“Ja pse UET del i pari në rankimin e universiteteve”

Jul 18, 2011 | 10:22
Dr. Teuta Dobi

Presidentja e Universitetit Europian të Tiranës ka përshëndetur procesin e rankimit të universiteteve nga agjencia gjermane në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Dr. Teuta Dobi thotë se, duke analizuar rezultatet e rankimit, UET zë vendin e parë .

Para pak ditësh janë shpallur rezultatet e rankimit të universiteteve shqiptare. Si e vlerësoni procesin e rankimit dhe pse Universiteti Europian i Tiranës mori pjesë në këtë proces, ndërsa universitete të tjera kanë refuzuar pjesëmarrjen në të?
Siç ishte paralajmëruar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që në fillim të tij procesi i rankimit i universiteteve shqiptare përfundoi dhe rezultatet e tij u shpallën pikërisht në kohën kur u nevojiteshin për referim përdoruesve të tij potencialë, përkatësisht nxënësve që aplikojnë për të vijuar studimet në degët e preferuara në universitetet shqiptare, si dhe prindërve të tyre. Ky proces i vlerësimit të cilësisë në universitete meriton të përshëndetet fort, për faktin që u ndërmor nga qeveria shqiptare, pavarësisht sfidave të mosbesimit dhe reagimeve kundër këtij, u zhvillua me seriozitet, procedura transparente të garantuara nga operatori gjerman CHE (Centre for Higher Education Development) dhe shpalli në kohën e duhur rezultatet e tij. eshtë rasti të përshëndetet kryeministri Berisha, që pas rolit në liberalizimin e sektorit, qeveria po i mëshon cilësisë. rankimi pilot është dëshmia. Duhet guxuar më tej me rankim të plotë dhe me pikë sipas modelit anglez. Për sa i përket mënyrës së shpalljes së rezultateve, në gjykimin tim, ka vend për vërejtje, pasi siç ishte deklaruar paraprakisht, këto rezultate do të shpalleshin në mënyrë zyrtare dhe njëkohësisht në një numër mediash, si dhe do të ofrohej po zyrtarisht edhe informacioni i duhur për publikun për të interpretuar saktë rezultatet e rankimit. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe madje po publikohen interpretime të gabuara dhe në disa raste të njëanshme të rezultateve të rankimit.
UET ka në themel të aktivitetit të tij garantimin e cilësisë së produktit akademik që i ofron publikut shqiptar. Për këtë ka një sërë mekanizmash të brendshëm që e sigurojnë, siç është Kontrolli i Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë i UET, një mekanizëm shumë aktiv e mekanizma të tjerë të brendshëm të garantimit të cilësisë dhe vetëpërsosjes së vazhdueshme. Garantimi i jashtëm i cilësisë realizohet nga shteti shqiptar nëpërmjet akreditimit: UET është akredituar si institucion dhe ka akredituar secilin program mësimor që ofron, duke qenë nga të rrallët në tregun shqiptar të arsimit të lartë që ofron garanci të tilla. Duke qenë se rankimi është një mekanizëm i pranuar ndërkombëtarisht si një instrument i “sigurimit të cilësisë” dhe ky proces garantohej nga Shteti Shqiptar dhe operatori CHE, UET e mirëpriti me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në rankim, pasi jo vetëm do të shpaloste vlerat e tij, por njëkohësisht do t’i ballafaqonte ato me institucionet e tjera të arsimit të lartë në Shqipëri, dhe pse jo të kuptonte se ku mund të kishte vend për përmirësim. Universitetet e tjera, që nuk pranuan të bëhen pjesë në proces, besoj se nuk kishin parasysh faktin se për sa kohë ofrohet një shërbim publik siç është arsimi i lartë, mbartet edhe detyrimi, qoftë edhe vetëm moral, për ta bërë transparente cilësinë e tij. Megjithatë, pjesëmarrja në procesin e rankimit ishte vullnetare, gjë që i jep gjithkujt të drejtën të përgjigjet siç e gjykon.
Ju përmendni se ka mungesë informacioni për të lexuar saktë rezultatet e rankimit. A mundeni të na paraqisni “çelësin” e të lexuarit të tyre?
Rankimi ofron një metodë të thjeshtësuar vlerësimi, e cila kombinon të dhënat që disponohen për indikatorët e përzgjedhur si tregues të cilësisë, duke mundësuar krahasimin ndërmjet institucioneve, që është objektivi final i saj. Vlefshmëria e këtyre indikatorëve si përfaqësues shterues të koncepteve komplekse që lidhen me cilësinë, si dhe peshimi e kombinimi drejt i tyre, po ashtu sigurimi i të dhënave për secilin indikator përbën thelbin e metodologjisë. Metoda bazë e rankimit, e përdorur nga CHE, ka disa tipare thelbësore të cilat janë: përqendrohet veçanërisht në secilën nga fushat specifike të ofertës akademike të çdo universiteti të përfshirë në rankim, nxjerr indikatorët përkatës dhe i kombinon ata sipas metodologjisë së përzgjedhur duke nxjerrë rezultat për secilën fushë të secilit universitet. Nga ana tjetër, secila fushë nuk vlerësohet vetëm në një dimension, p.sh.; vetëm nga niveli i pedagogëve që kontribuojnë në procesin akademik përkatës, por në shumë dimensione si: m2 për student, raporti student/staf akademik, indikatori i punësimit, orientimi ndërkombëtar i studimeve, të diplomuarit në periudhë normale, aspekte të veçanta të mësimdhënies, orët akademike, indikatori i cilësisë së mësimdhënies, botimet më të mira shkencore, kërkimi shkencor, reputacioni në kërkimin shkencor, reputacioni në edukim, fasilitetet që ofron etj.
Mënyra se si paraqiten rezultatet për secilin dimension të përmendur më lart është nëpërmjet disa simboleve, të cilat janë: “trekëndësh i gjelbër” – tregon vlerësimin “shumë mirë”, pra universitetet në grupin e më të mirëve; “katror i gjelbër” – tregon vlerësimin “mirë”, pra universitetet në grupin e ndërmjetëm; “trekëndësh i kuq i përmbysur” – tregon vlerësimin “jo mirë”- pra universitetet në grupin e fundit të radhitjes, për dimensionin përkatës në fushën përkatëse.
Duke qene se indikatorët, përftimi i të dhënave dhe metodologjia e përpunimit të tyre është e njëjtë për çdo universitet të përfshirë në proces, kjo bën që rezultatet e nxjerra të jenë të krahasueshme.  Nëpërmjet këtij krahasimi kuptohet se cili nga universitetet ofron cilësi më të mirë në fushën përkatëse. Çdo maturant, i cili do dëshironte të ndiqte studimet universitare, si dhe çdo student i cili do të dëshironte të ndiqte studimet Master, duhet të vlerësonte të gjitha këto aspekte të cilësisë së universiteteve që ofrojnë diplomë në fushën që ai dëshiron të ndjekë dhe sigurisht që do të duhej t’i merrte parasysh këto vlerësime të cilësisë në vendimin e tij përfundimtar.
Si paraqitet UET në rezultatet e rankimit?
UET është vlerësuar për të tre fushat e formimit akademik ku ofron diploma Bachelor dhe Master, për fushën e Shkencave Sociale, Ekonomike dhe Juridike. Duke kombinuar rezultatet e rankimit për të gjithë dimensionet e të tre fushave si më lart, rezulton se UET zë vendin e parë në të gjithë universitetet e përfshira në rankim. Kjo për arsyet që vijojnë: Në të gjitha dimensionet e të tre fushave UET shfaqet kryesisht me rezultate “shumë mirë” dhe disa rezultate “mirë”, si dhe në asnjë dimension të asnjërës prej fushave, UET nuk merr vlerësim “jo mirë”. Ky vlerësim është i vërtetë vetëm për UET. Në dimensionet madhore që lidhen me cilësinë e edukimit dhe të kërkimit shkencor, UET merr vetëm rezultatet “shumë mirë”. Kësisoj, UET shpalos para opinionit të interesuar shqiptar fuqinë e tij që është cilësia e shërbimeve akademike që ofron dhe reputacioni që me të drejtë gëzon në opinionin e publikut shqiptar, gjë që garanton studentin e UET jo vetëm për cilësinë e diplomës që do të marrë, por edhe për faktin se ajo do të vlerësohet fort nga punësuesit e ardhshëm të tij.
A ka vlerë ky proces i rankimit dhe si do të ishte e ardhmja e tij?
Rankimi i përgjigjet nevojës së studentëve dhe prindërve të tyre për të pasur informacion lehtësisht të interpretueshëm mbi vlefshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë, për ta përdorur si bazë për vendimmarrjen se ku duhet të ndjekin edukimin universitar; nxit konkurrencën ndërmjet institucioneve duke bërë publike ç’ka njihej vetëm nga brenda apo që s’ekzistonte si njohuri; nxit tek institucionet dhe grupet e tyre të interesit vendosjen e qëllimeve strategjike dhe adoptimin e politikave të tilla të investimeve që synojnë përmirësimin në rankim; ndihmon që të bëhet një diferencim ndërmjet institucioneve të tipeve të ndryshme, si dhe programeve e disiplinave të ndryshme. Gjithashtu, rankimi mund të shërbejë si pjesë e kuadrit të përgjithshëm kombëtar të vlerësimit, kontrollit dhe sigurimit të cilësisë në sistemin e arsimit të lartë, si dhe mund të ofrojë një bazë referuese për shpërndarjen e fondeve. Së fundmi, opinioni mbarëbotëror pranon se punëdhënësit i përdorin rezultatet e rankimit si bazë për rekrutimin e punonjësve të rinj. Në SHBA, sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se universiteti nga i cili diplomohet studenti është nga faktorët më të rëndësishëm në rekrutimin e tij.
Bazuar në sa më lart, besoj se procesi i rankimit duhet të vijojë në të ardhmen në Shqipëri, duke përfshirë jo vetëm katër fusha të formimit akademik, siç ndodhi këtë herë, por të gjitha fushat e formimit, si dhe të gjithë universitetet. Me qëllim që publiku shqiptar të mund të kuptonte lehtë dhe të përdorte thjesht rezultatet e rankimit, do të sugjeroja që në të ardhmen vlerësimet të përkthehen në pikë dhe institucionet e arsimit të lartë të renditen në bazë të këtyre pikëve, duke paraqitur qartë dhe pa dyshime për secilën fushë të formimit akademik, pozicionin e tyre në krahasim me institucionet e tjera që ofrojnë shërbime akademike në të njëjtën fushë. Gjithsesi, le t’i japim shtetit shqiptar dhe operatoreve që e asistuan atë në procesin e rankimit, meritën për ndërmarrjen dhe vënien në jetë të një  nisme të tillë, që gjithsesi jep kontribut në çështjen madhore të garantimit të cilësisë në arsimin e lartë.

© Panorama.al

Te lidhura