FATOS LUBONJA (vijon nga numri i kaluar)
Ç’është e vërteta, Edi Rama e ka edhe më të vështirë operacionin plastik që kërkon të kryejë me Kurbanin e tij, sepse libri/personazhi që kërkon të zëvendësojë veprën/personin është shumë më afër në kohë dhe i mungon mbështetja ndërkombëtare që ka fituar Kadareja, jo pa mundim të vetin e të regjimeve të asaj kohe e të kësaj kohe, edhe pse ka punuar shumë për këtë duke e ditur se kjo peshon aq shumë te shqiptarët e frustruar nga kompleksi i inferioritetit ndaj Perëndimit. Jo vetëm, por vepra e tij, që është Tirana, nuk është e fshehur nëpër biblioteka mes librash e gazetash të pluhurosura e që, tek e fundit, dikur edhe mund të digjen e të zëvendësohen, me dekret qeveritar, nga versioni i fundit i shkrimtarit kombëtar të mbretërisë së gënjeshtrës. Operacioni plastik i Edi Ramës është shumë më i vështirë pasi ai duhet të na heqë nga pamja me Kurbanin e tij volume masive betoni e çimentoje pallatesh shumëkatëshe e të na rishfaqë pamjen e malit të Dajtit, të lulishteve, të oborreve të shkollave, të fushave të sportit, të kinemave të vjetra të qytetit, të qindra shtëpive të Tiranës historike të zhdukura nën ruspat e miqve të tij të korrupsionit. I duhet që pusin e thellë me gradaçela, siç kishte ndërmend ta bënte qendrën e Tiranës për interesa kësisoji, të na e paraqesë si mrekulli arkitektonike; i duhet të na heqë nga mushkëritë pluhurin e gazin që po na helmon e kancerizon mushkëritë. Silikoni i Edi Ramës, i ngjyer me jeshil, duhet të na shfaqet gjithandej para syve në formë bari për të mbuluar çimenton, pluhurin, gazrat e plehrat. Megjithatë, ai guxon paturpësisht ta bëjë këtë pasi e di se vetëm turpi s’ka kuptim në këtë mbretërinë tonë të gënjeshtrës që ekziston në ndërgjegjen e imponuar kolektive të banorëve të saj në formën virtuale të një vendi që, qysh në kohën e romakëve, si një hero kryelartë e i pamposhtur, e ka çarë historinë me shpatë në dorë: që ka mundur romakët, barbarët, bizantinët, osmanët, italianët, gjermanët, imperialistët, socio- imperialistët; në këtë Shqipërinë tonë ku Kryeministri i vendit inauguron një rrugë në fund të 2011-s dhe u thotë bashkëkombësve të vet se kjo rrugë është edhe një mirënjohje për Skënderbeun që ka luftuar në këto anë në 1400- n. Aq më tepër kur ke në shërbim një hordhi gazetarësh injorantë e servilë dhe intelektualësh të tredhur që në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, të cilët kanë hall të parë ta kenë mirë me pushtetin, pasi ky të bëhet garant jo vetëm i mbijetesës ekonomike, por edhe i suksesit, aftësisë, talentit. Në fakt, Edi Rama ka përvojë jo të pakët në zanatin e operacionit plastik. Kulturën e manipulim- simulimit dhe metodat e saj të mendimit e krijimit i ka provuar me sukses të rrallë dhe më parë. Në këtë pikë, madje, më duhet të pranoj se metafora që përdora me operacionin plastik ka një kufizim, pasi ajo nënkupton sikur personi të ketë pasur një fytyrë dhe, pastaj, kur shndërrohet në personazh të pushtetit e të mediave, na shfaqet një tjetër. Kur e mendoj pak më thellë, veçanërisht duke pasur parasysh personin e Edi Ramës, më del se ndoshta vetëm ata që e shohin së jashtmi mund të flasin për një operacion plastik duke krahasuar pamjen që i kanë parë me atë se si ai na shfaqet. Kurse për personazhin së brendshmi nuk jam i sigurt se mund të thuhet se e ka një vetëdije të vetvetes që pastaj e transformon qëllimisht nëpërmjet operacionesh plastike të vazhdueshme. Më duket se është më e drejtë të thuhet se ka një