“I marrim ‘kurorën’ Dinamos”

Feb 25, 2011 | 14:38

Korçarët arritën të siguronin tri pikë ndaj Flamurtarit dhe nisur nga kjo, Duro ka treguar ambiciet e radhës, në kushtet kur Dinamo gëlon nga problemet e shumta. “Pas ndeshjes me Flamurtarin, situata është optimiste dhe kjo më gëzon, ndërsa të gjithë janë të impenjuar për një tjetër arritje pozitive në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos nesër (sot). Ne do të përpiqemi që në këtë takim të japim një lojë të mirë, që do të shoqërohet dhe me një rezultat të mirë”, ka pohuar trajneri. Më tej, Duro përpiqet t’i shpërfillë deklaratat që ka kohë që vijnë nga kampi vlonjat, edhe për ndeshjen me Dinamon, duke e konsideruar atë si një miqësore. “Natyrisht që kundërshtarin e kemi vlerësuar, pavarësisht problemeve që ai ka, por mbetet ekipi kampion, ndaj dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Nga ana tjetër, dua të them se unë jam trajner dhe bëj detyrën time dhe nuk më takon aspak të merrem me atë se çfarë thonë apo komentojnë kundërshtarët. Mua dhe gjithë ekipit na duhet të shohim vetëm përpara e të jemi me ritmin e kampionatit, kurse të tjerat janë krejt pa vlerë për ne”, shton më tej trajneri Duro, lidhur me akuzat që janë shtuar nga klubi i Flamurtarit. E parë në këtë kontekst, korçarët përpiqen t’i qëndrojnë larg vorbullës së deklaratave dhe ajo që mbetet shqetësim për Duron janë mungesat. “Kemi katër mungesa të rëndësishme, që do të thotë se na duhet të tregohemi të matur në çdo hap që hedhim. Për sa i përket formacionit, ai do të jetë i ekuilibruar për një lojë sa sulmuese, aq dhe mbrojtëse. Nuk mund të parashikojmë se kur ky ekip do të jetë në majë, pasi unë personalisht betejat preferoj t’i marr me radhë dhe një nga një. Lufta jonë vazhdon dhe do të përpiqemi që të akumulojmë sa më shumë rezultate të mira, duke filluar që në përballjen ndaj kampionëve realë nesër (sot)”, e ka mbyllur fjalën e tij, Duro.

Dinamo-Skënderbeu

Formacionet e mundshme

Dinamo: Hoxha, Pisha, Miloviç, Xhafa, Ambure, Putinçanin, Orelesi, Sekseni, Opoku, Martinena, Vila.
Trajner: A.Mërgjyshi

Skënderbeu: Shehi, Fagu, Lako, Vrapi, Arapi, Muzaka, Bratiç, Shkëmbi, J.Sefa, Soza, Joliç.
Trajner: Sh.Duro

Superiore/ Java 22

Sot
Skënderbeu-Dinamo    13:00
Besa-Laçi        13:00

Nesër
Vllaznia-Tirana        14:00
Shkumbini-Bylis        13:00

Të dielën
Flamurtari-Elbasani    13:00
Teuta-Kastrioti        13:00

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura