“Angli e shokuar, titulli ëndërr”

Jun 5, 2012 | 12:47

Hallet e Anglisë nuk kanë të sosur. Veç dëmtimeve që kanë pllakosur “Tre Luanët”, tashmë Roi Hoxhsonit i del detyra të ngrejë dhe moralin e lojtarëve. Kapiteni Stiven Xherrard ka pranuar se dëmtimet e 4 lojtarëve të Kombëtares gjatë grumbullimit në Mançester i kanë kompromentuar shanset e Anglisë për t’u shpallur kampione në Poloni dhe Ukrainë. Që kur menaxheri shpalli listën me 23 emrat që do të marrë në finalet e Europianit, ishullorëve u janë tërhequr 4 lojtarë, 3 prej të cilëve titullarë të padiskutueshëm në skemat e 64-vjeçarit. Fillimisht la grumbullimin portieri i Noruiçit, Xhon Rudi. Në miqësoren e parë ndaj Norvegjisë, anglezët humbën edhe Garet Berrin. Ndërkohë që alternativat në mesfushë u limituan edhe më tej, kur Frenk Lampard pësoi një tërheqje në stërvitje. Anglia shkoi në miqësoren e fundit kundër Belgjikës me shpresën për të mos lënë ndonjë pjesë tjetër të rëndësishme të skuadrës, por u mallkua sërish kur Geri Kahill theu nofullën gjatë një përplasjeje me portierin Hart. Të gjithë lojtarët e sipërpërmendur janë zëvendësuar, por mesfushori i Liverpulit pranon se mungesa e tyre do të ndihet shumë në Europian. “Jemi të shokuar. Të humbasësh Gerin është një goditje shumë e rëndë. Paraqitjet e mbrojtësit të Çelsit në 6 muajt e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme. Ishte një kolos në mbrojtje gjatë finales me Bajernin. Kishim shumë nevojë për të në këtë kompeticion. Jam i zemëruar dhe i zhgënjyer, sepse kemi humbur lojtarë të mëdhenj vetëm 8-9 ditë larg nisjes së kampionatit. Ishte si një mallkim. Përpara turneut kishim shpresa të mëdha, por tani gjërat janë vështirësuar së tepërmi”, – ishin fjalët e liderit të 18 herë kampionëve të Anglisë. Megjithatë, Xherrard garantoi se 23 “Luanet” e Hoxhsonit do të bëjnë gjithçka për të sjellë titullin e parë kampion në Londër. “Lojtarët janë stërvitur fort këto ditë dhe do të shkojmë në Poloni dhe Ukrainë për të mundur çdo skuadër me të cilën do përballemi. Nuk kemi frikë nga askush”, – përfundoi Xherrard.

Talenti
Aleks Okslejd Çembërleinit pushimet e kësaj vere i kanë kujtuar Botërorin e 2010-s, kur ai e shikonte Kombëtaren në televizor me miqtë e tij. Por sot, ylli 18-vjeçar i sulmit të Arsenalit do të shfrytëzojë çdo shans për të qenë protagonist i “Tre Luanëve” në Europian. “Edhe sot e kësaj dite nuk e besoj se do të jem edhe unë pjesë e Anglisë në Europian. Kam punuar shumë këto kohë, por nuk më ka munguar as fati. Do të jap gjithçka në këto finale”, – premtoi mesfushori i avancuar i “topçinjve”.

Franca
Në prag të miqësores së fundit me Estoninë, Loren Blank është i shqetësuar për gjendjen fizike të Zhan M’Vilës dhe Baize Matuidit. Dyshja e “gjelave” rrezikon ta humbasë ndeshjen e parë të Grupit D, edhe pse trajneri dha garanci se ata mund t’ia dalin kundër Anglisë më 11 qershor. M’Vila mori një goditje në kavilje që në minutën e parë gjatë miqësores me Serbinë. Fillimisht Franca u alarmua se ylli do të rikthehej në shtëpi, por skaneri i mbajti gjallë shpresat e asit të Renesë.

Shevçenko
Veterani i Ukrainës, Andrij Shevçenko, nuk ka asnjë dyshim për shanset e Kombëtares së tij në Europian. “Trajneri Oleg Bllohin ka ndërtuar një skuadër efikase që mund të dhurojë surpriza. Pastaj ne luajmë përballë publikut tonë dhe për më tepër finalja e 1 korrikut zhvillohet në stadiumin “Olimpik” të Kievit. Me cilësitë që kemi dhe me pak fat mund të shkruajmë historinë. Precedentët ekzistojnë me Greqinë 8 vjet më parë, kur ata befasonin në shtëpi Portugalinë”.

© Panorama.al

Te lidhura