“Gjykata të shpallë vendimin, të mos ndikohet”

Nov 17, 2011 | 18:05
Ardian Hoxha

PRISHTINE- Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, biznesmeni nga Shkupi i zhdukur në vitin 1995, tha të enjten se vendimi i cili i kishte hapur rrugë ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri, ende nuk është shpallur zyrtarisht nga Gjykata e Lartë. Siç raporton e përditshmja maqedonase në shqip, Koha, Hixha i ka bërë apel Gjykatës së Lartë që të mos ndikohet nga klanet mafioze qeveritare dhe të bëjë punën e saj.

Ai tha se më 14 tetor 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë morën vendim që masa e sigurisë “arrest me burg” e caktuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Ilir Kumbaros, më 5 janar, 2010, të mbetet në fuqi, vendim ky që i hap rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri.

“Mirëpo sot, mbi 1 muaj më vonë, ky vendim akoma nuk është shpallur zyrtarisht nga Gjykata e Lartë. Me këtë vendim, drejtësia e Shqipërisë vendosi për të drejtën, por ajo prapë vazhdon të pengohet. Familja jonë është mirënjohëse ndaj këtij institucioni të shenjtë për vendimin që morën, mirëpo prapë mbetemi të zhgënjyer për shkak se nuk e kanë çuar punën deri në fund dhe kjo mund të ndikojë direkt në procesin e ekstradimit ndaj Ilir Kumbaros që mbahet në Angli dhe procesi të zvarritet edhe më tutje”, citon Koha, Ardian Hoxhën.

Po sipas Koha, Ardian Hoxha i ka barë apel qeverisë shqiptare, kryeministrit Berisha që të mos e pengojë drejtësinë.

“I bëj apel që të shmangin e presionin politik ndaj institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dhe të dalë e vërteta sa më parë. Jeni bërë turpi i kombit…”, tha ndër të tjera, djali i Remziut, Ardian Hoxha.

© Panorama.al

Te lidhura