Votuesit kërkojnë rritjen e mirëqenies, jo premtime boshe

Mar 20, 2021 | 9:22
SHPËRNDAJE

basha rama fushat6

PROF. AS. DR. SKËNDER KËRÇUKU

PROF. AS. DR. ILIAS MEHMETI

Në fushata elektorale, rrit ja e mirëqenies duhet të jetë e adresuar për grupe të caktuara njerëzish, sepse ajo përbën garancinë reale të votave. Në vijim, ne do të trajtojmë disa probleme që lidhen ngushtë me interesat e votueseve.

Së pari: Votuesit duhen ndarë në grupe sipas interesave të tyre, në: -pensionistë që janë moshat më të pamundura dhe më të goditura të shoqërisë dhe zënë 42-45% të numrit të votuesve faktikë. Programet elektorale të partive nuk i prekin fare, ose i prekin shumë pak nevojat e këtij grupi, duke parashikuar rritje të papërfillshme të pensionit të tyre. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk i stimulon ata për votim.

Lidhur me nevojat e pensionistëve, shteti duhet të kryejë një reformë të plotë dhe të gjithanshme të pensioneve dhe nevojave të tjera që kanë ata për shërbime shëndetësore, duke rishikuar nivelin minimal dhe mesatar të të gjitha kategorive të pensioneve, barazimin për vjetërsi të njëjtë pune në qytet dhe fshat, shtrirjen e ndikimit të metodave të reja të llogaritjes për të gjitha pensionet, pavarësisht nga koha e futjes së metodës së re të llogaritjes, sepse pensionistët gëzojnë të drejta të barabarta për pensione të barabarta-njerëz që janë në gjendje pune.

Në vendin tonë, pagat në përgjithësi dhe ato minimale në veçanti janë simbolike, pa folur për ndihmat ekonomike. Ato nuk sigurojnë as nivelin minimal të jetesës, prandaj partitë në programet e tyre elektorale, duhet të trajtojnë problemet e madhësive të pagave për të gjitha kategoritë e profesioneve; arsimtarët, mjekët, infermierët, gjeologët, ushtarakët, fermerët etj.

Njerëzit duan ta dinë sa e vlerëson shteti kontributin e tyre në shoqëri, sa do të jete madhësia e pagës që do të marrin ata, a mund të jetohet normalisht me këto të ardhura gjatë kohës që do të qeverisin partitë që synojnë të vijnë në pushtet?

Reformat, ristrukturimi i kapitalit dhe punës, parandalues i ndonjë kolapsi ekonomik

Reformat në fushën e shpërblimeve (pagave, pensioneve, ndihmave ekonomike etj.), kërkojnë studime të thelluara nga institucionet kërkimore-shkencore, sepse atje punojnë specialistët më të mirë me grada dhe tituj shkencorë dhe që kanë bërë emër në profesionin e tyre. Shifrat e shpërblimeve të llogaritura prej tyre janë më reale dhe të besueshme nga votuesit për të zgjedhur subjektin politik që përmbush më mirë nevojat dhe kërkesat e tyre, prandaj ata do ta votojnë. Duhet hequr dorë përfundimisht nga votimi i reformave gjysmake të udhëhequra nga mendimet e politikanëve injorantë dhe të pashkollë. Në zgjedhjet e 25 prillit, partia që do të vijë në pushtet nuk e ka të lehtë, sepse do të marrë drejtimin e vendit pas pasojave të dy tërmeteve të fuqishme dhe një pandemie të gjate (mbi një vit), me një borxh publik më të lartë dhe me shtrembërime të tjera në fushën e ekonomisë, të cilat kërkojnë kryerjen e reformave të thella për parandalimin e ndonjë kolapsi ekonomik, i cili është në prag të fillimit. Zgjidhjet ekonomike për këtë qëllim mund të jenë të ndryshme, por më kryesorja është zhvillimi i shpejtë i degëve kryesore të ekonomisë, të cilat prodhojnë të mira materiale dhe krijojnë vende të reja dhe të qëndrueshme pune, rrisin konsumin e brendshëm, shtojnë paranë në qarkullim dhe ulin pasojat sociale për pritshmërite që kanë votuesit. Në këto zgjedhje, partitë duhet të bënin atë që nuk është bërë për tri dekada; ; të hartonin projektprogramet e zhvillimit të ekonomisë kombëtare dhe rritjes reale të nivelit të jetesës dhe t’ua prezantonin ato votuesve.

Një nga kërkesat kryesore për hartimin e projektprogrameve, është që zhvillimi i ekonomisë të paraprihet nga studimet e thelluara shkencore, në mënyrë që të jenë reale dhe të besueshme nga votuesit. Për këtë qëllim, partitë duhet të tërheqin mendimin e specialistëve më të përgatitur brenda dhe jashtë vendit dhe kur të vijnë në pushtet duhet të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet kërkimore-shkencore, që drejtimi i ekonomisë të jetë i suksesshëm dhe të arrihet niveli i jetesës së një populli të lodhur, i cili e ka humbur plotësisht besimin për të ardhmen dhe po largohet masivisht jashtë vendit. Kthimi i besimit të votuesve nuk është i lehtë, ai kërkon kohë, kulturë drejtimi dhe përgjegjësi maksimale për zbatimin e reformave të nevojshme, te cilat zhvillojnë intensivisht ekonominë në përputhje me ligjet e tregut, konkurrencës nxitëse dhe futjes së shkencës bashkëkohore. U bënë shumë vite që propaganda e partive në fushata zgjedhore i ka çorientuar mendjet e njerëzve, duke u premtuar shifra të parealizueshme për zhvillimin e degëve të ekonomisë rritjen e prodhimit të përgjithshëm bruto, uljen e borxhit publik, rritjen e punësimit etj., por asnjëherë nuk kanë thënë sa do të rritet realisht mirëqenia e tyre; pagat, ndihmat ekonomike, sigurimet shoqërorë dhe shëndetësore, pensionet e pleqërisë dhe invaliditetit, shërbimet e institucioneve shtetërore etj.. Votuesit duan të dinë reformat ekonomike që do të kryhen nga partitë për rritjen e të ardhurave nga:

-rritja e pagave, pensioneve, ndihmës ekonomike etj.

-ulja e çmimeve të produkteve ushqimore, veshmbathjes, shtëpive etj., të cilat janë rritur në mënyrë spekulative. Transparenca me votuesit përbën pikënisjen e besimit të tyre, sepse ata kanë vuajtur gjatë nga pagat e ulëta dhe çmimet e larta.

Tregu i lirë nuk gjen jetë pa rritje të konsumit, siç po i ndodh Shqipërisë.

Së dyti: Në emër të lirisë së tregut, votuesit janë lënë pa kujdesin dhe shërbimin e duhur shtetëror. Shteti e ka për detyrë që t’iu shërbejë në të gjitha drejtimet qytetarëve të tij, në mënyrë që t’u përmirësojë kushtet e jetesës. Shteti u shërben votuesve, duke kontrolluar dhe frenuar rritjen pa kufi të çmimeve të mallrave në përgjithësi dhe atyre ushqimore në veçanti; siç ndodh me ngritjen e çmimeve të fruta-perimeve, vajit të ullirit në sezonin e prodhimit me shumicë etj. Këto fenomene ndodhin, sepse nuk funksionon si duhet tregu bujqësor; që prodhimi të përcaktohet nga kërkesat e konsumatorëve (kërkesat e tregut) dhe jo nga dëshirat subjektive të prodhuesve. Eliminimi i këtyre anomalive bëhet nga shteti nëpërmjet zbatimit të reformave dhe mekanizmave të nevojshëm ekonomikë dhe financiarë, të cilët ndikojnë funksionimin e rregullt të tregut bujqësor, që prodhimi të përcaktohet nga kërkesat e tregut. Partitë që synojnë të vijnë në pushtet, duhet të heqin dorë nga llafet dhe sloganet boshe, sepse votuesit janë të mërzitur nga këto. Para se të hedhin votën, votuesit duhet të binden për treguesit që kanë parashikuar partitë në projektprogramet e tyre për zhvillimin me ritme të shpejta të degëve kryesore të ekonomisë; bujqësisë, industrisë së lehtë dhe ushqimore, mineraleve, energjisë elektrike, turizmit etj. Partia apo koalicioni i partive që do të bindë shumicën e votuesve, përfshirë dhe pjesën “gri” (ata që nuk kanë vendosur të votojnë akoma), për saktësinë e shifrave të projektprogramit zgjedhor do të fitojë zgjedhjet. Kjo kërkon një diskutim të hapur me votuesit për reformat kryesore që do të kryhen për zgjidhjen e problemeve themelore që ka vendi lidhur me zhvillimin e  ekonomisë, rritjen e mirëqenies, zhdukjen e pasojave të tërmeteve, virusit të Covid-19 etj.

