“Bashkitë, abuzime me listat e pagesave për invalidët”

Jan 11, 2012 | 12:34

Spiro Ksera

Akuza e Kserës: Anëtarët e këshillave të komunave kanë futur veten në skemën e përfituesve si invalidë.

Akuza të rënda për pushtetin vendor lidhur me skandalin e pagesave të personave me aftësi të kufizuara. Ministri i Punës, Spiro Ksera, pranoi dje abuzimet me skemën e ndihmës ekonomike, duke deklaruar se ato nuk kanë shkuar në familjet ku janë destinuar. “Ka pasur vendimmarrje abuzive të këshillave komunalë dhe bashkiakë për të fryrë skemat e ndihmës ekonomike. Madje, në shumë raste janë vendosur vetë anëtarët e këshillave të komunave për ta përfituar këtë ndihmë. Gjatë inspektimeve tona i kemi evidentuar, por ligji nuk na lejoi që ne, sipas aksioneve, të përfitonim heqjen e tyre nga skema, sepse ishte vetë këshilli i komunës apo i bashkisë që vendoste për këto sanksione. Tashmë, këtë vit, këtë vendimmarrje do ta kenë drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror”, tha Ksera. Ai shtoi se po rishikohet  mënyra e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe mënyrën e funksionimit të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.”Ne nuk kemi pasur probleme me pagesat dhe mbështetjen e skemës. Kjo ka ardhur si problematikë, që disa njësi vendore nuk kanë programuar saktë për dy muajt e fundit. Ne, dhe tashmë ju, po ta verifikoni, në të gjitha degët e thesareve nëpër rrethe janë akorduar të gjitha pagesat”, tha ministri i Punës.
Në disa qarqe të vendit, personat me aftësi të kufizuar nuk i kanë marrë pagesat prej dy apo tre muajsh. Ministri i Punës u shpreh se për shkak të këtij ngërçi, qeveria tani do ta ndryshojë ligjin dhe procedurat se si përcaktohen ata që përfitojnë asistencë si persona me aftësi të kufizuar, por pa dhënë detaje si do të jetë skema e re. “Këtë vit, në bashkëpunim e Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, po rishikojmë mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe mënyrën e funksionimit të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar”, tha Ksera. Në bilancin e punës së vitit 2011 për ministrinë që ai drejton, ministri vuri në dukje uljen e papunësisë dhe rritjen e ndihmës për shtresat në nevojë të shoqërisë. “Synimi ynë është që nga shërbimet e ndërmjetësimit për punë, programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional që ofrohen nga zyrat e punës, të përfitojnë mbi 25 mijë punëkërkues. Fuqizimi i rrjetit të qendrave publike të formimit profesional do të ofrojë mundësi më të mëdha për kualifikimin e krahut të punës dhe do të rrisë mundësinë e punësimit të punërkuesve të papunë”, tha Ksera.

Shoqata, kundër ndryshimeve ligjore
Sipas Sinan Tafajt, drejtuesi i Shoqatës së Aftesisë së Kufizuar, ndryshimet ligjore do t’i japin të drejtën qeverisë të përcaktojë shumën e subvencionit për të drejtën e qarkullimit, komunikimit dhe konsumit të energjisë elektrike, të cilat deri tani janë të përcaktuara me ligj të posaçëm. “Deri sot ne i kemi të përcaktuara në ligj, me përqindje, me shifra, të gjitha përfitimet dhe, si të tilla, ato janë bërë të zbatueshme. Marrja në dorë e përcaktimit të një shume nga ana e qeverisë, së pari këtë të drejtë e bën më të dobët dhe së dyti, i jep kompetencë qeverisë të përcaktojë aq sa ajo do ta shohë të arsyeshme. Atëherë, me këtë ndryshim do të shkojmë drejt asaj që të gjithë duhet të lëvizim njëlloj, të gjithë duhet të flasim dhe duhet të konsumojmë njëlloj”, tha dje kreu i Shoqatës.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura