Zgjedhje të reja pa ligj në Akademinë e Shkencave, zbulohet dokumenti i mbledhjes së fshehtë

Jan 7, 2019 | 12:36
SHPËRNDAJE

Akademia e Shkencave të Shqipërisë do të zhvillojë zgjedhjet për Kryesinë e re, edhe pse ligji i ri për ASH-në ende nuk është miratuar.

akademia e shkencave

Në datën 10 janar do të mbahet Asambleja e radhës e ASH-së, gjatë së cilës do të përcaktohet data e zgjedhjeve të reja, si dhe do të ngrihet komisioni që do të administrojë procesin, që nga shpallja e kritereve te platformat dhe votimi i kandidatëve.

Përgjatë një viti, Akademia e Shkencave ka qenë në qendër që vëmendjes që në momentin e zgjedhjeve të fundit, të cilat përfunduan me një rotacion emrash dhe postesh, që gjeneruan debate të shumta. Këto të fundit nuk lanë indiferent edhe Kryeministrin Edi Rama, i cili do të reagonte ashpër, deri në “kërcënim” për prerje fondesh në rast se institucioni nuk reformohej.

Ky lloj presioni çoi në dorëheqjen e kryesisë së re (kryetarit dhe nënkryetarit, përkatësisht Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti), duke hapur një kapitull të ri, atë të reformimit të ASH-së, që po ashtu është shoqëruar me debate e përplasje, me variante e kundërvariante. Krahas platformës së ndërtuar nga grupi i punës, ngritur nga Ministria e Arsimit, u propozua edhe një tjetër nga ana e akademikut Artan Fuga, e cila u kërkua të merrej parasysh dhe të integrohej në variantin zyrtar, nga vetë Kryeministri Edi Rama.

KËRKESA

Me gjithë debatin e ndezur për reformimin dhe nxjerrjen e Akademisë së Shkencave nga apatia, akademikët po nxitojnë t’i “zgjidhin” punët me të vjetrën. Ndërsa ligji për Akademinë e Shkencave ende është në diskutim dhe nuk ka kaluar për miratim, nga ana e Akademisë së Shkencave vjen njoftimi për zgjedhjet e reja.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së një grupi akademikësh, mes së cilëve Floran Vila, Gudar Beqiraj, Petraq Petro, Jani Vangjeli, Kosta Barjaba, Muzafer Korkuti, Anesti Kondili, Bardhyl Golemi, Dhimitër Haxhimihali, Shaban Sinani. Kjo kërkesë i është drejtuar Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave në 17 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, kërkesë kjo që është marrë parasysh nga Këshilli, i cili në datën 26 dhjetor ka bërë me dije dakordësinë e tij dhe ka shpallur edhe datën e Asamblesë.

Ajo do të mbahet në datën 10 janar mbështetur mbi rendin e ditës të propozuar nga akademikët, që kërkojnë zgjedhje të reja. Ata e justifikojnë këtë kërkesë me mbarimin e mandatit të Sekretarit Shkencor në muajin shkurt dhe me ecurinë në “rrugën e duhur” të reformimit të institucioni, arsye që çoi edhe në dorëheqjen e Kryesisë së mëparshme. Duke iu referuar ligjit të vjetër, por edhe atij që ende nuk është miratuar, kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve brenda muajit shkurt. Kështu që shumë shpejt do të mësojmë edhe datën e zgjedhjeve të reja, të cilat me siguri do të jenë gjatë muajit shkurt.

Akademikët firmëtarë: Zgjedhje të reja, reforma po ecën në rrugën e duhur
Republika e Shqipërisë
Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Tiranë 17.12.2018
Lënda: Kërkesë për mbledhjen e Asamblesë
Për: Këshillin Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave
Të nderuar kolegë,
– Duke qenë se prej muajit shtator 2017 postet e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Akademisë së, Shkencave janë vakante, për shkak të dorëheqjeve;
– Duke qenë se këto dorëheqje u dhanë për t’i hapur rrugë reformës për reformimin e Akademisë së Shkencave;
– Duke qenë se reforma tani është në rrugën e duhur, siç është konfirmuar nga vetë z. Kryeministër para Asamblesë së Akademisë së Shkencave më datën 20 shtator 2018
– Duke konstatuar se mandati i të vetmit anëtar të Kryesisë dhe njëherësh të vetmit funksionar me fuqi juridike si autoritet i Akademisë së Shkencave në drejtimin e brendshëm e në marrëdhënie ndërinstitucionale, Sekretarit Shkencor, përfundon në mbarim të muajit shkurt të vitit 2019 e në çdo rast, me ligjin aktual ose me ligjin e ri që pritet të miratohet, zgjedhjet për Kryesinë duhet të mbahen brenda muajit shkurt 2019;
Me të drejtën që buron prej ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 Për Akademinë e Shkencave,
ndryshuar; referuar nenit 11, si dhe neneve 14, 16, 17, 19 të Statutit të Akademisë së Shkencave ne, akademikët nënshkrues të kësaj letre, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së zakonshme të Asamblesë, brenda datës 10 janar 2019, me rend dite:
1. Shpalljen e datës së zgjedhjeve të reja të Kryesisë, sipas nenit 17 të Statutit të Akademisë së Shkencave.
2. Ngritjen e komisionit zgjedhor të përbërë nga akademikë, të cilët do të administrojnë procesin e shpalljes, kritereve, paraqitjes së platformave dhe të votimit të kandidatëve/teve.

Kryesia: Asambleja, në 10 janar

Republika e Shqipërisë
Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Tiranë, më 26,12,2018
Mbledhje e Asamblesë së Akademisë së Shkencave
Drejtuar: Asamblesë së ASH-së
Për dijeni: Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë
Të nderuar akademikë, referuar kërkesës së një grupi akademikësh, mbështetur bazës ligjore, qëllimit dhe rendit të ditës së propozuar prej tyre, sipas shkresës bashkëlidhur këtij njoftimi, ju bëjmë me dije mbledhjen e zakonshme të Asamblesë së Akademisë së Shkencave më datën 10 janar 2019, ora 11.00 në sallën “Aleks Buda”,
Pjesëmarrja e secilit prej akademikëve është e detyruar!
Këshilli Ekzekutiv i ASH-së Vasil S. Tole
Sekretar Shkencor Anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv Floresha Dado
Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, Anëtare e Këshillit Ekzekutiv Salvator Bushati
Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike Anëtar i Këshillit Ekzekutiv

Akademia-shkencave-dokumenti-mbledhja-fshehte (2) Akademia-shkencave-dokumenti-mbledhja-fshehte (3) Akademia-shkencave-dokumenti-mbledhja-fshehte (1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura