Zgjedhjet, Berisha: Çdo deputet i ftuar, veç Bashës! Po shkojmë drejt garës lokale me një kandidat të vetëm

Oct 7, 2022 | 7:34

MARIGLEN KUME/ Aleatët e vegjël që janë në Parlament nuk janë të vetmit me të cilët po negocion kryedemokrati Berisha për zgjedhjet lokale.

sali berisha

Dje para se të hynte në Parlament, ish-Kryeministri deklaroi se po takohet edhe me partitë e tjera që nuk janë në Parlament për të bashkuar forcat kundër Ramës në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ndërkohë pas takimit që ka pasur me Ilir Metën, Petrit Vasilin, Fatmir Mediut, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Dashamir Shehin, Berisha konfirmoi se po shkohet drejt një kandidati të përbashkët.

“Konstatoj se po ecet drejt një kandidati të vetëm. Unë falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit, aleatët për të gjithë qëllimet e tyre që opozita të dalë me një kandidat të vetëm. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve në vijim, unë do të takoj të gjithë forcat politike të cilat kanë pasur aktivitet elektoral dhe nuk janë në parlament. Dhe me ata do të përpiqemi të gjejmë një ujdi. Pra, të shkohet në këto zgjedhje me një Front të Vërtetë të Shpëtimit të Shqipërisë nga monizmi i Edi Ramës”, tha Berisha.

BASHKIMI ME DEPUTETËT E PS

Negociata ka gjithashtu edhe për të shuar përplasjet brenda vetës për zgjedhjet lokale. Ish-Kryeministri ftoi të gjithë deputetët demokratë, të cilët aspirojnë për pushtetin vendor, por edhe ata të cilët kanë një sugjerim që të bashkohen. Sipas Berishës, jo vetëm thirrja e tij, por në kampin blu ka edhe takim mes deputetëve për të pezulluar përplasjet brenda vetes.

“Çdo deputet është i ftuar të kandidojë po të dojë dhe të inkurajojë të tjerë që të kandidojnë. Ju them këtë, normalisht kryesia do t’i shqyrtojë ata, por kryesia përveç rasteve të jashtëzakonshme nuk do të bëjë përzgjedhje eliminuese, por do të jenë primaret. Ne kemi premtuar ndryshimin dhe po e sjellim. Pra, do të jenë primaret ato dhe jo kryetari dhe kryesia që të përcaktojë kandidatin. Çdo deputet që dëshiron të kandidojë për cilin do vend është i ftuar të kandidojë. Çdo deputet që dëshiron të shikojë një demokrat, demokrate, apo një qytetar që ai beson se i ka të gjitha cilësitë për të qenë qytetar i parë i asaj bashkie, ta inkurajojë dhe të futet në primare. Kjo është shumë e thjeshtë.

Nuk është vetëm ftesa, janë bërë takime. Zoti Paloka po merret intensivisht me këtë, po jo vetëm ai. Kështu që janë të hapura të gjitha dyert e komunikimi dhe kjo ftesa ime publike është rasti i fundit se, po qe se duan nëpërmjet mirëkuptimi apo marrëveshje, ne mund të mirëpresim çdo lloj sugjerimi. Ne duhet të shpejtojmë në zgjedhje, garë. Nuk është kjo një garë që e drejton lidershipi i PD-së, jo. Është një garë që e përcaktojnë primaret.

Lidershipi demokrat ka për detyrim moral që të bashkojë të gjitha palët, por ama formë më demokratike, civile se sa forma e një gare të hapur nuk mund të ofroj kush. Ne u zotuam para qytetarëve shqiptarë se do të sjellim ndryshimin dhe ne sollëm ndryshimin. Në këto primare do të votojnë anëtarësia, por edhe simpatizantët. Unë u kërkova partive aleate, bëni listat që dhe anëtarët tuaj të votojnë njësoj, me barazi të plotë”, tha Berisha.

Por teksa tregoi se dera është e hapur për të gjithë, ai bëri një përjashtim. Hoqi çdo mundësi bashkëpunimi me personin të cilin 9 vitet e fundit e kishte më afër, Lulzim Bashën.

“Gjersa gjithçka është e hapur, unë nuk shoh arsye se pse ata të mos bashkohen në proces. Që të gjithë mund të marrin pjesë vetë, përveç njërit, të jem i sinqertë me ju. Ai ka problemin e vet e dini ju, nuk ka nevojë të merremi me këtë. E merrni me mend. Asnjë njeri nuk e implikoj me të, ai është i izoluar, të qartësojë problemin sepse është një problem shumë serioz. Unë mund ti them Alibeajt që nuk është shumë e përshtatshme të bëhet zëdhënësi i tij”, tha ish-Kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura