“Klientët” grabisin taksistin

Sep 21, 2011 | 10:56

Një taksist 57 vjeç nga Tirana është dhunuar ndërsa “klientët” i kanë grabitur paratë dhe makinën.Autorë të dyshuar të ngjarjes janë dy të rinj nga Kukësi, të cilët u arrestuan brenda 24 orëve nga oficerët e vjedhjeve me dhunë e armë të Tiranës. Burimet nga Policia thanë se autorët e ngjarjes kanë telefonuar taksistin Tomor Salillari gjatë orëve të vona të natës, duke i kërkuar që të takohej me ta tek ish-Parku i Autobusëve, në Tiranë, për t’i transportuar deri në Kamzë. Salillari, i cili drejtonte taksinë tip “Benz 250”, me targë TR 6245 I, pak minuta pas telefonatës, ka marrë në makinën e tij taksi shtetasit Bujar Leka dhe Murat Rexha, me të cilët ka udhëtuar në drejtim të Kamzës. Në momentin kur taksia po lëvizte në një zonë të pandriçuar, pak metra pasi kalon Kamzën, në drejtim të urës së Tapizës, dy djemtë kanë nxjerrë armën dhe e kanë kërcënuar 57-vjeçarin që të ndalonte. I frikësuar, taksisti ka ndaluar makinën dhe u është bindur urdhrave të dy 19-vjeçarëve, madje duke u dhënë edhe të gjitha paratë që kishte me vete, rreth 150 mijë lekë të vjetër, të fituara gjatë ditës me taksi, si dhe dy telefonat celularë. Të rinjtë nuk janë mjaftuar me kaq. Pasi e kanë goditur në kokë me tytën e armës, ata e kanë hedhur taksistin nga makina në tokë dhe kanë marrë vetë drejtimin e mjetit, duke u larguar në drejtim të Fushë-Krujës. Policia tha se taksisti ka marrë plagë në kokë. Ai është ndihmuar nga kalimtarët për të lajmëruar policinë. Ndërkohë që i plagosuri është transportuar për të marrë ndihmën e parë në spital, policia e Komisariatit Nr.5 dhe oficerët e seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë kanë nisur hetimet për zbulimin e autorëve. Duke verifikuar thirrjen e fundit në telefonin e taksistit të dëmtuar, është bërë i mundur identifikimi i dy autorëve të ngjarjes. Autorët, tashmë të arrestuar, janë 19-vjeçarët Bujar Leka dhe Murat Rexha nga Kukësi, që banonin me qira në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve, aty ku ka nisur skenari i grabitjes. Nga të dhënat hetimore është zbuluar edhe vendndodhja e makinës së grabitur. Sipas Policisë, taksia e vjedhur është gjetur në Kukës dhe i ishte shitur shtetasit Edi Muja, vetëm për 400 mijë lekë të vjetër. Makina si dhe dy  celularët që i ishin vjedhur taksistit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Për dy të arrestuarit është marrë masa e arrestit në flagrancë për “vjedhje me armë”, të kryer në bashkëpunim.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura