ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama kërkoi dje nga deputetët socialistë që mos lejojnë asnjë drejtues administrate që të përfshihet në procesin apo fushatën zgjedhore të 30 qershorit.

Gjatë fjalës së tij të shkurtër në mbledhjen e përjavshme të Grupit Parlamentar Socialist, burime thanë se Rama ishte tepër i vendosur dhe i prerë për të mos lejuar asnjë veprim të ndonjë drejtori që do të kërkonte nga punonjësit e tij dalje në fushatë apo ditën e votimit.
“Nuk na duhet asnjë zgjedhës më shumë, çdo njeri është i lirë të vijë të votojë për atë që mendon. Në mënyrë absolute nuk dua të më dalë ndonjë drejtor që t’u ketë bërë presion punonjësve të tij që të shkojnë në ndonjë miting apo të shkojnë të votojnë bashkë me familjen. Të jemi të qartë në këtë pikë”, mësohet të jetë shprehur kreu i PS-së. Ai ka kërkuar angazhimin e të gjithë deputetëve dhe drejtuesve politikë në qarqe.
“Vërtet Erion Braçe mbulon mbarëvajtjen e administratës, por Erioni nuk e realizon dot i vetëm dhe këtë përkujdesje elektorale. Nuk mundet Erioni që të merret me çdo drejtor dhe të dijë se çfarë bën çdo drejtor. Prandaj jeni ju, që jo vetëm t’i sqaroni se PS ka qenë dhe mbetet që të zbatojë standardet më të mira zgjedhore, por dhe t’i monitoroni nga afër se cila është sjellja e tyre në këtë drejtim”, ka vijuar Rama.
Sipas Kryeministrit, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor, ndërsa më 31 maj PS do të bëjë hapjen zyrtare në fushatës zgjedhore, përmes një takimi me të gjithë kandidatët në Pallatin e Kongreseve.
VOTIMI
Kryeministri është ndalur më gjatë në sqarimin e qytetarëve për penalitetet që vijnë nga cenimi i procesit të votimit. Rama u ka kërkuar deputetëve që të shfrytëzojnë çdo takim me zgjedhësit, në kuadër të fushatës zgjedhore, për t’u sqaruar atyre se procesi zgjedhor është i shenjtë dhe nuk duhet të preket.
“Në çdo takim me njerëzit të sqarohet se ai që prek dhe cenon zgjedhjet, përveç penaliteteve që ka në Kodin Penal, burg deri në 7 vjet, por si i dënuar për krim elektoral, do të përjashtohet nga lëvizja në zonën Shengen dhe udhëtimi në SHBA, sepse këto vende e respektojnë standardin zgjedhor dhe nuk pranojnë ata persona që janë dënuar për krim elektoral”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
PANORAMA
© Panorama.al











