“Flauti magjik”, një histori moderne divorci

Sep 27, 2011 | 12:11

Të mësuar me pyje, zogj e zana, e kemi të vështirë ta imagjinojmë moxartianen jashtë kontekstit të saj magjik. Regjisori gjerman, Stefan Neugebauer, i njohur për publikun shqiptar për vënien në skenë të veprës së Georg Büchner “Vojçek”, na ndihmon ta lexojmë një nga operat më të njohura të Moxartit, “Flauti magjik”, në një mënyrë fare të thjeshtë. Le t’i zhveshim mbretin dhe mbretëreshën nga tunikat e tyre dhe t’i hedhim tej kurorat, duke i kthyer në njerëz të thjeshtë, në dy prindër që grinden dhe në mes është një fëmijë. Në kuadrin e Tetorit Gjerman, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjitet opera me dy akte “Flauti magjik”. Megjithëqë skena e TKOB-it e ftoi publikun me shfaqjen e jashtëzakonshme të solistëve të baletit rus, “Flauti” shënon hapjen e kalendarit zyrtar të këtij institucioni. Një vepër që i takon fundit të shek. XVIII, e veshur me një tis misteri, ajo është konsideruar si “testamenti shpirtëror” i Moxartit. Nuk është hera e parë që kjo opera vjen në Tiranë, por kësaj here vjen në një frymë të re. Përveç rolit të Sarastros që do të interpretohet nga Vladimir Sazdovski, këngëtarët i përkasin të gjithë trupës së TKOB-it (Riad Ymeri, Armando Likaj, Blerta Cina, Klodiana Brahimi, Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Ardita Meni, Rezarta Qevani, Sofika Kola, Lindita Kola, Ogert Islami, etj.), ndërsa janë huazuar nga “jashtë” regjisori, skenografi, kostumografja dhe mjeshtri koncertues. Opera do të shfaqet në datat 4, 6, 7, 9 dhe 10 tetor.
Një zbërthim bashkëkohor

Regjisori Stefan Neugebauer

Regjisori Stefan Neugebauer ofron një vështrim tërësisht të ri të   operës, pa pretenduar ta shndërrojë atë në “moderne”. “Loja e këngës tek Mozarti, e sjellë në vitin 1791, është një vepër prej gjeniu sepse, së bashku me libretistin e tij Emanuel Shikaneder, ai arriti të sillte një kryevepër që do ishte aq e shumëkuptimtë dhe gjithëpërfshirëse, saqë lind pyetja: Si mund të tregohet sot kjo histori, që në dukje ngjan si një përrallë?”, thotë regjisori. Libreti na tregon se si Mbretëresha e natës synon të hakmerret, sepse Sarastro i merr të bijën, Paminën. Tamino, djaloshi hero, duhet të lirojë Paminën me ndihmën e Papagenos. Të parët “ndryshe” të kësaj vepre nis me shpjegimin se përse Sarastro, një mbret i plotfuqishëm, duhet të rrëmbente të bijën pikërisht në pallatin e tij. “Le të mendojmë thjesht që ai është babai dhe Mbretëresha e natës është gruaja e tij. Këtu kemi një konflikt familjar të dukshëm, ku të dy prindërit grinden për të bijën pa pasur ndjenjë faji. Në vendet e Europës Perëndimore, numri i divorceve, pa u vënë re, është rritur ndjeshëm. Ajo që dikur ishte një marrëdhënie plot harmoni mes prindërve dhe fëmijëve, sot duket sikur po bën pjesë në rastet e veçanta të kohës”, thotë Stefan Neugebauer, i cili këtë grindje moxartiane e ka vendosur në një shtëpi trekatëshe, me nëntë dhoma, ku çdo personazhi i korrespondon njëra prej tyre. Skenografi Markus Meyer na ofron një shtëpi-maket, të parë së larti, ku dhoma e Papagenos ngjan me një dyqan zogjsh, dhoma e Taminos është si ajo e një hoteli, apo dhoma e fëmijëve që është një dhomë tipike e lënë pas dore. “Që në uverturë dallohet çifti që grindet dhe vajza e vogël Pamina, teksa janë në tryezën e ngrënies. Pra, që këtu duket fillimi i gjithçkaje në retrospektivë, dhe zë vend historia, duke lënë të kuptohet më mirë dhe hakmarrja e mbretëreshës. Duket dhe se si Sarastro ia merr Paminën nënës nga duart, duke e lënë atë në kërkim të së bijës. Spektatori do shohë një shtëpi të hapur, si të ndarë në mes, ku çdo figurë apo grup personazhesh ka një dhomë, dhe ku do jetë e thjeshtë të lëvizet edhe mes dhomave, apo të luhet njëkohësisht në më shumë se një prej tyre. Do duket sikur shikon një ekran të ndarë në nëntë të tjerë më të vegjël”, sqaron ai. Kësaj filozofie të regjisorit, e cila ndiqet nga skenografi, i bashkohet edhe koncepti bashkëkohor në trajtimin e kostumografisë nga Regine Standfuss.

Testamenti i një masoni
Origjina e “Flautit Magjik” është e mbuluar nga mjegulla. Zyrtarisht libreti i “Flautit Magjik” është shkruar nga Schikaneder, mason i Lozhës në Vjenë, por duhet pranuar me forcë influenca në çdo varg e letrarit dhe masonit Moxart. Ai donte që kjo vepër të ishte testamenti i tij shpirtëror. Shumë i gjetur është kuptimi simbolik i veprës për t’ia dedikuar këtë meritë vetëm Schikaneder, sigurisht njeri i teatrit dhe këngëtar i shkëlqyer, me të drejtë interpretues i personazhit të Papagenos dhe jo Taminos. Nga ana tjetër, Moxart në finalen e “Rrëmbimit nga Saraji” transformon historinë romantike në një parabolë të Lessingut mbi bujarinë dhe bashkëjetesën njerëzore. Dokumente të epokës dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme pjesëmarrjen e Moxartit në Lozhën “Bamirësia”. Kjo sigurisht e ka favorizuar në studimin e mitologjisë dhe në veçanti në domethëniet e saj më të thella. Sipas disa autorëve, Mozart ka përdorur me ndërgjegje simbolike masonike, simbole që i përkasin një filozofie dhe morali të veçantë, por që ndërmjetësohen në një farë mënyre nga shpirti human e progresist i viteve ‘700. Befasues është fakti që kjo punë vazhdimisht është mbushur dhe pasuruar me simbologji të pavetëdijshme, tërësia dhe kuptimi i të cilave mbështetet mbi përmbajtje humane universale.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura