
Prokuroria: Nuk dihet vrasësi i Myrtos, Dedës e Nikës.
Ekspertiza në Tiranë, 17 gëzhoja në vendngjarje s‘përputhen me të Gardës.
Prokuroria e Tiranës shtyn edhe me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve për dosjen e ngjarjeve të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë. Në vigjilje të 1-vjetorit të ngjarjeve të rënda pranë Kryeministrisë në Tiranë, Prokuroria ka vendosur të zgjasë edhe tre muaj kohën e mbledhjes së provave, për shkak se tri nga vrasjet kanë mbetur të pafaktuara. Lajmi është bërë i ditur dje nga drejtues të Prokurorisë, të cilët kanë thënë se shtyrja e afatit të hetimeve ka qenë e domosdoshme, pasi pritet mbërritja e disa provave nga SHBA. Është fjala për raportin e ekspertizës së kompjuterit server, me të cilin ishin lidhur kamerat e Kryeministrisë, si dhe ekspertizat e të paktën 20 predhave e gëzhojave të pistoletave të Gardës së Republikës. Shtyrja e afatit të hetimeve prek edhe oficerin e Gardës, Agim Llupo, i cili ndodhet në masën e arrestit me burg që nga 26 janari i vitit 2011, duke mbushur tashmë një vit në paraburgim. “Pas një periudhe hetimore 1-vjeçare është arritur në përfundimin se nga veprimet e kryera është i nevojshëm hetimi i mëtejshëm i vrasjes së tre personave, Faik Myrto, Aleks Nika dhe Hekuran Deda”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, është faktuar se vdekja e këtyre personave ka ndodhur si pasojë e goditjes me armë zjarri mirëpo, në rastin e Faik Myrtos dhe Aleks Nikës, krahasimi i predhave me armët e gardistëve nuk ka arritur të zbulojë vrasësit. Pas dështimit të ekspertizës së armëve, Prokuroria iu drejtua filmimeve të medias dhe kamerave të Kryeministrisë, mirëpo as në këto pamje nuk u arrit të identifikoheshin vrasësit e tre personave.
Misteri i armëve
Prokuroria e Tiranës ka pohuar në dosjen e saj për gardistin Sadik Çelaj, pjesë e grupit të zjarrit, se 17 gëzhoja të gjetura në vendin ku mbetën të vdekur katër persona, nuk u përkasin armëve të Gardës së Republikës. Sipas Prokurorisë, rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin. Po kështu, sipas akuzës, pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues, e pikërisht shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika. Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e këtyre shtetasve gjatë demonstratës ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të të gjitha armëve të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se: nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm të sekuestruara te Garda e Republikës.
Dëshmia e gardistit
Njëri prej efektivave të Gardës së Republikës të vendosur para Kryeministrisë me armë zjarri më 21 janar, Sadik Çelaj, ka dëshmuar se në momentin e thyerjes së portës së godinës së qeverisë është qëlluar, por tytat e armëve kanë qenë me kënd lart. “Qitjet i kam kryer në përputhje me rregulloren (duke kontrolluar këndin e tytës së armës gjatë qitjes në ajër)”. Sipas dëshmisë së gardistit, qitja me armë zjarri në ajër është bërë pas paralajmërimit disa herë me megafon, si dhe dhunës me gurë, pllaka dhe bomba molotov, që ushtrohej në drejtim të efektivave të Policisë dhe të Gardës së Republikës nga demonstruesit e dhunshëm.
“Pamjet e kamerave të qeverisë u fshinë”
Prokuroria: Brenda shkurtit presim provat e reja nga SHBA
TIRANE – Hetimet për vrasjet e 21 janarit patën futur marrëdhëniet mes Policisë dhe Prokurorisë në një krizë besimi. Prokuroria i dërgoi armët, predhat e gëzhojat në laboratorin e policisë shkencore, ku u gjet se gardisti Agim Llupo kishte vrarë Ziver Veizin, por vrasjet e tjera mbetën pa autor. Pas këtij fakti, organi i akuzës dyshoi dhe vendosi që një numër pistoletash, si dhe rreth 20 gëzhoja e predha t’i dërgojë në SHBA për ekspertizë. Po kështu, pas sekuestrimit të kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë, Prokuroria kërkoi pamjet filmike dhe, pasi verifikoi kasetat, nuk arriti të gjente asnjë sekuencë në të cilën gardistët qëllonin kundër demonstruesve. Serveri u dërgua bashkë me provat e tjera në SHBA. Nga verifikimet atje, dyshohet se në kompjuter janë fshirë në datën 22 janar disa materiale, ndërsa Prokuroria beson se ato kanë qenë filmime me vlerë për hetimin. Zyrtarët e Prokurorisë kanë thënë dje se në fund të shkurtit pritet të vijnë nga SHBA përgjigjet për armët, gëzhojat dhe pajisjet e kamerave që janë dërguar atje me qëllim rikuperimin e filmimeve të fshira.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











