“Fitch” falimenton Greqinë, deputeti: Akropoli me qira

Jan 11, 2012 | 13:03

Akropoli

Vlerësimet e ekspertëve stimulojnë Greqinë të dalë nga eurozona.

Greqia nuk mund të shpëtohet as me faljen e 50 për qind të borxheve nga kreditorët privatë, zgjidhja e vetme për vendin është dalja nga euro. Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i një prej agjencive më të mëdha të vlerësimit të kreditimit në botë, “Fitch”. Gjatë një takimi në Londër, David O’Reily ka deklaruar se as blerja e 60 për qind të bonove të qeverisë greke nuk do të ketë efekt, duke marrë parasysh masën e borxhit që ka vendi. Sipas tij, Greqia duhet të dalë nga eurozona. “Dalja nga euro mund të jetë një opsion. Greqia mund ta zhysë eurozonën edhe më thellë në krizën financiare”, tha ai. Kriza greke ka nxitur oferta dhe ide nga më të ndryshmet brenda dhe jashtë vendit për të mbledhur para. Ndërsa deri më parë janë kritikuar të gjithë zërat nga Gjermania për shitjen e ishujve grekë apo ata nga Britania dhe Holanda për shitjen e aseteve shtetërore si monumentet më të rëndësishme të historisë greke, si Akropoli apo Panteoni, për këta të fundit është bërë një propozim nga deputetë grekë. Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Gerasimos Giakoumatos, tha se duhet shqyrtuar mundësia që Akropoli apo vende të tjera arkeologjike të Greqisë t’u jepen me qira individëve të ndryshëm për të fituar kapital e për të mbushur arkën e shtetit. Në një intervistë për radion vendëse “Hapi”, Giakoumatos argumentoi se ky opsion nuk është aspak poshtërues, siç është “të lypësh para nga jashtë ose të shohësh turistët që vijnë nga Kina apo nga Finlanda për të parë Akropolin dhe e gjejnë atë të mbyllur”. Demokracia e Re është shprehur kundër çdo mase të re për uljen e pagave dhe pensioneve apo shkurtimin e vendeve të punës që ka në plan qeveria greke, duke kërkuar stimulim ekonomik.

Mesazhi i trojkes
Këto ditë, në Athinë pritet ardhja e trojkës nga FMN, BE dhe BQE, të cilat do të vendosin nëse do të jepet ndihma e radhës për Greqinë. Ata kanë përcjellë mesazhin e qartë: nëse nuk ka përparim në zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga qeveria, atëherë nuk do të shkohet drejt lëvrimit të këstit të gjashtë prej tetë miliardë eurosh, i cili duhej të ishte marrë që në dhjetor.

Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Legarde, ku kanë diskutuar për eurozonën dhe situatën në Greqi. Merkel u shpreh një ditë më parë, bashkë me Presidentin Sarkozi, se do të bëjë çmos që Greqia të mos dalë nga eurozona. Por kreu i këshillit shkencor të Ministrisë gjermane të Financave ka vlerësuar se Greqia është tashmë e falimentuar dhe vetëm duhet të deklarojë se nuk ka mundësi për të shlyer borxhet e saj.

© Panorama.al

Te lidhura