parë do të kemi një tekst të unifikuar të “Teorisë të së drejtës” dhe do t’ua ofrojmë këtë disiplinë si lëndë të veçantë studentëve tanë që në ciklin e parë të studimeve. Është një hap praktik, që Universiteti të arrijë të unifikojë një sistem dijesh. Është një mënyrë për të kontrolluar edhe pedagogët. Ata nuk do të lejohen të dalin jashtë kornizave të këtij teksti. Është vërtet një risi. Teksti pajis studentët  me njohuritë bazë të së drejtës, pa të cilat nuk ka kuptim të japësh mësim në degët e së drejtës. Ky tekst është dogma, është edhe teoria e së drejtës, është edhe instrument i saj. Dijet janë më të asimilueshme dhe punohet me një sistem koherent. Në këtë mënyrë, ne arrijmë unifikimin mbi bazën e metodologjisë. Shqipëria nuk ka tekst për teorinë e së drejtës. Ka ekzistuar një i tillë në vitet ‘70-’80, që është tashmë i kapërcyer nga koha. Ky është një handikap i jashtëzakonshëm. Teoria e së drejtës duket si një tekst abstrakt, por në fakt nuk ka  gjë më praktike. Me botimin e këtij teksti, për herë të parë parë Universiteti Luarasi mund të jetë i vlefshëm edhe për fakultete e universitete të tjera, pasi është një tekst i unifikuar. Po kështu do të futen 2-3 lëndë të reja. Njëra prej tyre është antropologjia juridike. E drejta nuk është produkt i ligjit. E drejta është më e gjerë se kaq. Ajo shkon bashkë me njeriun. Pra, në këtë kontekst, antropologjia juridike është një lëndë e domosdoshme për të kthyer dijen në sistem. Vetëm duke marrë këto lloj dijesh, ne mund të themi se juristët që prodhojmë, e meritojnë vërtet këtë titull. Gjithçka duhet të nisë nga baza. Nëse një jurist nuk njeh themelet e profesionit të tij, atëherë do të jetë gjithmonë i mangët. Me këtë vizion ne do të edukojmë studentët tanë.
Çfarë ndryshimesh do të reflektohen në brezin e ri të juristëve pas përfitimit të këtyre dijeve?
Synojmë t’u japim studentëve parametrat realë për të qenë kritikë të ligjit. Kultura reale juridike është shtrati i teorisë të së drejtës, që do t’u mësohet studentëve. Rrethi vicioz, ku e drejta shitet si ligj, duhet të çahet. Këtë mund ta bëjnë vetëm juristë të aftë. Shqipërisë nuk i mungojnë ligjet, sic jua thashë, por i mungon substrati kulturor për të kuptuar dallimin. Praktika ekzistuese duhet të marrë fund. Juristi nuk është sekretar, as thjesht shkrues ligjesh, ai është interpretues i së drejtës. Në vendin tonë, që në auditorë përmbajta dhe forma janë shtrirë në një. E drejta shitet si ligj. Ligji është formë e së drejtës. Po t’u thuash njerëzve çfarë është e drejta, kritikojnë ligjin, nuk vënë shenjën e barazisë sic dhe po bëhet. Pa këto koncepte, juristët janë të cunguar dhe prodhohen probleme madhore në shoqëri. Prodhohet e drejta nga ligjet, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Është një sistem i ri dijesh, që duhet ngritur patjetër. Ne këtë synojmë ta bëjmë, duke futur për herë të parë me një tekst të plotë lëndën “Teoria e së drejtës”. Ajo çka ne do t’u ofrojmë studentëve, do të jetë seriozitet, dije juridike të pacunguara, pedagogë të përzgjedhur. Them me siguri që disiplina e re, lënda “Teoria e së drejtës” vjen për herë të parë në Shqipëri dhe është shtylla e gjithë ngrehinës juridike. Studentët tanë do të lënë auditorët, të mësuar me logjikën juridike, jo thjesht me leximin e neneve.
Rëndësi madhore për të arritur gjithçka, ju thatë se ka procesi i mësimdhënies në tërësi. Cila do të jetë  filozofia e pedagogëve të Universitetit Luarasi?
