Lënde e re për të aftësuar nxënësit në zgjedhjen e shkollës së lartë. “Edukimi për karrierën” do t’i ndihmojë ata në zhvillimin e aftësive në fusha të caktuara. Nga sa bën me dije MASH, duke filluar nga klasa e nëntë, nxënësit do të kenë mundësi që nëpërmjet frekuentimit të lëndëve bërthamë dhe atyre me zgjedhje të mund të kanalizojnë aftësitë e tyre në një drejtim të caktuar, ku mësuesit do t’i orientojnë ata sipas nivelit të njohurive. Për të dyja palët, si mësuesit dhe nxënësit, është hartuar libri i përgatitjes mbi edukimin për karrierën me metodat se si do të duhet të ofrohet lënda që nga klasat e nënta, për të kaluar më pas në shkollat e mesme. Duke iu referuar tabelës bashkëngjitur shkrimit, nxënësit, pasi të mbarojnë arsimin 9-vjeçar, do të kenë mundësi të zgjedhin vetë rrugën për nivelin e studimeve që duhet të kryejnë, për daljen sa më shpejt në tregun e punës. Sipas ekspertëve, kjo gjë do të ndihmojë edhe në shmangien e përzgjedhjeve të gabuara për vijimin e studimeve të larta.











