“Dhjetë arsyet pse s’duhet miratuar ligji i plehrave”

Nov 2, 2011 | 14:25

Aleanca kundër Importit të Plehrave ka paraqitur dje para komisionit parlamentar të veprimtarisë prodhuese dhjetë arsyet e qëndrimit “kundër” ndaj ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. E para sipas përfaqësuesve të kësaj aleance, nenet e ligjit bien në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe si referencë sillen nenet 48 dhe 49, të cilat bien në kundërshtim me nenin 1 apo nenin 6, që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve. Por konflikti brenda neneve të ligjit nuk qëndron vetëm me numrat, por edhe me konceptet që sillen. Nëse ligji synon pakësimin e mbetjeve, në nenin 48 i hapet rruga depozitimit që është “harruar” të përmendet në ligj në po këtë pikë, çka nënkupton që depozitimi lejohet. Një arsye tjetër që AKIP solli para komisionit, ishte ajo e kundërshtimit që ligji i aq shumëdiskutuar për mbetjet urbane ka me ligjin për mjedisin. “Ligji nr. 10431 datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” ka si qëllim: “mbrojtjen e mjedisit në një nivel të lartë” dhe “sigurimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të vendit”. Në nenin 7 të këtij ligji sanksionohet ‘Parimi i parandalimit’. Importimi i mbetjeve nuk kontribuon në parandalimin, përkundrazi e komprometon atë”, u shprehën përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Nga ana tjetër, ashtu sikurse ka thekuar dhe më herët kjo aleancë, në thelb ligji që po tentohet të miratohet, është në kundërshtim me direktiva të BE-së. Në argumentet e AKIP është pretenduar që qeveria të preket dhe në pikat e saj të dobëta, të cilat i ka shpallur edhe si prioritete të sajat, siç janë turizmi dhe bujqësia, të cilët dëmtohen direkt nga ky ligj. “Lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit, dy prioritete të shpallura nga qeveria aktuale. Një industri e riciklimit të mbetjeve nga jashtë ka shumë shanse të krijohet në Ultësirën bregdetare Perëndimore pranë porteve kryesore të vendit, ku edhe kostoja e transportit të mbetjeve është më e ulët”, vlerëson AKIP. Të tjera argumente kundër lidhen me mungesën e infrastrukturës monitoruese të procesit që parashikon ligji, ndërkohë që vendime të tilla sipas kësaj aleance duhet të bëhen pjesë e debateve të gjera publike. Në rrjedhim të argumenteve kundër dhe të qëndrimit ndaj këtij ligji, sot Aleanca Kundër Importit të Plehrave do të protestojë para Parlamentit me qëllimin e ndërgjegjësimit të klasës politike për të mos e miratuar këtë ligj, që cilësohet si i dëmshëm për qytetarët dhe Shqipërinë.

Mediu: Mbrojtja e pyjeve, koncesioni vetëm në pak “duar”

Rreth 240 firma që po shfrytëzojnë dhe po shkatërrojnë pyjet në Shqipëri. Impakti në mjedis është i kolosal, duke favorizuar përmbytjet e rritur ndjeshëm erozionin. Përballë kësaj situate, ministri i Mjedisit deklaroi dje se do të kërkohet të vendoset një raport i kushtëzuar mes firmave dhe prerjes së pyjeve. Çka do të thotë se do të reduktohet numri i atyre subjekteve që do të kenë të drejtën të marrin lejen e shfrytëzimit. Mediu theksoi se ka ardhur koha për një reformë të thellë. ”Është e domosdoshme nëse duam t’i ruajmë pyjet dhe t’i shtojmë në mënyrë racionale, duhet të gjejmë raportin e përgjegjësisë të përdoruesve dhe atyre që shtojnë pyjet”, tha ministri i Mjedisit. Ministri i Mjedisit ka kërkuar që të rishikohet partneriteti mes privatit dhe shtetit, në mënyrë që shfrytëzimi i pyjeve të bëhet në formë racionale. Edhe deputeti Jemin Gjana ka kërkuar që në buxhetin e shtetit të parashikohen më shumë fonde për sektorin e pyjeve, i cili, gjatë këtyre viteve është lënë jashtë vëmendjes. Në këtë takim është kërkuar që të merren masa konkrete edhe për parandalimin e zjarreve në pyje. Aktualisht kompanitë që shfrytëzojnë lëndën drusore përdorin një teknologji të vjetruar dhe jashtë standardeve. Ato nuk plotësojnë kushtet që parashikohen në lejen 1-vjeçare që kanë për shfrytëzimin e hapësirave pyjore. Këto fakte i ka pranuar edhe Ministria e Mjedisit. Kreu i këtij dikasteri ka deklaruar se për kontrata të gjata koncesionare me kompanitë duhet që të plotësohen të gjitha detyrimet, në të kundërt, ato do të penalizohen. “Ka ardhur koha që ndoshta ne duhet të shikojmë në një marrëdhënie më afatgjatë koncesionare, por sidomos me firma, të cilat duhet të kenë kritere të qarta të teknologjisë që përdorin. Pa dyshim, edhe një mbështetje të qartë dhe një garanci të qartë financiare. Duhet patjetër që ato të garantojnë një sipërfaqe që i shfrytëzojnë të gjithë logjistikën e nevojshme për mbrojtjen e pyjeve karshi zjarreve”, është shprehur Mediu.

Të rinjtë shqiptarë, punësim dhe studime të thelluara në Itali

Dhjetëra të rinj e të reja nga qytete të ndryshme të Shqipërisë futen në programin e punësimit në sajë të një marrëveshjeje të arritur mes Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Italisë dhe Universitetit Europian për Turizmin (EUFT). Kjo marrëveshje u arrit mes ministrit dr. Maurizio Sacconi dhe rektorit të EUFT, prof. dr. Salvatore Messina. Për të komunikuar këtë ngjarje të rëndësishme për jetën sociale në vend, sot paradite, në godinën e EUFT u bë shpallja e marrëveshjes me Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale të Italisë me EUFT, ku njëherazi u zhvillua dhe ceremonia e nisjes së vitit akademik. Në ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodian Pajuni, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, drejtori i Parkut Kombëtar të Apolonisë, Marin Haxhimihali dhe të ftuar të tjerë. Nisur nga fakti se sivjet përfunduan studimet studentët e parë, rektori i EUFT, prof. dr. Salvatore Messina, tha në fjalën e tij, se në sajë të formimit të studentëve në këtë institucion, sot Shqipëria ka profesionistët e saj në fushën e turizmit. “Turizmi në Shqipëri më në fund po shihet si një degë që kërkon vëmendje dhe njerëz të arsimuar. Të gjithë e kuptojnë se tashmë nuk mund të bëhen eksperimente, duke parë diçka jashtë vendit dhe duke e kopjuar. Është koha që burimet, energjitë, pasuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore të trajtohen nga ekspertë që bëjnë strategji për zhvillimin e vendit. Ne ia kemi arritur kësaj duke nxjerrë një brez të aftë profesionistësh”, tha dr. Mesina. Ai u ndal dhe në risitë që sjell EUFT në programin akademik. “Veç anës teorike, ne kemi projekte konkrete për anën praktike. Në fund të muajit nëntor, të gjithë studentët, për dy muaj do të bëhen pjesë e programit të punësimit dhe studimeve të thelluara në Itali. Ata do të punojnë atje dhe do të shohin nga afër sesi funksionojnë sipërmarrjet e mëdha turistike. Studentët do të akomodohen dhe ushqehen falas, ndërsa për punën që do të bëjnë do të marrin 1200 euro në bizneset turistike përkatëse. Ndërkohë do t’u nënshtrohet studimeve të thelluara që do të ofrohen nga profesorë të disa universiteteve shtetërore italiane, si ai i Romës, Firences, Barit, Milanos, Napolit etj. Kjo është mënyra se si ne punojmë dhe kërkojmë që studentët të jenë të aftë si në aspektin teorik dhe atë praktik”, tha Mesina. Një element i rëndësishëm i vitit të ri akademik është dhe njohja e diplomave të EUFT në Itali dhe në gjithë Europën. “Jemi i vetmi universitet në vend që kemi marrëveshje për hapjen e filialeve të EUFT në tetë qytete të Italisë për programin ‘Bachelor’. Po ashtu, pjesë e projektit është dhe çelja e filialeve të EUFT në gjashtë qytete të Italisë për programin ‘Master’”, tha dr. Mesina.

Zirina Llambro

© Panorama.al

Te lidhura