Portieri i Bajernit të Mynihut dhe i kombëtares gjermane, Manuel Nojer, ka fituar 500 mijë euro në kuicin e njohur ndërkombëtar, “Kush do të bëhet milioner”, në Gjermani. Sidoqoftë, edhe pse fati, aftësitë dhe njohuritë e tij e shpërblyen me një shumë të tillë të majme, Nojer u tregua shumë zemërgjerë, teksa 500 mijë eurot e fituara ua dhuroi organizatave që merren me ndihma humanitare. “Tashmë nuk guxoj të luaj lojëra të fatit, sepse duhet t’i kthehem stërvitjes me Bajernin e Mynihut”, – ka thënë Nojer në emisionin përkatës, që po transmetohej në televizionin gjerman RTL.
Portieri i gjeti të gjitha përgjigjet, deri në pyetjen e dhjetë të drejtuesit të emisionit, ndërsa në këtë moment, duke pirë një pije freskuese, e revizionoi vetveten. Përpara alternativës “ndihma e publikut” apo “telefonoji një miku”, e cila mund t’i jepte përgjigjen e saktë të pyetjes së dhjetë, Manuel Nojer, pasi u mendua pak, tha: “Loja ime mbaron këtu, nuk dua të rrezikoj më tej”, duke ruajtur shumën e fituar deri në atë moment, 500 mijë euro. Përkrah portierit të kombëtares gjermane kanë qenë lojtarë të këtij kuici të famshëm edhe shumë sportistë e artistë të tjerë të njohur, por Nojer ka rezultuar më i suksesshmi në mesin e tyre.
© Panorama.al












