“21 janari”, Apeli “liron” gardistin

Nov 8, 2011 | 11:00
Sadik Çela, gardist i akuzuar për 21 janarin

TIRANE – Sadik Çela, një nga gardistët e akuzuar nga Prokuroria si përgjegjës për vrasjet e ndodhura në demonstratën e dhunshme të 21 janarit pranë Kryeministrisë, do të vijojë të hetohet në gjendje të lirë. Një vendim i shpallur dje nga Gjykata e Apelit, Tiranë, la të pandryshuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, të caktuar ndaj tij më 28 shtator të këtij viti. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Apelit. Sipas burimeve, një treshe gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtarja Flutura Skënderi, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Tiranës në lidhje me masën e sigurisë ndaj gardistit Çela. Mësohet se nga ana e organit të akuzës nuk janë paraqitur prova bindëse, që Apeli të ndryshonte qëndrim. Hetimet e deritanishme nuk kanë provuar dyshimin se plumbi që ka vrarë një nga protestuesit e 21 janarit, të ketë dalë nga arma e gardistit Çela. Seanca e 28 shtatorit ndaj gardistit Çela u zhvillua në ambientet e Spitalit Ushtarak ku ai ndodhej atë kohë për shkak të problemeve shëndetësore. Më herët, më 14 shtator, një vendim i Gjykatës së Lartë caktoi ndaj Çelës masën e sigurisë “arrest me burg”. Ky vendim i Gjykatës së Lartë prishi një vendim të mëparshëm të Apelit të Tiranës, i cili liroi Çelën nga masa “arrest me burg”, me afat 30 ditë, që ishte dhënë nga Shkalla e Parë. Gardisti Çela është vetëm një nga katër të akuzuarit e Prokurorisë për vrasjet e ndodhura më 21 janar gjatë orëve të demonstratës. Hetimet në lidhje me këtë ngjarje ende nuk kanë përfunduar. I vetmi i dyshuar, që mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg”, është Agim Llupo. Prova e cila e ka “mbërthyer” atë, është një akt-ekspertim që vërteton se rjedha e plumbit e gjetur në trupin e njërit prej të vrarëve është shkrepur nga arma e tij.                                                                                              ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura