“Djajtë” mundin sërish Arsenalin

Jan 23, 2012 | 12:32

E dinin që nuk duhet të gabonin, pavarësisht se këtë detyrë të vështirë e kishin as më shumë e as më pak, por ndaj Arsenalit. Por Junajtid nuk i lejoi Sitit të thellonte distancën me vendin e dytë, pasi siguruan një fitore 1-2 në “Emirates Stadium”. Nuk mjaftoi vetëm dëshira për t’u hakmarrë pas asaj humbjeje poshtëruese 8-2 në fazën e parë, sepse “djajtë” kishin një mision edhe më të madh për të përmbushur, t’u bënin presion milionerëve. Prandaj Valencia dhe Uelbek u siguruan kampionëve 3 pikë, nga më të rëndësishmet e fazës në të cilën ndodhet sezoni. Përgjigjja e Van Persit në minutën e 71-të ishte vetëm një iluzion për “topçinjtë”, që e shtyjnë kështu revanshin për sezonin tjetër. Junajtid ka gjetur pikën e dobët të Arsenalit, krahun e majtë, dhe Xhuru është shënjestra. Në minutën e 35-të, Evra shkon deri në thellësi, pason për Nanin që shënjestron kuadratin, por Sczesni devijon. Rinis pjesa e dytë, dhe Van Persi humbet një gol të sigurt, nga ato që ai i bën symbyllazi, pasi Smolling rreshket, por kapiteni godet jashtë. Marrin zemër “topçinjtë”, megjithatë rastin për të dyfishuar e pati Uelbek. Ishte Mertezaker ai që rikuperoi gabimin në momentet e fundit dhe shmangu golin. Kush gabon pëson; Dhe Van Persi bën që të harrohet gabimi i mëparshëm. Pas një asisti të Çembërleinit, holandezi lëshon një diagonale precize nga një kënd i vështirë dhe realizon golin e tij të 19-të. Por Arshavin, i sapohyrë në fushë, lë hapësira për Valencian në të djathtë, dhe është pikërisht ekuadoriani që shkëmben një pasim me Park, pason për Uelbek dhe ky rikthen avantazhin për miqtë. Është shumë vonë për Arsenalin për t’u përgjigjur. Sot janë 18 pikë larg nga Siti. Praktikisht gara e titullit për “topçinjtë” ka përfunduar.

Arsenal-Mançester    1-2
Shënues: Van Persi 71’/ Valencia 45+1’, Uelbek 81’
Kartonë të verdhë: Ramsej, Koscielni, Van Persi, Rozicki, Song/ Rafael, Evra
Arsenal: Sczesni, Xhuru (Jenaris 46’), Mertezaker, Vermaelen, Koscielni, Rozicki, Song, Ramsej (Park 84’), Uollkot, Van Persi, Çambërlein (Arshavin 74’). Trajner: Arsen Venger
Man.Junajtid: Lindegard, Xhons (Rafael 17’) (Park 76’), Smolling, Evans, Evra, Valencia, Kerrik, Gigs, Nani (Skolls 75’), Runi, Uelbek. Trajner: Aleks Ferguson

Mançester Siti-Totenham
Baloteli, gol në shtesë, Siti mban kryesimin
Superndeshjen e dytë të ditës së diel në Premier Ligë e ka fituar Mario Baloteli. Sulmuesi italian ka qenë protagonisti i padiskutueshëm i Man.Siti-Totenhem, ndërsa me golin e tij në minutën e pestë shtesë u ka dhuruar 3 pikë të tjera milionerëve, të cilat i nxjerrin përkohësisht nga gara për titull “gjelat” e Herri Redknap (-8 pikë). Vetëm një minutë më parë, sfida në “Etihad Stadium” mund të ishte fituar nga londinezët që kishin barazuar avantazhin e dyfishtë të “qytetarëve”, siguruar nga Nasri dhe Leksot. Por, fati ishte me skuadrën e Mançinit, sepse Baloteli mund të ishte ndëshkuar me të kuq 7 minuta përpara fundit, kur shkeli me takë në kokë Skot Parkerin e shtrirë në fushë, duke kujtuar si një “deja vu” incidentin Pepe-Mesi (kishte një të verdhë). Ishte pikërisht Ledli King, ai që e pengoi në zonë italianin. Mbrojtësi i Spërsave ishte surpriza e Redknapit në formacionin e djeshëm, pasi nuk luante prej 4 javësh. Ndërsa Defo zuri vendin e Adebajorit në sulm, sepse togolezi nuk mund të luajë kundër klubit që e ka huazuar. I vetmi ndryshim i Sitit nga ndeshja me Uiganin ishte rikthimi në mbrojtje i Riçardsit.

© Panorama.al

Te lidhura