Brenda datës 1 tetor të gjithë tregtarët apo shitësit ambulantë duhet të lirojnë hapësirat publike. Ky është afati edhe për pronarët e bareve dhe restoranteve, të cilët në mënyrë abuzive kanë zënë vend-parkimet, apo trotuaret me tavolina. Nëse nuk zbatohet, do të ketë penalizime. “Bashkia e Tiranës u kërkon tregtarëve, ambulantëve, të licencuar ose jo, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në trotuaret e qytetit, të fillojnë lirimin e hapësirave publike që ata kanë zënë, deri më datë 1 tetor të këtij viti”, deklaroi dje për mediat zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Ajo u bëri thirrje pronarëve të lokaleve, bareve dhe restoranteve, të cilët kanë zënë trotuaret e qytetit dhe rrugët e kalimit me tavolina, të fillojnë lirimin e hapësirave publike deri më datë 1 tetor të këtij viti.”Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e këtyre subjekteve, pasi kjo masë merret në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe të krijimit të hapësirave dhe lehtësirave që u takojnë qytetarëve”, tha Bisha. Sipas saj, nëse nuk do të respektohen këto afate, atëherë Policia Bashkiake do të ndërhyjë për të zbatuar ligjin në mënyrë rigoroze. Policia Bashkiake ka nisur aksionet lidhur me zhurmat e shkaktuara nga lokalet dhe ndërtimet pa leje në Tiranë. Inspektorët kërkojnë zbatimin e ligjit nga të gjitha subjektet. Sipas tij, për lokalet e hapura ditën e premte dhe të shtunë, zhurma e lejuar është e përcaktuar sipas standardeve të pranueshme dhe mund të aplikohet nga ora 19:00-24:00. Ndërsa për ditët e zakonshme të javës, orari i lejuar është 19:00-23:00. Ambientet e mbyllura nuk kanë kufizim të orarit, por duhet të respektojnë nivelin e lejuar të zhurmës, në mënyrë që të mos shkaktojnë shqetësim në komunitet. Ndërkohë sipas të dhënave të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, janë konstatuar rreth 300 ndërtime pa leje, për të cilat janë dorëzuar akt-kontrollet si dhe është bërë prishja e rreth 30 ndërtime apo shtesave pa leje. Aksionet do të vazhdojnë në ditët në vijim.