Së treti: Frontet e punës nuk hapen duke zbatuar politika të gabuara në ekonomi apo duke pritur “çekun e bardhë” nga të huajt, meqenëse jemi vend i vogël si popullsi dhe konsum. Pas vitit 1990, në emër të tregut të lirë dhe të konkurrencës së pabarabartë, u shkatërruan dhe mbyllën me mijëra fronte pune në uzina, fabrika, ndërmarrje bujqësore etj.. Shqipëria nuk kthehet në normalitet, as me teori ekstremiste, as me dëshira pushtetarësh, por me ekonomi që sjell dinjitet pune dhe mirëqenie Politikanët që ishin në pushtet në fillimet e demokracisë iniciuan dhe zbatuan disa teori ekstremiste “të shkatërrimit të çdo gjëje, që është ndërtuar ne socializëm, sepse do të rindërtoheshin nga e para gjoja me ndihmën e të huajve”, e dëmtuan shumë ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Rikuperimi i këtyre dëmeve në ekonomi ishte detyrë parësorë e të gjitha partive që erdhën në pushtet më vonë, por asgjë nuk u bë, prandaj politikat e riaktivizimit të aktiviteteve kryesore të shkatërruara dhe mbyllura në degët e ekonomisë, janë të domosdoshme sepse ato nuk kërkojnë shumë investime.

Të tilla mund të ishin riaktivizimi i ndërmarrjeve të ndërtimit dhe riparimit të anijeve të transportit dhe peshkimit, të fabrikave të prodhimeve të qelqit, llambave elektrike, tekstileve të leshta dhe të pambukta, rikultivimi i disa produkteve bujqësore si: orizi, duhani, pambuku etj. Prodhimi i këtyre produkteve dhe shume te tjerave në vend, do të rriste ndjeshëm burimet financiare në vend, sepse do të pakësohet importi dhe do të shtohet eksporti dhe do të ketë rritje të valutës së vendit.

Siç shihet, politikat ekonomike të zbatuara pas viteve ‘90-të nga qeveritë në pushtet, nuk kanë qenë të studiuara dhe të suksesshme, sepse vetëm nga riaktivizimi i aktiviteteve të mbyllura për arsyet e mësipërme jo vetëm që do të rriste të ardhurat financiare në valutë, por do të çeleshin edhe mijëra vende të reja pune, që janë shumë të nevojshme për votuesit. Edhe politikat e tanishme për zhvillimin e ekonomisë të propozuara në programet elektorale të disa partive, nuk u japin prioritet investimeve në sferën prodhuese (zhvillimit të degëve që prodhojnë të mira materiale), por u japin rendësi investimeve të sferës joprodhuese (të shërbimeve); sepse ato prodhojnë më shumë korrupsion.

Kjo rrugë e zhvillimit të ekonomisë është e pasuksesshme dhe këtë e kemi provuar deri tani, prandaj partitë për hartimin e projektprogrameve të zhvillimit të ekonomisë duhet të kërkojnë rrugë të reja duke tërhequr mendimin shkencor të specialistëve më të mirë, me grada dhe tituj shkencore, sepse ndryshe rrezikojmë që ekonomia të shkojë në kolaps.

Për të bindur votuesit për reformat e nevojshme që duhen zbatuar për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, partitë duhet të përfshijnë në projektprogramet e tyre edhe format e bashkëpunimit me institucionet kërkimore-shkencore, të cilat fillimisht duhen ringritur dhe plotësuar në përputhje me nevojat e degëve dhe sektorëve të ekonomisë. Vetëm duke u mbështetur në mendimin shkencor të këtyre institucioneve, hartimi dhe realizimi i projektprogrameve do të bëhet realitet. Mendimi intelektual, profesional dhe akademik orienton:

Duhet hequr dorë përfundimisht nga eksperiencat negative të deritanishme të drejtimit të pasuksesshëm, ku mbivlerësojnë mendimin patriarkal të “unit” dhe injorojnë mendimin e përparuar të specialistëve dhe të institucioneve kërkimore-shkencore, të cilat janë të specializuara për zhvillimin e degëve dhe sektorëve të veçantë të ekonomisë.

Këto sisteme, forma zhvillimi, i provuam deri tani dhe kemi mbetur të fundit në rajon në të gjitha drejtimet. Zhvillimi i ekonomisë kërkon hartimin e ligjeve dhe reformave të studiuara nga pikëpamja ekonomike, strukturore dhe administrative, sepse çdo vend e zhvillon mendimi shkencor i intelektualëve dhe institucioneve kërkimore-shkencore dhe nuk e zhvillon mendimi injorant i militantëve të partive që kanë zaptuar postet kryesore të pushtetit.

Mendimi politik luan rolin e drejtuesit dhe menaxherit për realizimin e mendimit shkencor ekonomik. Kjo është arsyeja që në programet e partive votuesit kërkojnë të dinë në mënyrë të hollësishme reformat që do të kryhen për:

-vënien në eficiencë dhe përpunimin e plotë të pasurive të vendit: naftës, gazit, hekurit, kromit, pyjeve etj. nga shteti dhe të heqjes dorë nga politikat e pasuksesshme të dhënies me koncesion personave apo firmave fantazmë, që vjedhin ose mashtrojnë dhe shteti del me humbje.

-stabilizimin e tregut në përgjithësi dhe atij bujqësor në veçanti, në mënyrë që fermerët t’i shesin produktet bujqësore dhe të shtohen sipërfaqet bujqësore të punueshme dhe të rritet mirëqenia e tyre;

-përmirësimin e nivelit cilësor të arsimit, që brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të arsimohen me dije bashkëkohore;

-përmirësimin e shërbimit shëndetësor, që shëndetësia falas të bëhet realitet dhe librezat e sigurimeve shëndetësore të mos mbeten letra pa vlerë -uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve, që të përmirësohet bilanci tregtare;

-rritjen e efektivitet dhe produktivitet të ekonomisë nëpërmjet përdorimit me efektivitet të lartë të të gjitha burimeve njerëzore dhe financiare të vendit, promovimit të prodhimeve dhe bizneseve të reja, eliminimit të investimeve jo rentabile etj.;

-zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë që pasqyrohet në rritjen e mirëqenies dhe konsumit shoqëror, uljen e problemeve sociale dhe rritjen e sigurisë së jetës së votuesve;

-hipotekimin sa më shpejt të tokave bujqësore, për krijimin e tregut të tokës për shitjen e parcelave të vogla dhe rritjen e numrit të parcelave të mëdha, që të krijohet prona e madhe private e tokës, që është kushti kryesore për modernizimin dhe zhvillimin e bujqësisë;

-përcaktimin e kostove mesatare të prodhimeve bujqësore që do të subvencionohen nga shteti; -hipotekimin e pallateve të pahipotekuara brenda një periudhe të shkurtër kohe;

-përcaktimin e mekanizmit financiar për tatimin progresiv të bizneseve të mëdha, që realizojnë norma të larta fitimi, në mënyrë që të parandalohen fitimet monopole.

Ne jemi përpjekur të japim disa mendime modeste, lidhur me kërkesat që kanë votuesit për projektprogramet e partive, që synojnë prosperitetin e vendit, frenimin e largimeve nga vendi, duke u bazuar në burimet poteciale reale që disponon Shqipëria, për zhvillimin e ekonomisë që sjell shpejt rritjen e mirëqenies së votuesve, në mënyrë që të marrin sa më shumë vota të merituara dhe që nesër të mos zhgënjejnë njerëzit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura