
Atentati ndaj Skerdilajd Konomit terrorizon përfaqësuesit e Drejtësisë në vend.Dy kërcënime me jetë janë denoncuar në Prokuroritë e Durrësit dhe të Elbasanit, duke çuar në pranga dy autorë. Njëri prej tyre është avokati Vangjel Muzina, 64 vjeç, i arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet të jetë autori i kryerjes së disa telefonatave kërcënuese ndaj një gjyqtari të këtij rrethi. Muzina është prangosur dje në orët e para të ditës, pasi strukturat e investigimit të policisë kishin mundur të identifikonin autorin e thirrjeve kërcënuese. Paraprakisht dyshohet se avokati e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, pasi gjyqtari nuk ka pranuar të ndryshojë qëndrim lidhur me një dosje civile, të cilën e kishte në shqyrtim. Tri ditë më parë, më datë 10 shtator, në mjediset e policisë është paraqitur gjyqtari F.H., i cili ka dëshmuar se është kërcënuar për jetën nëpërmjet thirrjeve telefonike nga një numër telefoni. Personi nga ana tjetër e telefonit nuk i ka bërë të ditur identitetin, ndërsa gjyqtari ka dëshmuar në polici se atij i është kujtuar disa herë fati i kolegut të ekzekutuar, Skerdilajd Konomi. Gjyqtari F.H. ka bërë përpjekje të identifikojë personin, duke tentuar disa herë të mësojë për arsyet që e kanë shtyrë kanosësin ta shqetësojë sistematikisht në këto ditë të fundit. Për kanosje është përdorur një telefon i markës “Nokia”, që tashmë është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Gjyqtari u ka dhënë agjentëve të policisë disa detaje lidhur me zërin, pretendimet e palës kërcënuese dhe dyshimet lidhur me autorësinë. Pasi kanë shtënë në dorë kallëzimin penal, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë kërkuar një autorizim për të përgjuar numrin e telefonit të gjyqtarit F.H.. Policia pretendon se e ka identifikuar autorin. që ka përdorur me keqdashje thirrjet telefonike dhe ka fyer gjyqtarin. Ndërsa në Elbasan, kërcënimet kanë qenë ballë për ballë nga vëllai i një të pandehuri për vrasje ndaj prokurorit dhe gjyqtarëve të çështjes. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës të së martës, ku trupi gjykues, pasi ka dëgjuar pretencën e prokurorit Bledar Mustafaraj, ka dhënë vendimin për 21 vjet burg në ngarkim të shtetasit Refat Filja, 42 vjeç, me banim në fshatin Gurabardh të qytetit të Elbasanit. Ndërkaq, pasi ka dëgjuar dënimin e të vëllait, shtetasi Skënder Filja, i pranishëm në këtë seancë gjyqësore, ka nisur të kërcënojë prokurorin e çështjes, Bledar Mustafaraj, me vdekje. Prokurori i rrethit, Elvin Gogaj, tha për “Panorama” se “Skënder Filja nisi të kërcënojë duke thënë: do t’ju vë eksplozivin, do t’ju vras të gjithëve, do t’ju pjek dhe do t’ju djeg”. Fill pas këtyre fjalëve kanosëse që zgjatën përreth 10 minuta në dalje të dhomës ku po zhvillohej seanca gjyqësore, kërkova ndalimin e këtij shtetasi”. Kryeprokurori i Elbasanit theksoi se: “asnjë qytetar nuk ka të drejtë të kërcënojë Drejtësinë shqiptare. Jam i vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe të gjithë ata shtetas, të cilët do të kryejnë vepra të tilla penale, do të përgjigjen sipas ligjit”. Ndërkaq, seanca e gjyqit është mbyllur në ngarkim të shtetasit Refat Filja, ndërsa tashmë i vëllai i tij është ndaluar dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Çështja e Elbasanit
Vëllai i Skënder Filjes, shtetasi Refat Filja, më datë 14 prill të vitit 2008 vrau një 33-vjeçar, babanë e gjashtë fëmijëve dhe i plagosi vajzën 6-vjeçare. Pas problemeve me motive pronësie, Filja hodhi një granatë në verandën e banesës së shtetasit Shpëtim Sallaku, ku bashkë me të ndodheshin edhe gjashtë fëmijët e tij. Prej tre vjetësh, shtetasi Refat Filja ka kryer një sërë procesesh gjyqësore për akuzën “vrasje me dashje dhe plagosje e rëndë” dhe dje prokurori dha pretencën, e cila u mbështet edhe nga gjykata.
Çështja e Durrësit
Nga hetimet e kryera rezulton se gjyqtari dhe avokati Muzina kanë pasur mes tyre replika lidhur me një çështje civile. Disa kohë më parë, në Itali është bërë një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi. Gjykata e Durrësit, në bazë të letër-porosisë, si dhe dosjes së përcjellë nga pala italiane, ka shqyrtuar çështjen e dhënies e të ndarjes së siguracionit të përfituar nga të afërmit e viktimës. Gjyqtari ka dhënë vendimin që nuk është pëlqyer nga avokati Muzina, deri në kërcënimet me telefon. Nga ana e tij, Muzina, me përvojë 30-vjeçare si jurist, nuk e ka pranuar akuzën.
Arjan Konomi: Dy vitet e fundit, Skerdilajdi ua kushtoi pronave

Gazetari Arjan Konomi, kushëri i afërt i gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, ka përforcuar mbrëmë dyshimet se vrasja e 33-vjeçarit ka ndodhur për shkak të pronave në Durrës. “Nuk kishte shkak të ndodhte për detyrën”, theksoi Konomi. Gjatë një deklarate në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, Arjan Konomi theksoi se pas vrasjes së 33-vjeçarit me eksploziv në Vlorë, ai ka takuar kolegë të viktimës, por edhe njerëz të ndryshëm që kanë shprehur vetëm vlerësime maksimale për detyrën. Nisur nga ky fakt, Arjan Konomi tha se nuk përjashton detyrën, por ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të pronave. “Ai ishte gjyqtar, por ishte dhe trashëgimtar i një numri të madh pronash te Uji i Ftohtë në Vlorë, por edhe në Durrës, në zonën e Hamallajt, deri te Gjiri i Lalzit”, tha Konomi. Ai shpjegoi së në mënyrë të veçantë, dy vitet e fundit gjyqtari ia kishte kushtuar kohën betejës ligjore për fitimin e pronave, që i takonin me trashëgimi. “Dy vitet e fundit të jetës ai ka harxhuar shumë kohë për proceset gjyqësore, ku po përpiqej të merrte pronat e trashëguara. Ishte impenjimi kryesor i tij. Shpenzonte shumë kohë jashtë orarit zyrtar të punës”, tha gazetari Arjan Konomi. Ai theksoi se vrasja e gjyqtarit është një mesazh i keq, që i jepet jo vetëm Drejtësisë, por edhe atyre që janë në kërkim të pronave të tyre.
MIRANDA SADIKU/ LEONIDHA MUSAJ