Është shumë i rëndësishëm procesi i mësimdhënies. Filozofia e pedagogëve tanë do të jetë jo thjesht ajo skematikja, e pyetjeve dhe përgjigjeve. Me anë të procesit të mësimdhënies, ne do t’u krijojmë studentëve kuadratin e dijeve, në mënyrë të tillë që ata të kenë mundësi të lëvizin të lirë dhe të mos kthehen në papagaj, që mësojnë përmendësh dhe riprodhojnë. Për të kontrolluar cilësinë e mësimdhënies, do të ngrihet një grup i ngushtë pune, që do të kontrollojë si do të aplikohen praktikisht këto standarde që ne ofrojmë. Ne dhe pedagogët nuk do t’i lejojmë të dalin jashtë kornizave të teorisë të së drejtës. Pa diskutim që do të jenë të lirë në pjesën brenda këtyre hapësirave. Është problem shumë i madh që në shkollat shqiptare jepet sistemi i legjislacionit, jo mirëfilli sistemi i së drejtës. Legjislacioni shqiptar i ka bazat nga familja romako-gjermanike. Teoria e së drejtës do të shkojë paralel me këtë. Pra, do të synojë bazën, rrënjët. Shqipëria ka ligje të mira, por i mungon kultura juridike. Jemi përballë një mozaiku të shëmtuar, ku merren ligje dhe përkthehen por në fakt mungon përshtatja me realitetin shqiptar. Kjo, sepse mungon iniciativa që në shkollë, aty ku përgatiten juristët. Vështirë se mund të transmetohet saktë dija pa një sistem të ngritur mbi baza të shëndosha. Shkolla jonë e lartë për Drejtësi merret me formën që janë ligjet, por nuk merret me përmbajtjen që është e drejta.
Nga sa po kuptoj, ndryshe nga sa është bërë, deri tani Universiteti Luarasi do të fokusohet tek e drejta në tërësi jo thjesht tek ligji, në mos gaboj.
Ekzakt. Sepse e drejta është ngrehina jua thashë. Ne do të fokusohmi tek e drejta, sigurisht pa anashkaluar ligjin. Nëse Universiteti Luarasi “çka them se do ta arrijmë” do të japë dijen me filozofinë që ju përmenda, juristet e nesërm do të kenë aparatin për të kritikuar ligjin. Momentalisht kemi juristë të dobët, sepse janë të dobët në dije. Dija e pakët të bën frikacak dhe të tërhequr, ne nuk duam këtë nga studentët tanë. Teoria e së drejtës do të jetë lënda bazë, pastaj kurrikulat përmbajnë një sërë lëndësh të tjera, që plotësojnë kuadrin e dijeve. Ata janë mekanizma në funksion të një makinerie. Të gjitha këto duhet të jepen në sfondin e një filozofie juridike. Në Shqipëri vepron logjika e forcës, jo forca e logjikës. Qytetarët shqiptarë nuk e dinë ende që prapa një ligji qëndron një e drejtë. Nuk mjafton kjo, kultura është shumë deficitare. Kemi blloqe ligjesh të kopjuara dhe, me mënyrën si funksionojnë gjërat, kemi dhe pushtet të infektuar. Shteti duhet t’u bindet parimeve të së drejtës, nuk mund të ndodhë ndryshe.
A do të ketë ndryshime të mëtejshme me kurrikulat, shkëmbim eksperience me universitete të huaja?
Do të ketë ndryshime në kurrikula, që do të bëhen gradualisht. Impakti i vërtetë do të duket vitin e ardhshëm. Ne duam të bëjmë gjëra serioze. Do të futet edhe lënda e ekonomisë, por gjithnjë duke u zhvilluar në shtratin e së drejtës dhe të ligjit. Në këtë mënyrë do të ngrihet një mikroteori, që do të lidhë të dy sektorët. Universiteti Luarasi do të zgjerojë më tej rrjetin e binjakëzimeve me universitete dhe institucione të huaja. Në auditorë do të ftohen lektorë të huaj, gjyqtarë të Luksemburgut, por referimet e tyre do të jenë të tilla, që do t’i përgjigjen nevojës që ka sot Shqipëria në këtë fushë dhe jo kuturu. Në këtë mënyrë, studentët do të arrijnë të bëjnë qasjen e eksperiencës me atë që duhet në vend. Studentëve gjithashtu do t’u mundësojmë vizita në institucionet ndërkombëtare të Drejtësisë. Universiteti Luarasi ju them se do të prodhojë juristë të fortë, jo thjesht shkrues ligjesh.

Nga Gjykata e Strasburgut te “Luarasi”

Ushtron profesionin e juristit, duke filluar nga 1978 dhe është mbajtës i titullit të avokatit, duke filluar prej vitit 1998. Z. Traja gjatë karrierës së tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e Drejtësisë, kryesisht në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë, gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtar i parë shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Strasbourg (1998-2008), si dhe duke ushtruar detyra të rëndësishme në administratën e Drejtësisë deri në zv.ministër i Drejtësisë. Për shumë vite ka ushtruar detyrën e pedagogut në Fakultetin e Drejtësisë, katedra e së Drejtës Kushtetuese, si dhe është autor i botimeve te rëndësishme në lidhje me të Drejtën Kushtetuese, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen kombëtare e ndërkombëtare e të drejtave te njeriut. Aktualisht është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës. Z. Traja zotëron gjashtë gjuhë të huaja: italisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, serbo-kroatisht dhe turqisht. Kristaq Traja ka qenë anëtar i të gjitha komisioneve për hartimin e Kushtetutës në periudhën 1991-1997.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura