Sipas agjencisë gjermane, “Deutsche Welle”, misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, është në krizë. Përmes një reportazhi, televizioni gjerman ka komentuar shpenzimet marramendëse të këtij misioni, punën e policëve të tij në Veri të vendit, si dhe barrikadat ilegale të serbëve, të cilët nuk i njohin pikat kufitare të Kosovës. “Një ndërrim doganierësh e policësh me helikopter kushton 4 mijë euro, deri tani vetëm për këtë llogaritet të jenë harxhuar rreth 400 mijë euro, kurse i gjithë misioni ka kushtuar rreth 400 milionë euro. EULEX-i është në krizë”, komentoi gazetari gjerman gjatë dokumentarit që i dedikohej përballimit të misionarëve europianë me radikalët serbë në Veri. Tentativat e KFOR-it për të larguar barrikadat e serbëve kanë funksionuar vetëm për pak orë, duke u pasuar me rivendosjen e barrikadave të hequra dhe vendosjes së disa të rejave në rrugët afër pikave kufitare.