kategori njerëzish, që janë vetëm personazhe pa qenë asfare persona, pasi ata ia adoptojnë gjithnjë vetveten rrethanave, ambientit, interesave, duke mos marrë asnjëherë asnjë ide seriozisht, veçanërisht atë që quhet e vërtetë, pasi kjo mund t’u bëhet pengesë për aktrimin e tyre në skenë. Është si të imagjinosh një aktor për të cilin jeta e tij jashtë skenës të mos ekzistojë, ose më mirë të themi, sikur e amputon atë, pasi, për të luajtur sa më mirë identitetin e personazhit që i kërkon regjia e radhës, i është më e volitshme të mos ketë fare identitetin e tij apo një gjykim përfundimtar për diçka. Vini re, pasi nuk ka lënë gjë pa thënë për Ilir Metën dhe llumin ku ai ka rënë, Rama përfundon duke thënë se “s’është e thënë që kjo të jetë e vërteta ime e fundit për Ilir Metën”, “kjo botë është e bukur se nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë”. E ka thënë edhe Shekspiri në “As you like it” (Si t’ju pëlqejë) se e gjithë bota është një skenë dhe njerëzit, burrat dhe gratë e saj, nuk janë veçse aktorë që luajnë pjesë të ndryshme në të. Mirëpo Shekspiri bën ironi të hidhur. Në fakt, kush i ka njohur aktorët e vërtetë të skenës dhe jetën e tyre – e them këtë duke pasur parasysh jo vetëm aktorët e skenës, por edhe ata të jetës – e di mirë se nuk mund të “luash” vërtet bindshëm një personazh pa qenë më së pari brenda vetes një person. Edi Rama, si në jetë, edhe në këtë libër, na shfaqet si një personazh i luajtur keq mu pse brenda tij mungon personi. Më kujtohet një miku ynë i përbashkët që thoshte me shaka se Edi Rama, po t’i dalë natën ndonjë makinë përpara, rrezikon të bjerë nën rrotat e saj pasi do t’i dalë përpara duke kujtuar se fanarët e saj janë projektorë të skenës. Ajo që i ka ndodhur në jetë – por edhe në këtë libër – është pikërisht ngatërrimi i makinës së rëndë shtypëse të pushteti me dritat lajkatare të skenës. * * * Duhet pranuar, megjithatë, se nuk është kaq e thjeshtë analiza kur e ngremë çështjen e personit që humbet vetveten duke u bërë personazh, pasi, në fakt, askush nuk mund të pretendojë se është një person i vetëm që kur lind e derisa vdes. Në fakt, ne mësojmë gjëra të reja dhe, duke mësuar, ndryshojmë; ne besojmë në diçka, por duke mësuar diçka tjetër ne e humbasim besimin e parë duke përqafuar një tjetër; ne kemi një profesion dhe ushtrojmë një tjetër; shpesh ne bëjmë aq shumë gabime, sa jeta jonë mund të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh. Atëherë pse t’i biem në qafë Edi Ramës; pse duhet të kapemi te gjërat që ai ka thënë dje për t’ia hedhur poshtë ato që thotë sot në Kurbanin e tij e ta quajmë personazh pa person? Sipas mendimit tim, sepse me gjithë ndryshimin e vazhdueshëm, ka diçka që mbetet e pandryshueshme apo që duhet të mbetet e pandryshueshme që ne të mos e humbasim personin/vetveten në rrugën e kërkimit të së vërtetës. Kjo është ndershmëria: në raport me vetveten më së pari dhe pastaj edhe me të tjerët. Vërtet njeriu mund të bëjë aq shumë gabime sa jeta e tij të quhet një ndreqje e vazhdueshme gabimesh, por, ama, vetë ekzistenca e gabimit, sikurse thotë Popperi, në kundërshtim me ata që në emër gjoja të relativizmit justifikojnë çdo gënjeshtër, nënkupton kërkimin e së vërtetës. Dhe ky kërkim nuk mund të kryhet pa dritën e ndershmërisë, e cila s’ka se si të mos na çojë dhe tek njohja e gabimeve tona. Është kjo, mosnjohja e gabimit, ajo që e komprometon rëndë librin e personazhit Rama. Thuajse në çdo faqe të librit ai s’bën tjetër veçse largon gabimin dhe fajin nga vetvetja. Të vetmen gjë që pranon janë gabimet në ndryshimet kushtetuese, por edhe ato pa na shpjeguar sinqerisht motivet e vërteta, por në funksion të asaj se rindreqja e tyre i duhet për nesër. Dikush më tha se këtë libër Edi Rama e ka shkruar si psikoterapi pas humbjes së Tiranës. Është e vërtetë se një libër mund të shërbejë edhe si psikoterapi, paçka se profesionistët thonë se psikoterapinë duhet të ta bëjnë të tjerët, jo vetvetja, pasi ka shumë rreziqe që, në këtë mënyrë, ta thellosh sëmundjen. Por edhe ata që arrijnë ta bëjnë vetëterapinë – thonë se Frojdi ishte një i tillë – e arrijnë nëpërmjet një bashkëbisedimi të thellë intim me vetveten. Kurse Kurbani i Ramës vetëm bashkëbisedim me vetveten, introspeksion, nuk ka. Ai, me një ekzibicionizëm e ekstroversitet arrogant, thjesht bën kurban të tjerët për të larë vetveten duke e thelluar kësisoj dramën e tij të mungesës së gjetjes së vetvetes e të realitetit. * * * Po ndalem vetëm në një moment të librit: ai i së vërtetës së futjes së Edi Ramës si intelektual në politikë. Nuk është hera e parë që Rama shpalos gënjeshtrën se ai hyri në politikë ashtu rastësisht, pas vdekjes së të atit, se këtij artisti dhe intelektuali iu lutën që të kryente sakrificën e të bërit politikan, që ai e pranoi vetëm e vetëm për t’u bërë mirë shqiptarëve. Nuk është vendi në këtë artikull për të bërë memuaristikë duke hyrë në kujtime personale që provojnë se nuk është kështu, por nuk mund të mos i referohem diçkaje që thotë për miqësinë time me të për çka është abuzuar shumë këto vite, ndërkohë që unë s’kam shkruar asnjëherë, pasi kam gjykuar se si gazetar duhet të merrem me punën e tij dhe fenomenet që përfaqëson si person publik: “… një miqësi e dashur që e humba kur zbrita në arenën politike… një histori kjo jo aq e lehtë për t’u shpjeguar sa ç’mund ta bëjë Fatosi…”. Do ta komentoj këtë duke u marrë me thelbin e së vërtetës që Edi Rama ia fsheh më së pari vetvetes dhe pastaj të tjerëve, pasi më duket tejet i rëndësishëm ky moment për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për intelektualët shqiptarë, pasi ka të bëjë me raportin e tyre me pushtetin politik. Do të përpiqem ta bëj duke pasur parasysh se sigurisht çdo histori është e komplikuar për t’u shpjeguar, nganjëherë nuk kemi as instrumentet kulturore për ta shpjeguar, por e rëndësishme është të kesh qëllimin e sinqertë për ta shpjeguar atë, ndershmërinë intelektuale, dhe jo synimin për ta shtrembëruar. Pyetja që duhet të shtronte Edi Rama, po të shkruante një libër të vërtetë, duhet të ishte se çfarë humbi ai duke hyrë në politikë: miqësinë me Fatosin, apo ndonjë gjë tjetër shumë më të rëndësishme? Përgjigjen se çka humbur nuk e thotë te Kurbani, por e ka thënë shumë kohë më parë, në një intervistë të pambaruar, fragmente të së cilës i kam cituar në një shkrim që botova në “Koha Jonë” të nesërmen e goditjes që i bënë njerëzit e Berishës në fillim të vitit 1997: “Intelektuali nuk kërkon vota, por kërkon të vërtetën”. Pyetja që shtrohet sot është: a e ka pasur ndonjëherë synim të vërtetën ky njeri? Mua, nga përvoja e viteve në vazhdim më rezulton se jo, se edhe të vërtetat që shkruante asokohe kur ishim miq, edhe me gabimet që mund të mbanin, nuk synonin të vërtetën, por, nën diktatin e egoizmit të pafre dhe me metodat e kulturës së manipulim simulimit, synonin pushtetin. Kjo është e vetmja e vërtetë e pandryshueshme e Edi Ramës. Sa për miqtë dhe miqësinë, njerëzit që e duan pushtetin si Rama, e të mbrujtur me kulturën e manipulim- simulimit, nuk e njohin atë. As atë thënien e famshme të Kantit: “Mallrat kanë një vlerë, njerëzit një dinjitet”. Kultura e manipulim- simulimit, si kulturë e njerëzve të pushtetit, në vendet jodemokratike veçanërisht, miqtë edhe mallrat i sheh në të njëjtën mënyrë: si sende që blihen dhe shiten, që përdoren e hidhen kur nuk ju duhen më, e që rimerren përsëri po t’ua lypë interesi. Asgjë nuk ka të vërtetë në atë që thotë Rama se ai u fut rastësisht në politikë, më 1998-n, duke sakrifikuar artin për t’u bërë mirë shqiptarëve. Ai pushtetit i ka ardhur rrotull që me kohë dhe deri këtu s’ka ndonjë gjë të keqe; njerëzore është kjo; e keqja qëndron në llojin e raportit të tij me pushtetin dhe këtu diskutimi e tejkalon Edi Ramën dhe librin e tij. Një nga gjërat që vihet re sot si simptomatike në shoqërinë shqiptare është hipertrofizimi i politikës. Shpjegimi është i thjeshtë: pa qenë në politikë, pa pasur mbështetjen e pushtetit politik, direkt apo indirekt, nuk je thuajse asgjë në Shqipëri. Në këto kushte, sigurisht, njerëzit ndjehen “të vegjël”, duke e krahasuar veten me politikanët tanë – siç thotë ai për mua, duke i shpjeguar me këtë frustrim timin, shqelmat që unë hedh kundër politikanëve, pa e kuptuar se, në fakt, ka projektuar vetveten tek unë. Personalisht frustrimin e kësaj “vogëlsie” përpara politikanit e kam provuar në mënyrën më dramatike në qelitë ku më plasi Enver Hoxha dhe e pranoj se ky frustrim mund të të çojë shumë kollaj te tundimi i pushtetit. Është një nga tri tundimet që Djalli i shfaqi edhe Krishtit. Kush mund ta mohojë se nuk e ka provuar dhe nuk e provon këtë tundim, veçanërisht në një shoqëri si kjo e jona. Por, tek e fundit, njeriu është zgjedhja që bën, veprimi i tij, dhe jo tundimi e tij. Dhe këto zgjedhje kondicionohen shumë edhe nga kultura e tij, edhe nga morali i tij, edhe nga njohja e realitetit që jeton. Personalisht bëj pjesë ndër ata që në zgjedhjet dhe veprimet që kam bërë në liri s’jam nisur kurrë nga mendimi se për t’u ndjerë/bërë “i madh” duhet të futesh në politikë dhe as se për të pasur sukses në art a letërsi duhet t’u shërbesh të pushtetshmëve. Përkundrazi, edhe jeta që kam pasur në diktaturë më ka mësuar se kategoritë “i vogël”, “i madh” jo vetëm që janë shumë relative, por i përkasin një kulture antidemokratike dhe se duhet të luftojmë për një shoqëri të barabartësh, e jo të mëdhenjsh e të vegjlish. Miqësia ime me Edi Ramën u krijua në krye të herës, të paktën nga ana ime, pasi ai m’u paraqit si një kontestues i kulturës autoritare, i modelit të intelektualit që lidhet me pushtetin për të arritur suksesin. Një nga gjërat që e bëri atë simpatik në sytë e mi ishte pikërisht kontestimi i veprës së baballarëve që i ishin nënshtruar kësaj kulture duke filluar që nga i ati dhe deri te Kadareja. Besova se po inauguronte një gjeneratë të re intelektualësh në Shqipëri së bashku me demokracinë; të intelektualëve që janë “counterpart” i pushtetit, që kërkojnë të vërtetën, e cila, shpesh, sidomos në një vend si Shqipëria, është me pakicën, dhe jo me votën e shumicës, intelektualë që sipas meje janë shumë më të rëndësishëm sesa politikanët në një shoqëri – thuaj po deshe edhe më “të mëdhenj” se ata. Nuk na lidhte, pra, ndonjë miqësi fëmijërie apo nga ato të burgut, por ndarja e një sërë parimesh e vlerash në të cilat mendoja se besonte ashtu si unë. Ai e di shumë mirë zhgënjimin tim ndaj një artikulli të tij plot me servilizma për Fatos Nanon, të shkruar nga Parisi në pranverë 1998 (ndërkohë që unë, akuzoja qeverisjen e tij “shkërdhatokraci”) ku i shkruaja: “Në emër të ruajtjes së kësaj ndjenje (miqësisë FL), […] desha të të them se je shumë i lartë dhe shumë i madh që të katandisesh në një shkop që i duhet X-it për të përzierë së bashku me Y-in një supë që e ha Fatos Nano me …”. Po i lë me “X” dhe “Y” emrat e personave të tjerë, pasi koha më provoi se “kuzhinieri i supës” nuk qenë ata, por dora vetë Edi Rama, i cili po përgatitej (me servilizma pa fund ndaj Nanos, së bashku me sivëllain e tij, Ardian Kosin) të bëhej ministër; siç më provoi po ashtu, kur Edi Rama hipi në pushtet, se llafet e tij të mëdha për intelektualin që kërkon të vërtetën, për antiautoritarin, kishin qenë një blof i madh, një aktrim, për të arritur te baballarët. Ai, në një farë mënyre, u bë përsëritës i babait e jo një kontestues i tij. Madje mund të thuhet se ai e çoi në shkallën më të lartë të mundshme modelin e intelektualit që e arrin suksesin nëpërmjet pushtetit. Duke tentuar të përdorë pushtetin për të bërë edhe artistin, edhe intelektualin e suksesshëm, ai u bë një personazh imitues i liderëve famëkeq që nxori shekulli XX me bollëk dhe në mënyrë dramatike. Një karikaturë e tyre, sigurisht, pasi kohët kanë ndryshuar, por jo pa pasoja të rënda kur ke parasysh shkatërrimin që i shkaktoi Tiranës apo sistemin e tmerrshëm mediatik që krijoi nëpërmjet pushtetit të tij për të ushqyer narçizizmin, ekzibicionin dhe etjen e tij të pafre për pushtet. A është kaq “e thjeshtë” sa ç’po e tregoj unë kjo histori? Sigurisht jo, por më duket se është një tentativë shumë më e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë sesa shpjegimi i asaj se pse në vend të “miqësisë së dashur” me Fatosin ai zgjodhi “miqësinë” me lloj-lloj mashtruesish e trafikantësh të njohur e të panjohur, me fjalët “na ndau skena e politikës”. Libri i tij më vërteton se nuk ka kuptuar asgjë nga këto teksa e shoh se si, në stilin e kujtimeve të Enver Hoxhës, lëvdon “miqësitë” e mbrapshta që ka lidhur e merr nëpër gojë me arrogancën e pushtetit “miqtë” dhe “armiqtë” e tij pa pasur asnjë skrupull ndaj së vërtetës (përveç kalkulimit nëse i duhen apo nuk i duhen për karrierën e ardhshme politike); ku spikat, mungesa e inteligjencës për të kuptuar se askush vërtet inteligjent nuk i beson ato që po thotë, injorimi i dëshmitarëve me idenë se ata ose janë “të mundur”, ose i skualifikoi si armiq, ose nuk mund të flasin pasi i kam nën pushtet apo i kam korruptuar. * * * Të dy personazhet e këtij shkrimi, Kadareja dhe Rama, takohen në një moment shumë interesant të librit të Kadarejve, që flet shumë për klimën e hipokrizisë dhe të pabesisë që mbretëron në gjirin e së ashtuquajturës elitë të kësaj mbretërisë sonë të gënjeshtrës. Është i paparë fragmenti në librin e Kadarejve ku këta i botojnë me datë e me orë SMS-të që Edi Rama i ka dërguar zonjës Kadare, ku i kërkon që i shoqi të bëhet President. “Zemër, a do të ndodhë mrekullia!” – thotë në njërin prej tyre intelektuali që kërkonte të vërtetën i shndërruar në kryetar të Partisë Socialiste. Kush e njeh aktorin Edi Rama nga afër, nuk mund të mos qeshë me të madhe me këto SMS e të kujtohet se një nga vetitë e rralla të tij, me të cilën mund të thuhet se e ka pasuruar kulturën e manipulim simulimit, është aftësia për të korruptuar njerëzit, përveç të tjerash, edhe duke mikluar tek ata atë dobësi njerëzore për të cilën Rusoi thotë se është e vetmja ndaj së cilës çdo njeri është i pafuqishëm: vanitetin. “Sa i madh je ti!”, “Çfarë gjeniu është ky!” – janë të shumtë ata që kanë rënë në grepin e këtij seduktori të madh pa e kuptuar se “gjenialitetin” dhe “madhësinë” e vërtetë ky njeri ia njeh vetëm vetvetes. Për hir të së vërtetës më duhet të pranoj se e kam gëlltitur edhe unë ca kohë këtë grep. Afërmendsh, Kadarejtë e dinë se po kërkon t’i përdorë. Aq më tepër duke pasur parasysh se ç’ka shkruar Rama për Kadarenë edhe për Partinë Socialiste në kohën kur shkruante se kërkonte të vërtetën. Por ata nuk i bëjnë asnjë koment këtij uriahipizmi. Kjo u prish punë. Nesër ky mund të bëhet Kryeministër e mund të na duhet për ndonjë tjetër favor si ato që na ka bërë Berisha e Meta. Pastaj, e rëndësishme për ta është që t’i tregojnë lexuesit perëndimor, për të cilin është shkruar libri, se si i luten e i bien në gjunjë shkrimtarit të madh liderët e maxhorancës dhe të opozitës. Mirë, po ç’nevojë kanë të na i shkruajnë me datë dhe me orë? do të pyesë lexuesi naiv. Pasi edhe këta e dinë se në mbretërinë e gënjeshtrës nesër historinë ky do ta shkruajë ndryshe, sikur iu lut Ismaili që ky ta bënte President, siç thotë tani për Nanon. E në këtë kontekst, pyetja që shtrohet më gjerë është: a e dinë të vërtetën e kësaj hipokrizie e të këtyre gënjeshtrave njerëzit? Agim Vinca kishte shkruar një shkrim të ngarkuar me habi për gënjeshtrat e zonjës Kadare lidhur me takimin e tij me shkrimtarin. Të më falë Vinca, por mua nuk më duket e sinqertë habia e tij. Kam frikë se, sikur të mos ishte prekur vetë ai, nuk do t’i kishte shkruar asfare ato reshta dhe ky është problemi, pasi nuk është kjo gënjeshtra më e madhe që lexojmë nga Kadarejtë dhe kritiku Vinca do të duhej ta kishte ngritur zërin atëherë, jo tani. Edhe Ardian Klosi, Pirro Misha e Ardian Vehbiu nuk se nuk e dinë të vërtetën e Edi Ramës mbi Tiranën kur shkruajnë ato që kanë shkruar në kopertinën e librit. Problemi është se – nëse do të perifrazoja Heidegerin – ne e banojmë kulturën tonë të gënjeshtrës ashtu si ngjala banon llumin e kënetës, duke jetuar në simbiozë me të. Kultura e kësaj memuaristike, në fakt, është një kulturë që e gjen rëndom në njerëzit e thjeshtë, në mënyrën se si ata tregojnë për veten apo për të kaluarën e tyre, plot mburrje e gënjeshtra. Duket sikur në një rreth vicioz, “të mëdhenjtë” tanë u adoptohen këtyre njerëzve “të vegjël” për t’u pëlqyer e njëherësh shërbejnë si modele kulturore për ta. Këta lloj librash e riprodhojnë këtë llumkulturë dhe kjo llumkulturë riprodhon këta lloj librash e këtë model intelektuali që nuk e di nëse do të emancipohet ndonjëherë. Në mbyllje të këtij shkrimi dua t’i kërkoj ndjesë lexuesit, nëse ashtu sikurse i duket Edi Ramës, i duket edhe atij se kam treguar në këto radhë një “superioritet të fryrë moral”, a thua se veten e konsideroj si peshk që nuk jeton në kënetën e kësaj llumkulture, sikur të mos i kem edhe vetë mbi shpinë njollat e saj. E siguroj lexuesin se nëse ai i gjen këto tone, ato vijnë nga të ndjerit keq në këtë llum, nga nevoja për të ulërirë se s’duhet të pranojmë të jetojmë në këtë llumkulturë – në emër të më shumë dinjitet dhe më shumë lirie për të gjithë – dhe jo pse dua të nxjerr veten të larë prej saj. Këtë shkrim, madje, e konsideroj shprehje të të gjithë atyre që e kanë vuajtur dhe e vuajnë kulturën e manipulimsimulimit në mbretërinë tonë të gënjeshtrës e që janë shumë më të numërt nga ç’i mendojnë pushtetarët që e shohin Shqipërinë vetëm nga ekranet mediatike.
*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: “Memuaristika si operacion plastik”











